Ekspozita e Xhafës nuk kishte vetëm lopë, por edhe 'anije refugjatësh'

  • 21 July 2018 - 08:12
Ekspozita e Xhafës nuk kishte vetëm lopë, por edhe 'anije refugjatësh'

SHKRUAN: AVNI RUDAKU


Në shumicën e këtyre reagimeve, nuk pamë analizë, kritikë të artit, të mbështetura në disa nga mjetet e interpretimit kritik, me mjete të edukimit estetik e filozofik, sociologjik, e kështu me radhë. Po ashtu, shumica e reagimeve janë ndalur dhe kanë vënë në fokus të interesimit, vetëm 'veprën me gja t'gjalla' (lexo: lopë), pa u përqendruar edhe në veprat e tjera, instalacionet, videot, e kështu me radhë A rtisti kosovar me famë ndërkombëtare në artin bashkëkohor, Sislej Xhafa, erdhi në Kosovë, duke vënë një kabinë telefoni në një nga mjediset natyrore të vendlindjes - Pejës dhe një ekspozitë të larmishme disajavore, të hapur për publikun e gjerë në Galerinë e Arteve të Kosovës.

Disa nga reagimet ndaj kësaj ekspozite ishin si në vijim, e të cilat ne do t'i parafrazojmë dhe sintetizojmë në një formë më të përmbledhur:
• Çfarë arti bashkëkohor është kur ju e hapni një ahur të lopëve në Galerinë e Arteve të Kosovës?!
• Fyerje për institucionet kulturore kosovare;
• Ofendim për inteligjencën dhe edukimin tonë estetik e intelektual; • Art pa kreativitet; • Art pa koncept të qartë; • Art pa shije;
• Art që e bën të kontestueshëm krejt artin bashkëkohor;
• Art që lëndon të drejtat e kafshëve;
• Art që nuk ka kuptim; art që nuk ka mesazh; art i pakuptueshëm;
• Art i lehtë;
• Art shumë i shtrenjtë pa ndonjë vlerë estetike, kulturore, sociale dhe politike; mjelje e buxhetit të varfër të Kosovës; shpenzim marramendës deri në 40 mijë euro për një art pa kreativitet dhe që vetëm na fyen me emërtimin e njërës nga veprat: "Tetë lopë Kosove" etj.

KUSH REAGUAN? Ndër reaguesit kanë qenë përdoruesit e ndryshëm të rrjeteve sociale si 'Facebook', duke u kapur për të drejtat e kafshëve. Sipas disave nga këta përdorues, të izolosh kafshët në një ahur të ndërtuar si aneks/shtojcë me Galerinë e Arteve të Kosovës, është padrejtësi për kafshët. Por më shumë se këta përdorues anonimë të FB-së, në kuptimin e ndikimit në masë, ishte akademiku Mehmet Kraja, i cili në një artikull kishte reaguar veçanërisht edhe ndaj ekspozitës dhe 'lopëve'. Aty-këtu, ndonjë shkrues dhe artdashës, ka bërë ndonjë artikull rreth ekspozitës, herë duke u marrë me krejt ekspozitën në tërësi, e ca vetëm e kanë kaluar duke e përmendur 'ahurin e lopëve' të artistit Xhafa, duke e cilësuar si të pakuptueshëm, fyes dhe jo të denjë artistikisht.

CILA ËSHTË E META E KËTYRE REAGIMEVE? Në shumicën e këtyre reagimeve, nuk pamë analizë, kritikë të artit, të mbështetura në disa nga mjetet e interpretimit kritik, me mjete të edukimit estetik e filozofik, sociologjik, e kështu me radhë. Po ashtu, shumica e reagimeve janë ndalur dhe kanë vënë në fokus të interesimit, vetëm 'veprën me gja t'gjalla' (lexo: lopë), pa u përqendruar edhe në veprat e tjera, instalacionet, videot, e kështu me radhë, gjë që jep edhe njëfarë dyshimi se kjo me 'ahurin e lopëve', iu ka duk më lehtë të komentohet, qoftë edhe me të dëgjuar, pa e vizituar fare në galeri. Kjo shton dyshimin po ashtu, se ekspozita është kritikuar vetëm me një vepër, e jo si tërësi, pasi që artisti Xhafa ka ekspozuar një sërë veprash në galeri, e jo vetëm një sosh. Prandaj, e meta e këtyre reagimeve është se reaguesit kanë lënë përshtypjen se nuk e kanë vizituar direkt ekspozitën - edhe sikur ta kishin vizituar - si dhe, janë marrë vetëm pjesërisht me ekspozitën. Po ashtu, e meta e këtyre reagimeve vjen nga mungesa e vetë kritikës dhe kritikëve të artit në Kosovë. Shoqëria kosovare është duke vuajtur nga kritika e arteve pamore, sepse si kritikë të letërsisë, megjithatë, kemi më shumë në hapësirën publike, qoftë edhe kur janë të njëanshëm, i bëjnë lajka shoqi-shoqit, shoqe-shoqes, miqve, kolegëve, ish-profesorëve dhe profesorëve etj.. por ka më shumë. Pra, fatkeqësisht, Kosova më mirë i kishte kuadrot para disa vjetësh me kritikë të artit pamor, sesa sot, qoftë edhe kur në vitet e '80-ta, Skënder Boshnjaku, e të tjerë, e interpretonin artin edhe me metodën socrealiste dhe me synime të proklamuara ideologjikemarksiste.

