SA PO E DËMTON LIBRIN 'FEJSBUKU' ?

  • 25 June 2017 - 11:55
SA PO E DËMTON LIBRIN 'FEJSBUKU' ?

Shkruan: Avni Rudaku

ME SHKAS NDIKIMIN E RRJETEVE SOCIALE MBI LIBRIN DHE LEXUESHMËRINË

'Fejsbuku' në një pikë e ka forcuar librin në promovim dhe marketing

'Fejsbuku' ka ndikuar në promovimin dhe marketingun më të lehtë të librit, me mundësinë për të sponsoruar qarkullimin dhe depërtimin e librit në sa më shumë miq të njohur e të panjohur, kjo e ka lehtësuar kontaktin e autorit me lexuesin, me botuesin, shtypshkronjën, etj.

Rrjetet sociale nuk janë të dedikuara në radhë të parë për lexim e libra, por për të bërë miq dhe për t'u lidhur me botën. Që në fillim të hapjes, në rrjetin social 'Facebook'(fejsbuk), ju shfaqet mbishkrimi të lidheni me fejsbukun, në mënyrë që të krijoni miq dhe të jeni të lidhur me gjithë botën a njerëzit përreth. Nga vetë kjo, ne e shohim se qëllimi dhe synimi i këtij mesazhi aq human, është transformuar tej mase dhe më shumë sot kemi reklama, invazion me lloj-lloj informacionesh të kota, që të humbin aftësinë për të përzgjedhur ato që na duhen më së shumti nga ato më pak të përdorshme, sesa për tu bërë miq me të tjerët, apo bashkëbiseduar me miq. Është madje e pamundshme t'i përgjigjesh dhe kokëdhembje, nëse do të shkruanin në të njëjtën kohë në 'chat', edhe 10 miq, e lëre më 5 mijë miq, sikur i ka dikush. 'Fejsbuku' ka ndryshuar shumë me kalimin e kohës, qoftë me veprimet brenda kësaj agore publike virtuale, qoftë me mënyrën e ndërveprimit social (pëlqimet, komentet, etj.), qoftë me ndikimin në marketing e reklama, sponsorimet e postimeve të individëve e kompanive, etj. Por në këtë shkrim do të merremi vetëm me impaktin që ka fejsbuku për librin dhe lexueshmërinë, sot dhe këtu. Në disa rrafshe, fejsbuku e ka dëmtuar rëndë vetë idenë e librit, ekzistencën e tij, libërdashjen, shpërndarjen e tij, ndërsa në disa rrafshe tjera, e ka promovuar, teleisur dhe bërë më të afërt librin me përdoruesin lexues të rrjeteve sociale. Ne do të merremi vetëm me disa aspekte të dëmtimit të librit dhe leximit, dhe aty-këtu ndonjë meritë të fejsbukut për ta avancuar praninë e librit në hapësirën publike dhe në audienca të gjera, heterogjene e të përziera. STATUSI - TEKST I SHKURTËR Statusi i fejsbukut është përgjigje zyrtare në pyetjen se "çfarë ke në mendje tani?". Zakonisht njerëzit në masë të gjerë i përgjigjen "çfarë kanë në zemër", ndonëse emocionet janë në koren e trurit të madh, por më shumë se çfarë mendojnë/reflektojnë, përdoruesit tregojnë çfarë ndjejnë/përjetojnë/prekin/shohin. Statusi i fejsbukut edhe për nga lloji i aplikacionit, është menduar sikur të ishte një dritare në familjet tona të dikurshme, të flisnim me një familjar nga dritarja, të komunikonim apo përshëndesnim fqinjin e afërt apo farefisin nga ballkoni apo më zakonshëm, nga