E vërteta e pathënë rreth AKTORIT KEVIN SPACEY

  • 02 November 2017 - 16:38
E vërteta e pathënë rreth AKTORIT KEVIN SPACEY

Ishte përjashtuar nga shkolla ushtarake

I lindur me emrin Kevin Spacey Fowler në South Orinxh, Nju Xhersi, Spacey dhe familja e tij u zhvendosën në Kaliforni, derisa ai ishte vetëm fëmijë. Spacey ka pranuar se ishte fëmijë trazovaç. Në fakt, ai u dërgua në shkollë ushtarake, pasi që kishte djegë shtëpizën e së motrës në pemë. Ai u përjashtua nga kjo shkollë për shkak të keqtrajtimit të një fëmije tjetër.

Jack Lemmon ia ndryshoi jetën

 Gjatë një interviste, të dhënë në vitin 2014, Spacey tregoi se, për shkak të sjelljes së tij të keqe, një zyrtare e shkollës e kishte këshilluar që ai të merrej me aktivitete të përzgjedhura, ku njëra nga ato aktivitete ishte edhe drama. Gjatë asaj kohe ai mori pjesë në një "workshop" që udhëhiqej nga aktori, fitues i çmimit Oskar, Jack Lemmon. Ky i fundit i kishte thënë Spacey-t se ka lindur që të bëhet aktor. Spacey thotë se ai moment ia kishte ndryshuar jetën.

Arriti sukses të madh në Broduej

 Spacey ia doli që ta ndërtonte një karrierë të suksesshme në Broduej, me rolet e tij në shfaqje të shumta, duke filluar nga shfaqja "Ghosts" (1982), e deri te ajo me titull "Long Day's Journey Into Night" (1986). Kulmi i suksesit të Spacey't arriti në vitin 1991, kur ai mori shpërblimin Tony për aktorin më të mirë dytësor në shfaqjen "Lost in Yonkers".

Mike Nichols i ndihmoi që ta fillonte karrierën në film

Përpos aktorit Lemmon, në karrierën e Spacey't ndikim të madh ka pasur edhe regjisori, tani i ndjerë, Mike Nichols, i cili, pas një audicioni në fillim të viteve të '80- ta, ia ofroi Nicholsit mundësinë që të paraqitej në rolin e parë filmik, në komedinë e vitit 1986, "Heartburn", përkrah emrave të mëdhenj, si Meryl Streep dhe Jack Nicholson.

Skenari i filmit "The Usual Suspects", apostafat për Spacey-n

Pika kthyese në karrierën e Spacey't ndodhi në vitin 1995, gjatë të cilit vit ai luajti në disa hite të suksesshme, duke filluar nga "Se7en" deri te "Outbreak" dhe filmi që do t'ia siguronte Oskarin e parë, nga gjithsej dy, sa ka marrë deri më tani, "The Usual Suspects". Nëse Spacey u tregua tepër i suksesshëm në këtë film, atëherë një pjesë të meritës e kishte edhe fakti që roli, të cilin ai e luajti, ishte shkruar apostafat për të.

 "The Usual Suspects" hapë udhën për suksese tjera

 Pasi që mori çmimin 'Oskar' për rolin në filmin "The Usual Suspects", për Spacey-n u hapën shumë dyer në Hollivud, duke përfshirë edhe mundësinë që ai, përfundimisht, të punonte me regjisorin Curtis Hanson. Në një intervistë, të dhënë në vitin 1999, Spacey kishte thënë se Hanson ishte përpjekur me vite që ta bënte një film me të, por se studiot vazhdimisht e kishin refuzuar një gjë të tillë. Bashkëpunimi i tyre rezultoi me filmin e vitit 1997, "L.A. Confidential", i cili atë vit mori dy çmime 'Oskar'.

Mijëvjeçari i ri, me sfida të reja

Edhe pse kishte dy shpërblime 'Oskar' në fillim të viteve 2000, për disa vite me radhë Spacey pati dështim pas dështimi në karrierë. Në mesin e dështimeve të tij më të mëdha filmike përmendet "Pay It Forward" (2000), por edhe filmi "K-PAX" (2001), pa harruar as dy filmat të cilët pretendonin të fitonin 'Oskar', por që dështuan keq në 'box office', "The Shipping News" (2001) dhe "The Life of David Gale" (2003).

 Iu kthye teatrit

 Pasi që karriera e tij në film filloi të fundosej, Spacey kaloi oqeanin dhe shkoi në Londër, ku u bë drejtor artistik i teatrit "Old Vic". Edhe pse suksesi i tij në këtë post nuk ishte aq i madh, Spacey vazhdoi që të qëndronte aty deri në vjeshtën e vitit 2015.

Gjeti suksesin përsëri në ekran të vogël

Sikur edhe shumë aktorë të tjerë të epokës së tij, Spacey më vonë gjeti sukses më të mirë në ekranin e vogël. Kjo ishte e vërtetë sidomos në vitin 2008, kur u nominua për çmimin 'Emmy', për performancën në dramën politike të HBO-së, "Recount". Këto suksese ishin prelud i dramës së njohur të "Netflix"-it, "House of Cards", e cila i siguroi atij çmimin "Golden Globe" (Globi i artë), si dhe pesë nominime për çmimin "Emmy".

U ballafaqua me thashetheme se ishte gej

 Ai i kishte refuzuar thashethemet rreth orientimit të tij homoseksual deri tash vonë, duke thënë në një intervistë se, këto thashetheme, në fakt, janë duke i ndihmuar atij që të ketë më shumë femra. "Ka shumë femra që besojnë në thashethemet e tilla dhe duan që të jenë mu ato që do të më kthejnë në rrugë të drejtë", thoshte ai. Disa ditë më parë, aktori Anthony Rapp i tronditi të gjithë duke zbuluar se, kur ai kishte vetëm 14 vjet, ishte ngacmuar seksualisht nga Kevin Spacey. Ky i fundit menjëherë doli publikisht dhe i kërkoi falje kolegut, duke e shfrytëzuar këtë rast që të 'çelej' duke pranuar se është homoseksual.

(Kosova Sot)