Neandertalët kanë punuar në ekip për të ndërtuar shtëpi prej guri

  • 27 May 2016 - 20:05
Neandertalët kanë punuar në ekip për të ndërtuar shtëpi prej guri

Një studim i publikuar së fundmi në revistën 'Nature' tregon që, para rreth 176,000 vjetësh, neandertalët veçse kishin filluar të ndërtonin struktura prej guri në një shpellë të Francës perëndimore, raporotn Gazeta Kosova Sot

Për vite të tëra neandertalët janë konsideruar njerëz të prapambetur të shpellave, që mezi ia kishin dalë ta siguronin mbijetesën në epokën e akullit në Evropë. Mirëpo, një seri studimesh ka zbuluar që neandertalët kanë qenë njerëz të aftë, me një koordinim të përkryer të duarve me sytë. Tani, një zbulim shumë i rëndësishëm i një strukture në formë unaze, në një shpellë të Francës tregon që neandertalët kanë punuar në ekip për ndërtimin e strukturave komplekse. Ishte menduar që ndërtesat e gurit kanë ardhur vetëm pas shfaqjes së njerëzve modernë, me zhvillimin e fermave, diku rreth 10,000 vjet më parë. Mirëpo, një studim i publikuar së fundmi në revistën 'Nature' tregon që para rreth 176,000 vjetësh neandertalët veçse kishin filluar të ndërtonin struktura prej guri në një shpellë të Francës perëndimore. 

Arkeologët fillimisht kishin zbuluar rrethin e 400 copëzave të thyera të stalagmiteve, 336 metra larg hyrjes së shpellës Bruniquel në vitin 1992. Aty ka pasur disa rrathë, njëri prej të cilëve ka qenë rreth 6.7 metra i gjerë. Megjithatë, ata rrathë kishin mbetur pa u studiuar deri në momentin, kur një ekip hulumtuesish nga Universiteti i Bordosë kishte vendosur të merrej me ta. Ky ekip tani ka ardhur në përfundim që strukturat janë krijuar rreth 176,000 vjet më parë. Ata thonë që strukturat mund të kenë qenë ndonjë lloj strehe ose kanë pasur kuptim simbolik për neandertalët, që i kanë ndërtuar.

Punonin si një kompani moderne "Nuk kemi pritur që neandertalët të kenë punuar diçka të tillë, kaq larg nga hyrja e shpellës", ka thënë profesori Jacques Jaubert, autori kryesor i studimit. Ai më tutje ka thënë që strukturat tregojnë që neandertalët është dashur ta bartin materialin me peshë prej 2.5 tonësh për t'i ndërtuar ato. Kjo gjë, sipas tij, ka kërkuar një bashkëpunim të madh, pasi që grupi është dashur të punojë së bashku dhe është dashur të ketë pasur një plan të paracaktuar, si dhe liderë, këshilltarë e punëtorë të rryer. "Të gjitha këto tregojnë për një shoqëri të strukturuar, që kishte krijuar një projekt, pastaj kishte gjetur lëndën e parë dhe i kishte thyer stalagmitet. Më pastaj ato stalagmite janë përdorur në elemente të rregullta për ndërtim", ka shtuar ai. Hulumtuesit kanë gjetur edhe shenja të zjarrit, që tregon se neandertalët kanë përdorur dritë artificiale për të punuar kaq thellë. 

(Kosova Sot)