dritarja e një shtëpie sepse dikur kanë pasur më pak ballkone dhe kate të larta. Ngjashëm sot ne kur shkruajmë një status, dalim sikur në një dritare të shtëpisë dhe komunikojmë realisht apo imagjinarisht, me miqtë në fejsbuk, të cilët i kemi pranuar në listën tonë. Statusi si tekst i shkurtër e ka shkallmuar idenë dhe përfytyrimin për formatin, zhanrin, përmbajtjen dhe tekstin e librit. Duke u mësuar me statuse-tekste të shkurtra, njerëzit tashmë janë mësuar të lexojnë tekste jo të gjata dhe i kanë bërë ta krijojnë iluzionin se edhe "libri i mirë është një status", pra një tekst i shkurtër! Kjo e degjeneron edhe kuptimin e zhanreve mediatike si lajmi e njoftimi për ta dalluar prej artikullit që është më i zgjeruar se lajmi, e lëre më për ta dalluar zhanrin e 'statusit të fejsbukut' prej librit si medium a zhanër krejt tjetër teksti. Me një fjalë, statusi i përhapur aq masovisht, në audienca aq diversive e anonime, me lloj-lloj sfondi kulturor, social, ekonomik, intelektual, ka gërryer së brendshmi dhe së jashtmi, krejt durimin, motivimin, vëmendjen, gatishmërinë dhe joshjen për të lexuar libra. Sikur dikur dhe tani, që njerëzit thonë se "pse të lexuakan një libër kur e shikojnë një film artistik të bazuar në të njëjtin libër", apo "pse të lexuakan një libër kur e shikojnë një film dokumentar", apo edhe "pse të lexuakan kur ekzistojnë të gjitha në internet, youtube e rrjete sociale", ashtu sot thonë për statusin: "pse të lexuakan libra, pasi mundin të lexuakan statuse fejsbuku"! Me fjalë të tjera, statusi i fejsbukut aq shumë ka krijuar përshtypjen se edhe tekstet e gjata në status nuk lexohen gjer në fund, e lëre më një libër. Së këndejmi, statusi i fejsbukut e ka shkalafenur idenë e leximit të librit dhe krejt veprimin tonë të durimit për tu ulur a shtrirë, për të lexuar librin nga faqja e parë gjer në atë fundit, ngaqë njerëzit pyesin "çka të lexojnë libra, kur mësojnë nga statuset e shkurtra"! Ka lloj-lloj dëmtimesh anësore e esenciale që është dëmtuar libri përmes të mësuarit e publikut dhe përdoruesve të gjerë mbi ekzistencën e 'statuseve fejsbukiste'. Pastaj, kur shkruan dikush gjatë dhe e sheh 'see more', atëherë në vend të përkthimit zyrtar "shih për më tepër", "lexo më tutje", duke u përkthyer faktikisht siç po ndodh mjaft shumë sot, sikur e përshkruan një mik sociolog: "See more, është leje krejt!". Statusi e ka dëmtuar në përmasa të pabesueshme vetë konfiguracionin e aktit të leximit, duke e krijuar një përshtypje të keqe për çdo tekst të gjatë. Madje, statusi në këtë kontekst, ka ndikuar në humbjen e durimit edhe për të shikuar filma të metrazhit të gjatë gjer në fund; për të dëgjuar dikë gjer në fund; për të marrë libra gjer në fund; për të dëgjuar një tregim gjer në fund, etj., sepse duken shumë të gjatë. Me një fjalë, "nuk janë statusa"!

