Irlanda, Spanja dhe Sllovenia po shqyrtojnë tërheqjen nga Eurovision për shkak të Izraelit

  • A.P /
  • 13 September 2025 - 11:52
Irlanda, Spanja dhe Sllovenia po shqyrtojnë tërheqjen nga Eurovision për shkak të Izraelit

Zemërimi ndërkombëtar ndaj veprimeve të Izraelit në Gaza ka kaluar kufijtë politikë dhe diplomatikë, duke u reflektuar edhe në fushën e kulturës. Irlanda, Spanja dhe Sllovenia janë tre nga vendet që kanë shprehur kundërshtimin e tyre publik ndaj pjesëmarrjes së mundshme të Izraelit në Eurovision 2026, duke paralajmëruar mundësinë e tërheqjes së tyre nga festivali, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

 

Në një deklaratë zyrtare, transmetuesi kombëtar irlandez RTE tha: “Irlanda nuk do të marrë pjesë në Festivalin e Këngës Eurovision 2026 nëse pjesëmarrja e Izraelit vazhdon, dhe vendimi përfundimtar në lidhje me pjesëmarrjen e Irlandës do të merret pasi të merret vendimi i EBU-së (Bashkimi Evropian i Transmetimeve)”, shkruan Anadolu.

RTE nënvizoi se “pjesëmarrja e Irlandës do të ishte e paarsyeshme” duke pasur parasysh humbjen e vazhdueshme dhe të tmerrshme të jetëve në Gaza.

Po ashtu, Ministri i Kulturës i Spanjës, Ernest Urtasun, deklaroi të hënën se Spanja mund të tërhiqet nga Eurovisioni nëse Izraeli nuk përjashtohet nga gara.

Ndërkohë, RTV Slovenija, transmetuesi publik i Sllovenisë, njoftoi të premten se nuk do të marrë pjesë në Eurovision 2026 nëse Izraelit i lejohet pjesëmarrja.

Vendimi i EBU-së pritet të jetë vendimtar për vazhdimësinë ose bojkotin e disa prej shteteve pjesëmarrëse, në një nga festivalet më të ndjekura muzikore në botë.

Image

(Kosova Sot Online)