Leonardo DiCaprio, i padenjë për rolin e poetit persian, Rumi

  • 30 June 2016 - 14:21
Leonardo DiCaprio, i padenjë për rolin e poetit persian, Rumi

Mijëra njerëz nënshkruajnë peticionin

Adhuruesit e filmit e kanë cilësuar këtë si një propozim “absurd”

Rreth 7,000 njerëz e kanë nënshkruar peticionin që kërkon nga producentët që rolin e poetit persian, Rumi, ta luajë një aktor nga Lindja e Mesme. Leonardo DiCaprio për momentin është zgjedhja e parë për rolin, mirëpo adhuruesit e filmit e kanë cilësuar këtë si një propozim “absurd”.

Skenaristët David Franzoni dhe Stephen Joel Brown në një intervistë të dhënë së fundmi për ‘The Guardian’ kanë thënë që shpresojnë se do t’ia dalin ta “sfidojnë portretizimin e stereotipeve të personazheve myslimane në kinemanë perëndimore” para se ta shprehnin interesimin e tyre për ta angazhuar DiCaprio-n për rolin kryesor bashkë me aktorin tjetër amerikan me ngjyrë të bardhë të lëkurës, Robert Downey Jr, i cili planifikohet ta luajë rolin e enigmatikut iranian, Shamsi i Tabrizit, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Dallimet racore

Deklaratat e tyre kanë ngjallur reagim të menjëhershëm të adhuruesve të filmit, me njërin prej përdoruesve të rrjeteve sociale që ka shkruar: “Ideja që DiCaprio është aktori më i mirë në botë për një pjesë të madhe të historisë në një mënyrë ka të bëjë edhe me adhurimin e racës së bardhë”. Një tjetër ka shkruar: “Ju kujtohet kur Idris Elba [aktori me ngjyrë të zezë të lëkurës] nuk ishte ‘mjaftueshëm anglez’ për ta luajtur rolin e James Bond-it, mirëpo gjithçka është në rregull nëse DiCaprio e luan rolin e Rumi-t”. Të tjerët kanë thënë që Hollivudi gjen aktorë myslimanë sa herë që i nevojiten për ta luajtur rolin e terroristëve, megjithatë kërkon një aktor të bardhë për ta luajtur rolin e një mendjendrituri.

“Paraqitja e Leonardo DiCaprio-s në rolin e Rumi-t rishkruan historinë; i merr të arriturat nga myslimanët dhe për këto të arritura i lavdëron të bardhët”, shkruan në peticionin e iniciuar nga Valerie Janovic. “Tani, kur njerëzit ta mendojnë Rumi-n, do ta mendojnë si një person me ngjyrë të bardhë të lëkurës, flokë biond dhe sy të kaltër. Aktorët myslimanë vazhdimisht përzgjidhen për rolet e terroristëve, mirëpo sa herë që kemi të bëjmë me portretizimin e një myslimani që është shquar për arritje pozitive, menjëherë kërkohet një aktor i bardhë”, ka thënë ajo.

DiCaprio, në anën tjetër, ende nuk ka komentuar në lidhje me thashethemet që ai do ta luajë rolin e Rumi-t, ndërsa as data e lansimit të filmit nuk është publikuar ende. 

(Kosova Sot)