SHFLETIMI I AKTIVITETEVE TË MIQVE

Nuk ka dëmtim më të konsiderueshëm të librit dhe leximit sesa humbja e kohës në shfletimin dhe ecjen poshtë-lart të kursorit për 'aktivitetet e miqve'. Imagjinoni se jeni mysafir te një familjar në vitin 1996! Sapo hani bukë e pini qaj, i kërkoni albumin me fotografi për ta shikuar. Disa kanë turp edhe për ta kërkuar, edhe për ta dhënë, nga fakti i të qenit me turp, nëse nuk jeni aq i afërt me nikoqirin e shtëpisë për t'i shikuar fotografitë private në albumin fizik! Tash në fejsbuk, jo që njerëzit postojnë lloj-lloj fotografish në çaste intime para e pas gjumit, para e pas pastrimit në banjë; me pizhame e pa to; me bikini në plazh, etj., por tregojnë çdo detaj intim, pa asnjë skuqje(pa e gjykuar nëse është e mirë apo e keqe kjo, për të mos rënë në gjykime normative-etike)! Dikur na vinte turp t'i shihnim disa foto private në albumet fizike, ndërsa në albumet online, përdoruesit e kanë zgjeruar krejtësisht konceptin e privaticitetit. Por nejse kjo, ngase nuk është qëllimi i kësaj kolumne! Imagjinoni duke shikuar tërë kohën albume fotografish të dikurshme, sikur bëjnë sot përdoruesit me shumicë, në rrjetet sociale si fejsbuk, instagram, snapchat, etj! Në këtë mënyrë, fejsbuku e ka dëmtuar rëndë librin dhe kohën për lexim, ngase koha më e madhe po ikën me shikime profilesh/fotografish. Sikur e njëjta të përkthehet në rastin e fejsbukut, njerëzit humbin kohën aq të madhe duke shikuar fotografitë e miqve, postimet e tyre të përditshmërisë dhe dorën në zemër, përjashtuar miqve të rrethit aq të ngushtë, privaticiteti i shumë miqve tjerë nuk na intereson fare. Është humbje kohe! Fejsbuku për nga konfiguracioni dhe vetë struktura e aplikacionit, e ka ripërtërirë thashethemen, humbjen e kohës së lirë në gjëra shpesh të padobishme dhe çorientuese. Shumë prindër ta thonë se fëmijët e tyre humbin kohën kot, për orë të tëra, në rrjetet sociale dhe nuk arrijnë t'i kryejnë as obligimet e tyre shkollore. Shumë të rritur e të pjekur, madje edhe personalitete të cilat dinë t'i menaxhojnë shumë gjëra në jetë, kur është fjala për rrjetet sociale, flasin për pafuqinë e tyre për lënë anash fejsbukun, shqetësimin e vazhdueshëm me informacione të reja dhe duke mbetur me orë të gjata duke lëvizur kursorin poshtë e lart. Preokupimi me aktivitetet e aq shumë miqve, ka dëmtuar rëndë librin dhe lexueshmërinë sistematike, sepse lexueshmëria sipërfaqësore është më e gjerë sot, sesa ishte dikur. Më parë lexonin vetëm njerëzit të thirrur për lexim, profesorë, akademikë, pra një shtresë më e veçantë, apo ndonjë libërdashës i pasionuar e autodidakt, ndërsa sot, edhe këta që janë të thirrur direkt nga puna e profesioni (si p.sh., profesorë), nuk lexuakan dhe ta thonë hapur se "na mbyti teknologjia e rrjetet sociale!" E kanë një përshtypje të vetëdorëzimit dhe të pamundësisë për ta menaxhuar kohën si dhe sa duhet për t'ia kushtuar librit dhe për të qëndruar pa të qenit online. PROMOVIMI DHE MARKETINGU I LIBRIT Fejsbuku në një pikë e ka forcuar librin në promovim dhe marketing. Secili sot e ka mundësinë e shfrytëzimit të rrjetit social si fejsbuku, duke e hedhur kopertinën në kohështrirje a faqe private; duke e ndryshuar profilin për librin, duke pritur urime të shumta nga miqtë për librin, e tjerë e tjerë. Ka shumë fotografi para dhe pas promovimit të librit. Libri sillet vërdallë fejsbukut ngado. Është mundësi e madhe e depërtimit dhe zgjerimit të librit në shumë palë sy. Por promovimi dhe marketingu i librit ka pësuar metamorfozë. Fejsbuku ka ndikuar në promovimin dhe marketingun më të lehtë të librit; me mundësinë për të sponsoruar qarkullimin dhe depërtimin e librit në sa më shumë miq të njohur e të panjohur; kjo e ka lehtësuar kontaktin e autorit me lexuesin, me botuesin, shtypshkronjën, etj. Mirëpo, në rast se ju i pushtoni miqtë për disa ditë e javë rresht, me foton e librit të ri, i bezdisni miqtë dhe ka gjasa t'ju heqin nga lista e miqve që i ndjekin dhe pëlqejnë. Duan sa më shumë informacione të ndryshme, përkatësisht sa më shumë postime (sidomos fotografi) nga sa më shumë njerëz, e jo t'i dalë para syve, promovimi, linqet ku është botuar lajmi për librin tuaj të ri, kush ka folur për librin e ri, etj. Pra, marketingu bombardues në rrjetet sociale, nga ekzistenca e aq shumë ngacmuesve, faqeve dhe miqve në rrjetet sociale, e ka pamundësuar fuqinë e koncentrimit në një gjë, dhe madje, përsëritja e të njëjtit promocion a postim, bëhet anti-reklamë apo anti-marketing për librin. Edhe në këtë segment të promovimit dhe marketingut të librit, fejsbuku nuk ka arritur ta ketë fuqinë e nevojshme për ta ndihmuar librin. Po ashtu, shumë përdorues të rrjeteve sociale, mund ta urojnë "urime libri i ri", por jo edhe ta blejnë atë. Nga përvoja dhe bashkëbisedimi me shumë autorë librash, kam dëgjuar se shumë njerëz fare pak interesohen më pastaj për këto libra, përveç një obligimit miqësor për ta uruar librin.

FUND

Për atë se a e ka dëmtuar më shumë apo më pak fejsbuku librin, tash për tash, e kam mendimin se më shumë e ka dëmtuar librin dhe lexueshmërinë! Nuk e di a do të ndërroj mendje?!
(Kosova Sot) 

(Kosova Sot)