Isa Boletinin, Bajram Currin, Hasan Prishtinën, Adem Jasharin etj., nuk i kap shiriti filmik - Kulturë - Kosova Sot
Isa Boletinin, Bajram Currin, Hasan Prishtinėn, Adem Jasharin etj., nuk i kap shiriti filmik

Isa Boletinin, Bajram Currin, Hasan Prishtinėn, Adem Jasharin etj., nuk i kap shiriti filmik

ASNJË FILM DOKUMENTAR SERIOZ PËR FIGURAT EMBLEMATIKE TË KOMBIT

Për çdo fillim viti shqiptarët, konkretisht në Kosovë festojnë përvjetorë të ndryshëm për të kujtuar heronj të tij që bënë shumë për kombin. Sidomos, heronjtë e luftës së fundit. Por, pavarësisht, për ta ende nuk është bërë ndonjë film i mirëfilltë dokumentar për ta, për secilin prej tyre, qoftë për Isa Boletinin, Bajram Curri, Hasan Prishtinën, Adem Jasharin e shumë të tjerë. Për më keq, u mjaftua me disa kronika televizive. Edhe këtë vit, heronjtë janë duke u kujtuar dhe do të kujtohen njëjtë. Me mbledhje e akademi, fjalë miradije dhe tek- tuk kumtesa, që nuk zgjojnë ndonjë interesim. Pa pasur ndonjë dokumentar që do të risillte heronjtë dhe kontributin e tyre, sidomos për të njohur opinionin se cilët ishin ata, pse ata luftuan për shtetin shqiptarë e më vonë për Kosovën.

KOSTOJA BUXHETORE

Regjisori Mahir Musliu, në një prononcim për "Kosova Sot", ka pranuar se nuk ka filma të tillë, por ka thënë se jo prej vullnetit të artistëve, të cilët gjithmonë janë të gatshëm të punojnë filma dokumentarë apo më mirë me thënë portrete dokumentare me këto figura emblematike të kombit në periudha të ndryshme. Tani, ka thënë ai, filmi dokumentar është gjini e filmit që ka karakter artistik sikur edhe filmi artistik. "Po flasim për film dokumentar e jo për reportazhe televizive, të cilat finalizohen për tri ditë e që është bërë traditë t'u thonë filma dokumentarë. Ç'është e vërteta, me këto reportazhe po harxhohen këto tema pa arritur qëllimin e dokumentimit të këtyre figurave. Filmat dokumentarë marrin kohë, bile kohëzgjatja e xhirimit dhe finalizimit të tyre zgjat me vite të tëra, kjo po ashtu ka koston buxhetore, e cila nuk është e vogël", ka pohuar Musliu, sepse, siç ka vazhduar më tej ai, fjala dokumentar është diçka që bazohet e dokumentohet, që bazën e ka në të vërtetat të cilat kanë ekzistuar. Portret-dokumentarët, ka thënë më tej ai, janë disiplina më e këndshme e shiritit filmik, gjithashtu bukuria e të vërtetës në ekran. Me tej, regjisori Muliu ka thënë se ministritë dhe shteti ynë duhet të hapin konkurse dhe të ndajë mjete, ngaqë dokumentimi historik i periudhave të lavdishme të arkivohet në shiritin filmik. "Këto figura janë pasuria shpirtërore e morale e kombit dhe shtetit tonë, qitja në harresë e këtyre figurave është turp për ketë shoqëri", ka thënë ai.

PËR HISTORINË TONË KANË SHKRUAR GJITHMONË TË HUAJT

Ndërsa, kritiku Ilir Muharremi pohon për "Kosova Sot" se arsye që nuk kemi dokumentarë të tillë, është se nuk e dimë saktë historinë tonë dhe për historinë tonë gjithmonë të huajt kanë shkruar. Por, siç ka thënë ai, edhe atëherë kur shkruhet për historinë, ajo del e shtrembëruar, sidomos për luftën e fundit. Që, siç ka potencuar kritiku Muharremi, janë bërë disa dokumentarë të dobët dhe kjo po dëshmon që s'po dimë të bëjmë film. "Duhet regjisor i mirë, skenarist dhe arkiv i fortë, i saktë, pa anime dhe folklor. Ne nuk kemi as shtatore të Adem Jasharit në Prishtinë", ka thënë Muharremi, në një prononcim për "Kosova Sot". Ndërkaq, shkrimtari Ismet Tahiraj ka pohuar për "Kosova Sot", se deri më tani nuk u bë kurrë kurrfarë përpjekje për hulumtimin e jetës, veprimtarisë së Isa Boletinit, Hasan Prishtinës dhe së voni Adem Jasharit, dhe se të gjitha këto materiale do të ishin për një skenar filmi. "Por, kush? Secili producent për vete, dhe pothuaj asgjë për kolosët e atdheut. Sa do të ishte e papaguar të shiheshin filmat për ta, por kjo na çon në degradim fiktiv nënçmues për kombin dhe borxh për gjeneratat e ardhshme", ka pohuar Tahiraj, duke shtuar se ka edhe shumë e shumë emra të tjerë që po bien në harresë

(Kosova Sot)

18 orë e 15 minuta më parë
20/02/18