Shpati dhe Selvija çojnë lidhjen në një tjetër nivel, dyshja kurorëzojnë dashurinë e tyre

  • E.K /
  • 06 March 2021 - 16:48
Shpati dhe Selvija çojnë lidhjen në një tjetër nivel, dyshja kurorëzojnë dashurinë e tyre

Shpat Kasapi ka disa muaj që ka bërë publike lidhjen e tij të dashurisë me Selvijen. Në muajin janar dyshja shkëmbyen unazat e fejesës me njëri-tjetrin, duke e çuar lidhjen e tyre në një tjetër nivel. Mirëpo Shpati dhe Selvija nuk e kanë lënë me kaq, sepse ata kanë kurorëzuar dashurinë e tyre me martesë sipas rregullave të fesë Islame.

Gjatë një bisede virtuale me ndjekësit, Selvija ka zbuluar se ajo dhe Shpati janë martuar. Ata të dy kanë shkuar në xhami dhe kanë bërë kurorëzimin fetar, që sipas gjuhës së islamit njihet me emrin Nikah.

Dikush nga ndjekësit e ka pyetur Selvijen nëse ka bërë plane për martesë me Shpatin dhe ajo është përgjigjur:

“Ne kemi bërë kurorëzim fetar, por për dasmë s’kemi ndonjë plan shkaku i pandemisë”.

Megjithatë edhe dasma e tyre me siguri nuk do të vonojë edhe shumë, sepse aktori i humorit, Rezart Veleshnja, zbuloi disa ditë më parë se Shpati dhe Selvija do të martohen së shpejti.

“Kjo është dhurata më e bukur që mora për 35-vjetorin, që ju do martoheni shumë shpejt! Rrofsh vëllai im Shpat, Selvija je motër”, shkroi Rezarti.

Kujtojmë se teksa ishin të ftuar në emisionin “Roped With Olsi”, Shpati dhe Selvija treguan se janë njohur bashkë gjatë një projekti të këngëtarit.

“Unë kam punuar si grimiere dhe kishte Shpati një videoklip dhe u kontaktova nga stafi i Shpatit, por ishin rregulluar të gjithë, ishin gati dhe unë rrija aty si gjynah. U prezantuam aty me Shpatin dhe më tha hajde ma bëj mua grimin. Dhe unë pranova se thashë mos t’i shkojnë lekët kot. U bëmë shumë shok krijuam një kimi shumë të fortë. Kjo ka ndodhur para 3 viteve. Kemi 3 vite që njihemi. Kemi qenë shumë shok fillimisht. Ngaqë ishim shumë shok, ja tregonim çdo gjë njëri-tjetrit, jepnim këshilla derisa Shpati më tha një ditë ti ke karakteristikat që unë dua nga partnerja ime”, rrëfeu Selvija.

(Kosova Sot Online)