Emine Hasimi: Për mua ku është muzika popullore e mirëfilltë aty e kam vendin dhe nuk përtoj të këndoj

  • A.P /
  • 16 June 2022 - 17:21
Emine Hasimi: Për mua ku është muzika popullore e mirëfilltë aty e kam vendin dhe nuk përtoj të këndoj

Intervistë me këngëtaren Emine Hasimi

Emine Hasimi është këngëtare e njohur e cila rrugën e këngës e filloj qysh si fëmijë në festivalin "Akordet e Kosovës" për të vijuar sërish në po këtë festival ku edhe u shpërblye me vendin e parë në kategorinë për të rritur gjithashtu tri herë radhazi Hasimi u vlerësua edhe në festivalin "Kosovarja këndon".
Ndër vite ka lansuar disa këngë hite që u mirëpriten nga publiku si: "Djali i Kosovës sime", "A po vjen me mu n'Drenicë me shku", "Pse më vjen e rëndë pranvera".
Si rrallë herë në një intervistë për gazetën "Kosova Sot" këngëtarja Emine Hasimi përgjigjet rreth jetës dhe karrierës: Pse nuk është aktive si më parë? A e ka në plan t'i rikthehet muzikës? 
Për këto dhe shumë gjëra të tjera ju ftoj ta lexoni intervistën në vijim...

Image

"Kosova Sot Online": E filluat rrugën e këngës në vitet e 80', kohë pas kohe jeni rikthyer në skenë, viteve të fundit nuk jeni aktive, ku është Eminja sot dhe a keni në plan t'i riktheheni muzikës?

Emine Hasimi: Përshendetje i nderuar. Unë qysh në moshën 6 vjeqare kam filluar të këndoj. Isha në klasë të parë kur mesuesja ime Edibe Bardhi qoftë e parajsës mua dhe Armend Rexhepagiqin na ofronte te Radio Prishtina që t'i bënim ushtrimet. Unë me Pranvera Badivukun që e kam shumë për zemër dhe e përshendes nga zemra qysh në këtë moshë kam filluar me muzikë pastaj kam marr pjesë në "Akordet e Kosovës për femijë" , në shumë koncerte për femijë. Pastaj Syrja Berisha më thirri që të këndoj për shkollën "Emrin Duraku". Në festivalin e femijëve në Shabac zumë vendin e parë me këngën ruse "Cip cip maji ciplatki" të cilën e kam kënduar solo në percjellje të korit ku nga ky kor kanë dalur shumë talentë të tjerë të udhëhequr nga Syrja Berisha. Në Radio Prishtinë pastaj kam kënduar shumë këngë të tjera për fëmijë. Në moshën 17 vjeqare Gjin Gjevelekaj ma ka pas bërë një këngë e cila ka qenë hiti i javës "Atdheu mbrohet me lule" një këngë shumë e bukur. Më pastaj fillova edhe me këngë popullore në Teatrin e Kosovës ka luajtur "Shpend Sokoli i Sokol malit", edhe aty e kam pasur një këngë për ta kënduar gjatë kësaj drame e kështu me radhë. Tutje kam kënduar edhe në "Akordet e Kosovës" për të rritue, ku një vit u shpërbleva me vendin e parë me këngën e Pranvera Badivukut pastaj në "Kosovarja këndon" tri vite me rradhë kam marr pjesë, poashtu në "Zambakun e Prizrenit" me Elife Podgoricën e kënduam një këngë të Arjeta Dacit ku dhe u shpërblyem me vend të parë. Pastaj në "Kosovarja këndon" dy herë jam shpërblyer me vend të dytë dhe me vend të parë me këngën "Festa e nënës" pa i harruar dhe shumë angazhime për Vitin e Ri me "Ramiz Sadikun" nën udhëheqjen e kompozitorit të njohur Fahri Beqiri- ndjesë pastë qoftë i parajsës e shumë këngë e albume të publikuara ndër vite.

Unë nuk jam shkëputur nga muzika por fati e ka dashur kështu. Pas luftës morëm rrugën e kurbetit. Nga kënga nuk jam ndarë asnjëherë, kohë pas kohe e kam vizituar Kosovën por nuk më ka premtuar edhe shumë koha jemi të angazhuar me punë këtu ku jetojmë por tani pasi fëmijët janë rritur e kam në plan të rikthehem sërish.

"Kosova Sot Online": Ndër vite keni realizuar disa këngë hite si: "Djali i Kosovës sime "A po vjen me mu n'Drenicë me shku" etj., por cilat mbetën këngët më të dashura për ty që më ëndje i këndon?

Emine Hasimi: "Djali i Kosovës sime" dhe "A po vjen me mu n'Drenicë me shku" janë këngë që më kanë mbetur në shpirt dhe gjithashtu adhuruesve të mi. Andaj kudo që shkoj këto këngë patjetër që do të këndohen me shumë ëndje. "A po vjen me mu n'Drenicë me shku" është këngë e ripërpunuar nga Ilir Shaqiri derisa "Djali i Kosovës sime" e ka bërë Naim Gjoshi. Me këtë rast i përshendes të dy.

Image

"Kosova Sot Online": Kënga "Pse më vjen e rëndë pranvera" mbetet një hit i pakontestueshëm me interpretim të shkëlqyer nga ju edhe pse një pjesë e publikut nuk e ka idenë se kjo këngë është kënduar për herë të parë nga Emine Hasimi, a ju ka shkuar ndërmend ndonjëherë t'ia bëni një videoklip?

