Shkurte Fejza: Femra shqiptare shembull i dinjitetit, guximit, ndershmërisë dhe suksesit

  • A.P /
  • 28 July 2021 - 17:40
Shkurte Fejza: Femra shqiptare shembull i dinjitetit, guximit, ndershmërisë dhe suksesit

Mbretëresha e muzikës popullore Shkurte Fejza, përmes një shkrimi në llogarinë e saj sociale në Facebook, ka lartësuar atributet e femrave shqiptare, të cilat po korrin suksese anembanë botës, si në muzikë e disipina të sportit, si rasti i  fundit në "Tokio 2020", ku dy xhudistet nga Kosova: Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova fituan Medaljen Olimpike, shkruan gazeta "Kosova Sot Online".

"Po ndalem te sporti që viteve të fundit na i dridhi zemrat nga gëzimi e krenaria. Ishte Majlinda Kelmendi ajo që e ngriti flamurin e Kosovës në majat botërore para flamujve të perandorive të mëdha sportive dhe fuqisë së tyre shtetërore. Majlinda, e ARTA e parë e Kosovës do të mbetet gjithmonë model që duhet ndjekur nga vajzat e reja sportiste", ka shkruar ndër të tjera Fejza.

Postimi i plotë:

Nga Nora e Kelmendit gjer te Nora Gjakova


Femra shqiptare shembull i dinjitetit, guximit, ndershmërisë dhe suksesit.


Eshte diçka që duhet studiuar nga ekspertët e fushave përkatëse e ky është gjeni shqiptar që e shpëtoj popullin tonë nga zhdukja fizike gjatë historisë së popujve. Ky gjen shumë i fuqishëm dhe i pasosur si duket është bartur përmes femrës shqiptare. Mendimin se femra lind fëmijët dhe gjallëron jetën, edukon, është e brishtë, e sinçertë, sensuale etj., gjeni i gruas shqiptare i tejkalon këto kualifikime për femrën. 


-Historia na mëson se femra shqiptare është zemërbardhë dhe është fisnike dhe edukatën që ia jep fëmijëve të vet rezulton që shqiptarët gjatë tërë histories i kanë përcjellur luftërat vetëm për mbijetesë dhe mbrojtje dhe luftëtarët shqiptarë asnjëherë dhe në asnjë rast nuk kanë bërë luftëra shfarosëse dhe krime kundër njërëzimit as gjenocid ndaj ndonjë populli tjetër.


- Femra shqiptare është e dashur , e dhimshme por edhe e forte si te rastet e nënave të dëshmorëve kur secila nga ato thotë me shpirt: Djalin ia fala Atdheut dhe bëhet zemërgurë të shikon në sy kur shpirti i saj e din sa dhembje e mall ka në zemër.


- Nora e Kelmendit, Shote Galica, Sulltanja e Qafës dhe heroinat e UÇK-së janë shembulli i guximit, trimërisë dhe heroizmit të femrës shqiptare. Ato janë trimëresha të paepura.
- Puna , përkushtimi dhe lufta e Shën Nënë Terezës për të varfërit dhe njerëzimin është shembull i shpirtit të madh shqiptarë.


Po ndalem te sporti që viteve të fundit na i dridhi zemrat nga gëzimi e krenaria. Ishte Majlinda Kelmendi ajo që e ngriti flamurin e Kosovës në majat botërore para flamujve të perandorive të mëdha sportive dhe fuqisë së tyre shtetërore. Majlinda, e ARTA e parë e Kosovës do të mbetet gjithmonë model që duhet ndjekur nga vajzat e reja sportiste.


- Majlinda Kelmendi Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova sportiste,  vajza të reja me shkathtësitë, vullnetin dhe guximin e tyre luftuan në sportin e tyre si luanesha dhe na bënë tre herë radhazi të ndihemi krenarë. 
Urime vajza dhe gjithmonë me suksese.

(Kosova Sot Online)