Odisejada e kthimit në vendlindje - Kulturë - Kosova Sot
Odisejada e kthimit në vendlindje

Odisejada e kthimit në vendlindje

KRITIKË ROMANIT ME TITULL "LIKJA", TË FATIME MEHMETIT

Pasojat e syrgjynosjes për në Anadoll janë të mëdha
SHKRUAN: PREND BUZHALA

Sikundër dihet, më 1835 burgosen kryefamiljarët e krishterë shqiptarë të anëve të malësisë së Karadakut, pse nuk pranuan islamizmin. Më vonë burgosen edhe familjarët tjerë të këtyre anëve, që keqtrajtohen me anë burgosjeve, të urisë, të të ftohtit dhe dhunës e rrahjes me me shkopinj. Burgosen në Selanik. Shumëkush përfundon në Anadoll. Në romanin "Likja" të Fatime Ahmetit shkë- putet një episod i tillë i prekshëm e tragjik. "- Unë jam nga Karadaku. Atje lart mbi Selishtë", rrëfen protagonistja e këtij romani. Më tutje, romani rrëfehet në veten e tretë, përmes një rrëfimtari të gjithëdijshëm: "Kur patën ardhur në Anadoll, Likja me të dy vëllezërit u vendos në një kasolle, kurse motra e saj, Ana, që ishte më e vjetër, e kishte një djalë me të cilin e vendosën në një fshat tjetër. Me motrën, Likën, Ana kurrë më nuk u takua e as me vëllain e madh, Engjëllin... Ajo as vetë nuk e dinte se si ka ardhur në këto shkretëtira të Anadollit të mallkuar, si e quan ajo vazhdimisht këtë vend, të cilit as që dëshiron t'ia përmendë emrin. Aty Likja jetonte me dy vëllezër dhe me motrën e madhe, Anën, e cila kishte edhe një djalë. Në fakt, Ana kishte qenë e martuar, por, para se t'i internonin, asaj i ishte zhdukur bashkëshorti."

1. KTHIMI, NJË HOMAZH PËR TRAGJEDINË E INTERNIMIT NË ANADOLL

Pasojat e syrgjynosjes për në Anadoll, janë të mëdha: vëllezërit ndahen, vëllai i madh, Engjëlli, martohet me një turke, ndërron besim e komb, vëllai i dytë, besnik ndaj motrës, vritet nga kriminelë të Anadollit, mbasi e motra sulmohet dhe përpiqet të rrëmbehet, por e shpë- tojnë gratë shqiptare. Ja si jepet reagimi i tillë i fati tragjik të familjeve shqiptare: "More pis anadollak, nuk kemi ardhur këtu me dëshirë, por na kanë detyruar me dhunë. Bile, gjatë rrugës na i kanë vrarë burrat dhe na i kanë hedhur në det. Vajzat tona nuk mund t'i merrni me dhunë. Bile, sa të jemi ne jo, e kur të vdesim bëni çka t'u vijë në duar." I tillë ishte dhe fati i Likes: ajo tashmë në vendlindje ka vetëm varret e të parëve, kurse nënën e saj, gjatë internimit të dhunshëm, e kanë hedhur në det. Atje jetojnë në një ambient ku sulmohet femra e lirë. Duke jetuar e vetme, me atë pak solidaritet të shqiptarëve të internuar, ajo gjithnjë mendon për kthimin me çdo kusht në vendlindje. Momentet e tilla të lajtmotivit romanor, paraqiten nëpërmes ëndrrës, përshkrimeve të lëndës etnografike të jetesës shqiptare, nëpërmes kujtimeve dhe situatave të rënduara psikologjike. Vëllai, që i kishte dhënë besën se do të ktheheshin së bashku në Atdhe, në vendin e të parëve, vdes. Tashmë zë të thuret një nyje tjetër kompozicionale: Likja vishet si plakë, maskohet, niset në rrugën e kthimit në atdhe, kah sytë këmbët. Odisejada e kthimit ngjet mu ashtu si jeta thur përjetime e ngjarje në kufi me legjendën. Rrugët janë të mundimshme, sfilitëse, me vapë e etje, duke kaluar nëpër krahina të tëra, nëpër fshatra, dete... Udhëton me ditë e javë të tëra. Por kudo has shqiptarë që i dalin në ndihmë, ndër ta dhe asqerë që kërkojnë të kthehen në atdhe. Kapërcejnë dete me anije, arrijnë në Selanik e në Manastir, ku flitej vetëm shqip. Ndalojnë në shtëpinë e një tregtari. Rolin e baladave të Konstandinit, që e kishte marrë e motra, tash e merr një malësor, që e përcjell deri në vendlindje. Peripecitë janë të shumta. Ndalojnë në një bujtinë shqiptarësh, ku autorja ndalon më shumë me përshkrimet e përjetimet e ngjarjeve: në Liken dashurohet Tafa, ndërsa deri në fund, këtë ndjesi e ka edhe vetë Likja... Por rrugët janë rrugë dhe fatet e njerëzve sa bashkohen, aty për aty edhe ndahen... Më në fund arrin në vendlindje, viziton varrin e babës së saj dhe merr vesh, nëpërmes gojës së lakës Bardhë se çka ka ndodh. Me vete kishte marrë dhe një gur të vendlindjes, që e kishte ruajtur si sytë. "Ajo me kujdes e mori gurin nga skaji i pështjellakut dhe e vendosi në krye të livadhit, ku ia kujtoi Bardha se aty diku i kishin pasur shtëpitë. Dhe, pak me mall i tha Bardhës: - Tashti po ndjehem e lehtësuar, sepse e ktheva gurin ne vendlindje. Po, unë e përmbusha porosinë e nënës, të vëllezërve e të motrës." Sipas etnopsikologjisë shqiptare; guri i këtij vendi vetëm këtu peshon rëndë. Amaneti i kthimit realizohet. 