Emine Hasimi: Këngën "Pse më vjen e rëndë pranvera" e ka bërë Burim Krasniqi tekstin ma ka dhënë Sabri Fejzullahu. Kjo këngë ka qenë shumë e pëlqyer nga publiku sidomos në Maqedoni, do t'ia kisha bërë një videoklip por ia kam lënë kohës, E kam plan të bëj një këngë së shpejti që të dalë në dritë e mos të rri kështu në zymtësi.

Image

"Kosova Sot Online":Thuhet se vitet e fëmijërisë janë më të ëmblat, na kujtoni ndonjë ngjarje për të cilën edhe sot ke nostalgji nga vendlindja?

Emine Hasimi: Po patjetër që kam shumë nostalgji nga vendlindja.Vendlindja dhe kujtimet e fëmijërisë janë të pafundme. Si vendlindja s'ka askund në botë. Asgjë nuk e zëvendëson. Si fëmijë kam kënduar me një copë druri si improvizim me dy motrat poashtu kam vallëzuar para tyre.

Një fëmijëri e pastër, shumë momente të bukura, ndonjëherë dhe të hidhura por shumë më shumë të ëmbla.

Image

 

"Kosova Sot Online": Tash e sa vite jetoni dhe veproni në kurbet, si është një ditë e juaja dhe sa janë prezente aktivitetet kulturore me bashkatdhetarë në qytetin ku jetoni?

 

Emine Hasimi: Unë jetoj që 23 vite në SHBA respektivisht në Kentaki. Kemi ardhur si refugjatë në vitin 1999 me familje. Kurbeti është shumë i rëndë sidomos për mua pasi në fushën e muzikës e kam pasur të vështirë edhe pse kam marr pjesë në disa aktivitete por kohën e fundit nuk kam qenë e angazhuar pasi jam e përkushtuar në punën që e bëj. Megjithatë kam shkuar edhe në Kosovë kam realizuar disa këngë për programet e Vitit të Ri prap këtë vit e kam plan të shkoj edhe pse jeta në kurbet për muzikë shumë e rëndë.

Image

"Kosova Sot Online": A ju ka ndodhur ndonjëherë, ta refuzosh ndonjë këngë, për arsye se nuk ju ka përshtatur karakterit tënd?

Emine Hasimi: Po më kam ndodhur të refuzoj këngë. Me shumë keqardheje e them, nuk ka qenë e karakterit tim dhe e kam refuzuar.

Image

"Kosova Sot Online": A jeni vaksinuar kundër Covid-19 dhe a besoni se viti 2022 do jetë fundi i pandemisë COVID-19 dhe varianteve të saj?

Emine Hasimi: Po jam vaksinuar. Fillimisht i kam marr dy vaksinat pastaj vaksinën e tretë tani po mendoj ta marr edhe të katërtën pasi fundi i pandemisë nuk e di kur do jetë edhe pse tani është lehtësuar situata. Por unë kam pasur edhe raste në familje që kanë humbur jetën nga Covid-19, nga kjo pandemi që i mbyti njerëzit.

Image

"Kosova Sot Online": Me cilin këngëtar/e nga estarda do të preferoje ta realizoje një bashkëpunim pse jo me Mimoza Shkodren teze e mbesë në duet??

Emine Hasimi: Unë do të realizoja bashkëpunim pse jo me Mimozen, e kam mbesë andaj patjetër do ta bëja. Në fakt e kemi biseduar që të bëjm një këngë së bashku e se kur nuk i dihet. Unë se kam problem të realizoj këngë me këngëtarët që unë i preferoj. S'më bën aq përshtypje se ku këndoj por për mua ku është muzika popullore e mirëfilltë aty e kam vendin dhe nuk përtoj të këndoj.

Image

"Kosova Sot Online": Sipas jush, ku është muzika shqipe sot, a jeni e kënaqur me standartin aktual apo duhet ndryshime urgjente?

 

Emine Hasimi: Muzika shqipe sot, në fakt ka disa vite pas luftës është në situatë të rëndë. Jam shumë e dëshpruar pasi s'ka muzikë të mirëfilltë si ka qenë muzika sot është bërë biznes. Nuk është si dikur kur edhe fëmijët janë kënaqur duke dëgjuar këngë derisa sot muzika është tmerr.

Sipas mendimit tim ndryshime kisha bërë duke realizuar këngë si më parë që kanë mundur t'i dëgjojnë fëmijët në djep e gjër te pleqtë e jo sikur sot me tekste banale.

Sa i përket muzikës popullore këto dy vitet e fundit kanë filluar ca këngëtarë t'i rikthejnë disa këngë popullore. Unë jam e mendimit t'i këndojmë ato këngë të mirëfillta që publikut t'i kënaqet zemra.

Image

 "Kosova Sot Online": Cila është motoja që Eminja përdor më shpesh si mesazh për shoqërinë dhe jetën në përgjithësi?

Emine Hasimi: Mesazhi im për shoqërinë dhe jetën në përgjithësi është që t'i rrisin fëmijët me një edukatë dhe kulturë si na takon neve si shqiptarë. Ti kemi në rrugë të drejt të na shkollohen, të bëhen të vetëdijshëm dhe të aftësohen për të arritur rezultate në jetë që të jenë të vlefshëm edhe për vetën edhe jetën në përgjithësi. Ta duam njëri-tjetrin të mos kemi gjelozi, mos të kemi urrejtje por t'i kënaqemi edhe të tjerëve. Të jemi të lumtur që dikush ka arritur me mund dhe me djersë.

Me këtë rast i përshendes të gjithë adhuruesit e mi kudo që janë që nga Amerika e gjër në Kosovë, në Evropë e Australi, në gjitha vendet ku janë ju uroj të kenë jetë të lumtur me familje e fëmijë.

Intervistoi: Armend Preteni

Image

(Kosova Sot Online)