Afrim Muçiqi: Koncertet me 20 mijë vetë fajtore për rritjen e rasteve me COVID-19

  • E.K /
  • 19 gusht 2021 - 08:14
Afrim Muçiqi: Koncertet me 20 mijë vetë fajtore për rritjen e rasteve me COVID-19

Gjatë 24 orëve të fundit bazuar në raportimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në Kosovë janë shënuar katër raste të vdekjes dhe 2 mijë e 110 raste të reja pozitive.

Rritja e madhe e numrit të rasteve pozitive ka bërë që sot Qeveria e Kosovës t’i miratojë masat e reja që do të hyjnë në fuqi të premten më 20 gusht.

Sipas këtyre masave deri më datën 1 shtator do të ndalohen organizimet e dasmave dhe ahengjeve.

Po ashtu orari i gastronomisë do të shkurtohet për 30 minuta, pra do të jetë deri në orën 22:30.

E maska do të bëhet sërish obligative në hapësira dhe mjete transportuese përveç në rastet kur jemi duke ecur vetëm, vrapuar apo kur jemi duke vozitur dhe brenda makinës janë më pak se katër persona.

E lidhur me masat e reja ka folur këngëtari Afrim Muçiqi.

Muqiqi tha se fajtor kryesor për rritjen e rasteve janë organizimi i koncerteve në sheshet e komunave me pjesëmarrje deri në 20 mijë vetë.

“Rreziqet e dijmë fare mirë që kanë filluar nga organizimet e ndryshme si në sheshe në të gjitha komunat e Kosovës. Kryetarët e komunave kanë bërë organizime nëpër sheshe me nga 10 mijë apo 20 mijë njerëz.Nuk ka pasur asnjë masë”.

“Unë ku kam përformuar me përgjegjësi të madhe them se nuk ka pasur pjesëmarrje asnjë mbi 300 persona duke respektuar manualin e hartuar nga institucionet tona përgjegjëse. të gjithë duhet të ndihemi fajtorë”.

Ai theksoi se nuk ka pasur asnjë masë kontrolli as për ata që erdhën nga diaspora por as për ata që shkuan për pushime në bregdetin shqiptar dhe malazez.

“Por gishti duhet të drejtohet diku tjetër. Sepse nuk ka pasur masë kontrolli edhe të njerëzve që kanë ardhur nga diaspora. Edhe ne që kemi shkuar në bregdetin shqiptar dhe malazez. Aty ka pasur koncerte me mijëra vetë”.

Afrim Muçiqi shtoi se do të respektohet masat e reja për shkak të rritjes së madhe të rasteve pozitive me koronavirus, edhe pse ndaj estradës është vepruar me standarde të dyfishta për 600 ditë.

(Kosova Sot Online)