< TË MOS LEJOJMË QË GJURMËT E FILMIT KOSOVAR TË ZHDUKEN - Kulturë - Kosova Sot
TĖ MOS LEJOJMĖ QĖ GJURMĖT E FILMIT KOSOVAR TĖ ZHDUKEN

TĖ MOS LEJOJMĖ QĖ GJURMĖT E FILMIT KOSOVAR TĖ ZHDUKEN

RUAJTJA DHE DIGJITALIZIMI I TRASHËGIMISË FILMIKE TË "KOSOVAFILMIT" 

Për vite të tëra shtëpia filmike më e vjetër në vend, "Kosovafilmi" ka krijuar një trashëgimi të pasur e të rëndë- sishme filmike. Pavarësisht sfidave që ka kaluar gjatë ekzistimit të saj, veçanërisht pas luftës, ky institucion vazhdon të ruajë primatin e të parit në vend në gjininë e filmit me një trashëgimi prej dhjetëra prodhimesh, si në gjininë artistike ashtu edhe në dokumentarë dhe ata vizatimorë. Më e rëndësishmja, kësaj trashëgimie nuk i ka munguar prezantimi, e gjithashtu edhe shikueshmëria, duke e bërë atë të gatshme gjithmonë për publikun. Kjo pasuri ruhet në "Kosovafilm", i cili ka një kinotekë të vogël, me kushte deri diku të kënaqshme. Për drejtuesit e këtij institucioni, ky institucion përveç synimeve për arkivimin, ruajtjen dhe digjitalizimin filmave të saj, pret edhe një buxhet për të vazhduar veprimtarinë. Në anën tjetër, për kineastët tanë institucionet duhet ta kenë në vëmendje pasurinë dhe vetë institucionin, pasi, siç janë shprehur ata,ky institucion dhe produkti i tij shënon edhe historikun e kinematografisë në vend. 

BUXHETI I PAMJAFTUESHËM

Gani Mehmetaj, drejtor i "Kosovafilmit", në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se filmat e institucionit që ai drejton ruhen në një hapësirë brenda objektit. "Nuk janë kushtet e mira, por ato mundësi i kemi. Është një hapësirë e vogël e kinotekës, në kuadër të 'Kosovafilmit', ku i ruajmë të gjithë filmat e prodhuar nga "Kosovafilmi": në shiritat 35 mm, por edhe në formë të digjitalizuar. Vitin e kaluar e kemi blerë teknologjinë japoneze për arkivimin e ruajtjen e filmave të digjitalizuar", ka thënë ai, duke shtuar se teknologjia e sjellë ka kapacitet të lakmueshëm, ku mund të ruhen të gjithë filmat që janë prodhuar në Kosovë dhe për Kosovën. Mehmetaj ka shtuar se meqë janë kapacitetet digjitale me pajimet e reja, 'Kosovafilmi" ka filluar t'i ruajë të digjitalizuar edhe filmat e Qendrës Kinematografike të Kosovës. Mehmetaj ka kujtuar se filmat e prodhuar nga "Kosovafilmi" janë shfaqur në ato kinema ku ishin kushtet për shfaqje duke shtuar se kishte shumë interesim, më shumë se sa për të gjithë filmat e huaj. "Të tri qendra kombëtare televizive i kanë shfaqur më shumë se një herë filmat e prodhuar nga "Kosovafilmi". I ka shfaqur edhe Digjitalbi, madje edhe disa televizione të tjera. Prapë ka interesim që t'i shfaqin", ka thënë ai. Sipas tij, "Kosovafilmi" ka prodhuar 35 filma artistikë, dokumentarë e të vizatuar. Ka disa bashkëprodhime me shtëpitë filmike të ish-Jugosllavisë. Më tej, drejtori Mehmetaj ka thënë se "Kosovafilmi" që nga fillim është përballur me mungesën e mjeteve materiale. Buxheti i pamjaftueshëm është problem që e ndjek edhe këto vite. "Nuk e di sa do të jetë buxheti i vitit të ardhshëm, por ne e kemi bërë gati Organogramin, do t'ia paraqesim Ministrisë së Kulturës", ka thënë ai. 

NEGLIZHENTË E TË PAPËRGJEGJSHËM

Kurse duke folur për trashëgiminë filmike të "Kosovafilmit", dhe rëndësinë e saj, regjisori Mahir Musliu, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë këto gjurmë celuloidi, kjo pasuri e krijuar me shumë mund e përkushtim nuk duhet të lejojmë të na humb ose të shkatërrohet për shkak të mosvë- mendjes tonë. Sipas tij, kushte për ruajtjen, promovimin dhe kujdesin ndaj kësaj trashëgimie ekzistojnë. "Kjo më habit pse jemi kaq neglizhentë dhe të papërgjegjshëm në këtë drejtim. Miliona euro deri tani i harxhojnë Ministritë dhe Qeveria në gjëra të kota ndërsa hezitojnë të merren me një gjë shumë të rëndësishme. Fillet e kinematografisë nuk kanë nisur në vitin 1999, dhe përkujdesja dhe ruajtja për ata filma, filma dokumentarë, animacione dhe tërë ajo pasuri shpirtërore dhe materiale e dokumenton faktin se këtu kinematografia ka nisur shumë më herët se ajo datë që e përmenda", ka thënë Musliu, duke shtuar se veprat më të mira filmike janë bërë në ato periudha, edhe përkundër vështirësive teknike e materiale. Regjisori Musliu me tej ka thënë se rrënimi i kësaj pune në të cilën është punuar me dekada të tëra do të thotë humbje e gjurmëve, vlerave të shumë aktorëve, xhiruesve, regjisorëve, producentëve dhe gjithë qenies filmike. "Me ata filma karrierën e kanë nisur shumë doajenë e emra të mëdhenjtë të kinematografisë, fshirja e kësaj kujtese nënkupton vdekje dhe përbuzje vlerave tona", ka pohuar Musliu.

(Kosova Sot)

17 orë e 9 minuta më parë