Aktorë të tmerrshëm, por me shumë filma

  • 17 August 2017 - 12:12
Aktorë të tmerrshëm, por me shumë filma

Van Damme t'u falënderon yjeve të filmave të aksionit para tij

GERARD BUTLER

Me gjasë do të befasoheni kur t'ju themi se Gerard Butler është në biznesin e filmit tash e njëzet vjet. Duke filluar nga mesi i viteve 1990, me role të mëdha në filma sikur "Tomorrow Never Dies", do të kalojnë vite para se ai ta marrë statusin e aktorit të roleve kryesore. Që të gjithë me kemi qeshur me rolet e tij të para, por si duket shefat e Hollivudit kishin vlerësuar se ai ishte njeriu i duhur për ta angazhuar. Nuk mund të mohohet fakti që Butler ka një prezencë të madhe në ekran, por po ashtu nuk mund të thuhet se ai di të aktrojë. JENNIFER

ANISTON/CAMERON DIAZ

Kemi vendosur që këto dy aktore t'i prezantojmë së bashku, për shkak se, në këtë kontekst, ajo që mund të thuhet për njërën, mund të thuhet edhe për tjetrën. Edhe pse ka aktore që në Hollivud kanë përparuar vetëm falë pamjes së tyre të bukur (p.sh. Megan Fox), ka edhe të tilla që kanë ndërtuar një karrierë të madhe dhe kanë filma me hëngër dreqi, por nuk e dimë si dhe pse ato e kanë arritur këtë sukses. Dy aktoret e para që na bien mend, e që do të mund të futeshin në këtë kategori, janë Jennifer Aniston dhe Cameron Diaz. Aniston ka ndërtuar një karrierë më shumë se 20-vjeçare si ikonë kulturore, pa pasur pikë talenti për aktrim. Nëse themi se ka qenë aktorja më e keqe në serinë "Friends", atëherë i kemi thënë të gjitha. E, sa i përket Diazit, edhe pse ajo e filloi karrierën si një bionde seksi (a ju kujtohet roli i saj në filmin "Mask"?), më pas tentoi që t'i ikte këtij stereotipi. Sido që të jetë, është për t'u habitur sesi ajo arriti ta ndërtonte një karrierë kaq të suksesshme në aktrim, kur nuk ka as talentin bazë për këtë punë.

ADAM SANDLER

Adam Sandler kohëve të fundit bën filma vetëm për "Netflix"-in, ku, për çudi, ka një audiencë për lakmi. Në fillim të viteve 1990 Adam Sandler filloi që të paraqitej në filma e, deri më tani ka bërë me të vërtetë shumë sish, ku një pjesë e madhe, të paktën sipas tij, do të duhej të ishin komedi. Sipas kritikëve dhe shumicës së njerëzve me mendje të shëndoshë, filmat e tij të shumtë janë dështim pas dështimi. Ka vetëm një gjë të cilën duket se ai di ta bëjë mirë e kjo është bërtas. Por, bërtitja nuk është aktrim. Edhe nëse ai ndonjëherë ka luajtur ndonjë rol të mirë, ato kohë kanë perënduar qëmoti.

KEANU REEVES

Keanu Reeves ka luajtur në disa prej filmave më të mirë të Hollivudit gjatë 30 viteve të fundit, duke përmendur vetëm disa prej tyre, si "Bill and Ted", "The Matrix", "Point Break", etj. Përkundër faktit se disa prej këtyre filmave kanë qenë hite të mëdha, duke sjellë fitime të mëdha nga shitja e biletave, nuk mund të mohohet fakti që Keanu Reeves nuk merr erë nga aktrimi. Nëse qëndron në këtë zonë të rehatshme, duke luajtur personazhe të thjeshta, të ngurta, që herë pas here bëjnë "Whoa", atëherë Keanu mund të vazhdojë që të shkëlqejë. Edhe pse nuk di të aktrojë, disi të gjithë e duam Reevesin dhe shpresojmë që ai të vazhdojë të jetë i pranishëm në ekranet e mëdha edhe një kohë të gjatë.

JEAN-CLAUDE VAN DAMME

 

Muskujt nga Brukseli, sikur që quhet shpesh ky aktor, duhet t'iu falënderohet yjeve të filmave të aksionit para tij, sikur Sylvester Stallone, Arnold Schwarzenegger dhe Chuck Norris, meqë pa ta, as Van Damme nuk do të mund të depërtonte në këtë zhanër. Nëse iu themi se Arnie, Stallone, Norris, bile edhe Seagal, e refuzojnë ndonjë rol, atëherë dmth se ai është një rol me të vërtetë i keq. Por, Van Damme duket ta ketë bërë një karrierë të pasur në Hollivud, duke jetësuar role të tilla. Prandaj, nuk është për t'u habitur që, nga të gjithë ata filma të Van Damme-it, nuk na kujtohet asnjë film i mirë.

EDDIE MURPHY

Dikur ekzistonte një njeri i cili e kishte botën në dorë. Ai dilte në skenë me stilin e tij arrogant, të zhurmshëm dhe, herë-herë qesharak, duke e pushtuar ekranin e madh si stuhi. Me filmat e tij, si "Trading Places", "48 Hours" dhe "Beverly Hills Cop", Eddie Murphy shumë shpejt u bë njëri prej yjeve më të mëdhenj në botë dhe gjërat vetëm sa mund të vinin duke u bërë më mirë, apo jo? Jo! Me të mbaruat të viteve 1980, Murphy filloi që të pranonte çdo rol që i ofrohej, ku shumë shpejt u bë e qartë se Murphy, në fakt, nuk di të aktrojë. Nëse i thoni të improvizojë diçka dhe të bërtasë, atëherë ai do ta bëjë këtë me sukses, por kjo nuk është e as nuk ka qenë kurrë aktrim. Dikur një talent i madh dhe premtues, Murphy ka rënë tepër poshtë dhe nuk ka gjasa që të ngritet përsëri. 

(Kosova Sot)