Nga shtatzënia e papritur, “ndarja” me reperin e deri te planet për dasmë, Sara Hoxha i tha të gjitha

  • E.K /
  • 08 November 2021 - 12:21
Nga shtatzënia e papritur, “ndarja” me reperin e deri te planet për dasmë, Sara Hoxha i tha të gjitha

Partnerja e Ledri Vulës, Sara Hoxha, është kthyer në një personazh shumë të ndjekur në rrjete sociale. Së fundmi, ajo ka hapur një kanal në “YouTube”, ku ka publikuar një video në të cilën i është përgjigjur disa nga pyetjeve më të shpeshta të ndjekësve.

E pyetur nëse shtatzënia ishte e papritur, Sara zbuloi se ishte e menduar, por erdhi në një moment të papritur.

“Shtatzënia ishte e menduar. E menduar, sepse ne kishim një vit që provonim dhe nuk po ndodhte, por ndodhi në një moment që ne nuk e prisnim fare. Dhe na lumturoi akoma më shumë fakti që ne nuk e prisnim fare në atë moment që ndodhi. Kështu që çdo gjë ndodh për një arsye.”,- u shpreh Sara.

Sa i përket lindjes, ajo tha se ishte natyrale, por për pak i shpëtoi asaj cezariane. Ajo foli edhe për gjidhënien, kur tregoi se për të ky proces ishte shumë i vështirë dhe i dhimbshëm, por ia ka vlejtur.

“Po, gjidhënien e kam pasur shumë problem. Mendoja se isha shumë e përgatitur për këtë periudhë pas shtatzënisë, por ishte diçka shumë e vështirë për mua, diçka shumë e dhimbshme. Dhe kam bërë vërtet çmos që t’i jepja Poem gji, sepse doja patjetër ta bëja. Për këtë gjë unë nuk jam penduar në asnjë moment, edhe kur i mendoj të gjitha ato gjëra dhe probleme që kam kaluar, ia ka vlejtur,”- tha Hoxha.

Lajmi se Ledri Vula ishte në një lidhje dashurie e që së shpejti do të bëhej baba, erdhi si i papritur për fansat. Prandaj Sara nuk i ka shpëtuar pyetjes në lidhje me organizimin e një dasme.

“Ne kemi qejf të bëjmë një dasmë. Problemi më i madh deri tani është se nuk e kemi vendosur akoma nëse do të bëjmë një dasmë shumë të madhe, apo një dasmë të vogël, private, modeste, të thjeshtë, ashtu siç kam qejf unë. Këtë gjë akoma nuk e kemi vendosur, por që kur ta vendosim do e merrni vesh edhe ju, patjetër.”,- tha ajo.

Një tjetër pyetje shumë e shpeshtë për të ishte nëse është zënë apo ndarë ndonjëherë me Ledrin. Sara tha se sigurisht që janë zënë, madje edhe janë ndarë, por prapë e kanë gjetur rrugën te njëri-tjetri.

Në fund ishte edhe një pyetje pikante: “Cili është pozicioni i preferuar i Ledrit?”. E vënë në siklet, Sara tha: “Kjo pyetje s’është fare për mua një herë. Fikeni se u degjenerua fare tani”.

(Kosova Sot Online)