2. BALADË ROMANORE MBI FATIN E FEMRËS SHQIPTARE

Ky roman, sado që thuret mbi veçoritë e prozës tradicionale realiste, megjithatë ka dhe nuancimet e veta stilistike-narrative të shprehjes moderne. Formulimet tekstore, që shfaqen kryesisht përmes dialogut dhe përshkrimeve, shquajnë jo vetëm gjendjet emocionale të personazheve, por edhe situatat narrative të ngjarjeve. Replika e tillë dialoguese, zbërthen shkallë-shkallë ndodhitë e internimit të dhunshëm. Te e fundit, vetë thurja e tematikës së kthimit në vendlindje, përbën një poetikë moderne më vete, duke i pleksur arketipat e tillë motivorë që nga baladat shqiptare, nga antika, nga veprat letrare të traditës e , së fundi, dhe nga prirjet e romanit modern, i cili organizimin kronologjik të ngjarjeve, e përmbys, duke e thurë trajtën e organizimit artistik të romanit. "Likja" paraqet fatin, jetën, plagët e rënda historike shoqërore dhe viktimat njerëzore si qenie fizike e psikike. Me një realizëm të mprehtë shkrimtarja paraqet realitetin jetësor dhe historik, me gjithë problemet jetike të ekzistencës së familjes shqiptare. Kështu, fati i tillë i femrës është përshkruar në mënyrë rrëqethëse, dramatike. Në roman, sado që me një stil shpesh e shpesh telegrafik, paraqiten hapësira të gjera nëpër të cilat përplaset fati i njeriut shqiptar në ato kohë: ato ambiente e hapësira janë Anadolli, detet, qytetet si Selaniku e manastiri, karadake dhe fshatrat e tij, bujtinat, shtëpitë mikpritëse shqiptare. Nga ana tjetër, vepra spikat dhe virtyte shqiptare, sikundër janë solidarësia, mikpritja, besa, dhe, mbi të gjitha, dashuria e pafund për vendlindjen dhe Atdheun. Më shumë se sa një roman me gjerësi epike, kjo vepër na del si një baladë që e këndon fatin tragjik të femrës shqiptare. Vepra t'i kujton fatet e ngjashme heroinat e veprave letrare të poetëve tonë të njohur -Rinën e bukur të De Radës që takohet ndër gërmadha me Milosaon; Marën e Gavril Dares së Ri që në zemër kishte një zjarr të pashuar edhe ndaj atdheut, ndaj Nikut e shumë sosh tjera. Autorja nuk e shpalos këtë takim, gjithnjë me premtimin se ai realizohet si vazhdimësi e jetës në vendlindje. Vetëm sa e sugjeron te njohja e Likes me Tafën, ani se u takojnë religjioneve të ndryshme. Rrëfimtari i gjithëdijshëm i romanit, nuk ndien nevojë të zhytet në zbërthimin e sekreteve metafizike të ekzistencës, porse këtë rol e funksionalizon nëpërmes zbërthimit të fatit dramatik të Likes. Dhimbjet e kësaj personazheve janë dhimbje e vuajtje të jetës, të fatit e fatkeqësisë. Edhe kur gjendet në agoni, gjatë internimet nëpër det (i hidhet e ëma në det, mbetet pa varr), edhe kur sulmohet nga kidnapues turq dhe alivanoset (e shpë- tojnë gra shqiptare), ajo qëndron në kufi të dhimbjes fizike e dhimbjes shpirtërore. Forca e ballafaqimit krijues me fatin tragjik të personazhit të Likes, nuk është gjithaq gjendja e rëndë psikologjike, që shkaktohet në situata të tilla, të ankthshme, në zgrip të ekzistencës; por më shumë është prirja e përshkallëzimit të metaforizimit dramatik të kësaj gjendjeje. 

(Kosova Sot)

3 orë e 12 minuta më parë
19/06/18