QYTETET KOSOVARE "MODERNIZOHEN", HUMBIN SHKËLQENIN ANTIK

  • 24 June 2017 - 09:18
QYTETET KOSOVARE

Shteti i Kosovës krenohet me historinë mijëravjeçare të qyteteve kosovare dhe vazhdimësisë së tyre deri në ditët e sotme. Por, nuk mund të krenohet me gjendjen dhe ruajtjen e kësaj trashëgimie mijëravjeçare. Shumë prej qyteteve tashmë kanë humbur shkëlqenin antik dhe janë 'modernizuar' në mënyrë shqiptare, saqë tashmë nuk është aspak e lehtë të dallohen gjurmët antike të qyteteve kosovare. Edhe pse vazhdimisht që nga paslufta është duke u zhvilluar një betejë për të shporuar këtë pasuri, institucionet e trashëgimisë përballen me pengesat të ndryshme dhe neglizhencë të institucioneve shtetëroreqeveritare dhe lokale, të cila, pavarë- sisht zotimeve, shumë pak e bëjnë punën e tyrr, shkruan gazeta Kosova Sot

DISA QYTETE KANË RUAJTUR FORMAT DHE MONUMENTET

Në një situatë të tillë, kur fqinjët tanë dhe vendet e përparuara ruajnë dhe investojnë në trashëgimi, duke ngritur madje edhe qytete historike, në vend kjo pasuri po shkon drejt tretjes. Qytetet, si: Prizreni, Gjakova, Novobërda, Janjeva, Ulpiana, e ndonjë tjetër, të cilat njihem për trashëgiminë e tyre, shumë shpejt mund të humbin edhe atë pak identitetin antik që u ka mbetur. Nisur nga ky fakt, institucionet shtetërore ndodhen para një sfide për të siguruar një të ardhme për qytetërimin antik të shqiptarëve. Sido që të jetë, kapacitetet ekzistojë. Janë një varg qytetesh të cilat deri diku kanë ruajtura format dhe monumentet dhe trashëgimi të tjera nga e kaluara. E, të cilat mund të shndërrohen në qytete turistike. Enver Rexha, drejtor i Institutit të Arkeologjisë, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se ka shumë qytete kosovare që kanë vlera dhe mund të shndërrohen në qendra turistike. Ai ka përmendur Prizrenin dhe ka shtuar se me angazhim dhe mbështetje shtetërore, përveç Prizrenit, kemi dhe qytete të tjera që mund, si ka cekuar ai, kuptohet me vlerat e tyre të trashëgimisë arkitekturore, të rreshtohen në qendra turistike, si p.sh. Prishtina - zona e qytetit të vjetër me qendrën, Vushtrria me pjesën qendrore të qytetit (të vjetër), Gjakova me Çarshinë (objektet religjioze, urat etj.), Peja me Çarshinë, Mitrovica etj. Krejt këto qendra, mund të zhvillohen në vende turistike ku do të ishin kombinuar vlerat e tyre të trashëgimisë kulturore si objektet e banimit - arkitektura dhe vlerat e reja që do të integroheshin për t'i bërë në kuptimin qendra turistike.

TË DIHEN VLERAT E SECILIT VEND

Institucionet shtetërore, si ato qendrore apo edhe rajonale, komunale, etj., sipas Rexhës, duhet të bashkërenditen dhe të paraqesin vlerat e secilit vend - qendër të cilat paraprakisht duhet të mbrohen konform legjislacionit dhe njëkohësisht "të 'luftojnë me ministritë përkatëse të shtetit (vullnetit shtetëror) që nënkupton sqarimin, vlerat dhe rëndësinë historike, kulturore , arkitektonike të objekteve - monumenteve që posedojmë dhe kjo do të prodhonte rezultate për ruajtje - mbrojtje të qendrave të vjetra, të cilat edhe dhe do të mund të zhvilloheshin për më tej, për krijimin e infrastrukturës për të arritur prezantimin e tyre - pra për të qenë një qytet - qendër turistike", ka pohuar ai, duke shtuar se nëse arrihet të krijohet një infrastrukturë për qytete turistike, do të arrihet edhe gjenerimi i të mirave materiale, që do të derdhen në ato vende që do të mundësojnë edhe zhvillimin socio-ekonomik të banorëve dhe komunave të tyre.

NUK MBROHEN NGA SHKATËRRIMET DHE HUMBJA E AUTENTICITETIT

Ndërsa, Sali Shoshi, arkitekt, drejtor ekzekutiv i CHWB-së, për Kosovën, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se Prizreni, Ulpiana, Novoberda dhe Gjakova mund të jenë destinacione atraktive për t'i zhvilluar si destinacione të turizmit kulturor. Të gjitha këto, sipas tij, kanë vlera dhe veçori interesante duke prezantuar shtresat historike që nga koha romake e deri sot. Ndërsa ka shtuar se institucionet duhet t'i ndërmarrin disa veprime. "1. Ato të mbrohen nga shkatërrimet dhe humbja e autenticitetit 2. Të investohet në konservim dhe krijim të kushteve për turiste 3. Të ndihmoj operatorët turistikë në krijim të paketave turistike dhe 4. Të promovoj Kosovën si vend me vlera të larta kulturore, si dhe vend paqësor ku turisti ndjehet i sigurt", ka potencuar Shoshi. Kurse shumë pesimist sa i përket mundësisë që Kosova të ketë qytetet e saj historike shprehet, Qazim Namani, ekspert dhe hulumtues shumëvjeçar në fushën e trashëgimisë. Ai ka thënë se, përveç Prizrenit, që është ruajtur diçka nga arkitektura e vjetër qytetare nuk ka ndonjë qytet tjetër që mund të tërheqë turistë te ne. "Çarshia e Gjakovës nuk është diçka që tërheq vizitorë, ashtu edhe Peja e ka humbur trashëgiminë e vjetër. Ka disa objekte, por duke e pasur Patrikanën dhe Manastirin e Deçanit mendoj se mund të preferohet si qytet me interes për të huajt. Qytetet e tjera e kanë humbur bërthamën e qyteteve të vjetra dhe, përveç ndonjë objekti të kultit, s'ka diçka që ofrohet për vizitorë", ka pohuar ai, për "Kosova Sot". Po, sipas, fortifikimet dhe ato pak ura që kanë mbetur nuk janë të mirëmbajtura dhe nuk është punuar për të ofruar ndonjë vështrim interesant për të huajt. Muzeu Kombëtar i Kosovës, ka thënë me tek Namani, po ashtu nuk ofron asgjë për të treguar trashëgimin e tonë kulturore, lashtësinë dhe identitetin e kësaj popullatë, pasi mungon ekspozita e përhershme për çdo sektor. Përderisa hapësirat e muzeut më shumë po përdoren për aktivitete jashtëmuzeore.

(Kosova Sot)