ÇFARË MUND TË THUHET PËR DISA NGA REAGIMET NDAJ EKSPOZITËN SË SISLEJ XHAFËS? E para, artisti kosovar Sislej Xhafa radhitet në mesin e artistëve bashkëkohorë më me ndikim në arenën ndërkombëtare, nga radhët e shqiptarëve me origjinë nga Kosova, bashkë me Petrit Halilajn, apo edhe me Anri Salën nga Shqipëria. Në rast se njëri nga ta performon në Kosovë, edhe në CV-të e tyre shënohet aktiviteti, ekspozita dhe performanca e tij, prandaj është edhe me vlerë njëfarë promovimi i artit bashkëkohor dhe i vendit tonë. Edhe kur nuk e meriton një shpenzim rreth 40 mijë euro në tërësi, bashkë me kuratorin e tij, janë shpenzuar mjete financiare krejt kot për gjëra të tjera, dhe s'kemi pasur reagime të strukturuara. Sa shpenzimi financiar është bërë nga politikanët kosovarë; sa papërgjegjësi ka pasur për milionat e dhënë në paditë e palëve ndaj shtetit dhe komunave të Kosovës; sa para janë dhënë për lobimet e ndryshme me plot dyshime pa transparencë etj., por asnjë reagim nuk ka pasur nga akademikë, intelektualë etj. Pra, të reagosh për një ekspozitë prej rreth 40 mijë eurosh për një artist me prestigj ndërkombëtar, nuk është se nuk bën, por kërkon edhe njëfarë retrospektive të qëndrueshmërisë së reagimeve nëpër kohë dhe ndaj shumicës së fenomeneve edhe më negative. Natyrisht se ekspozita që e kemi parë e Xhafës, do të mund të kushtonte më pak. Mirëpo, përkundër famës ndërkombëtare dhe promovimit të vendit të origjinës, sërish mendoj se 40 mijë euro nuk janë shumë, bazuar edhe në shpenzimet irracionale të politikanëve kosovarë për dy dekada me radhë pas çlirimit. Por nëse bazohemi në buxhetin e varfër për kulturë në Kosovë, sërish kemi të drejtë legjitime se si shpenzohen aq shumë mjete financiare të tatim/taksapaguesve qytetarë. Ka mundur të shpenzohen edhe më pak nga vetë Galeria e Arteve të Kosovës, gjatë negociimit me artistin Xhafa dhe kuratorin e tij. Ka mundur edhe vetë artisti të kërkonte më pak, për shkak të një 'atdhedashurie' - nëse do të flisnim edhe me këso interpretimesh patriotike, e jo të logjikës së tregut, peshës së artit dhe artistit, luksit të vetë artit etj. E dyta, vepra me krijesa të gjalla, sikur ishte ahuri me lopët, rrinte bukur, kur hynit brenda sallës së galerisë, duke u thyer vetëm pak muri i galerisë, për t'i parë lopët në ahur si me dylbi; ose kthimi i blegtorisë për të rinjtë urbanë, e 'kullerë', që kanë parë 'lopën vetëm në çokollata'. Ahuri ishte ndërtuar me dërrasa dhe si shtojcë e galerisë. Duheshit të hynit brenda galerisë, për ta parë ahurin. Estetikisht, qëndronte bukur. Konceptualisht dhe në raport me etikën ndaj kafshëve, edhe këtë mund ta diskutojmë. Lopët nuk ngordhnin urie. Kur e pashë ekspozitën, e pashë dikë që lëvizte në ahur (Bile ishte edhe komike, kur ju shikues në galeri, krijonit komunikim në dritare të vockël, me personin që kujdesej për kafshët!). Brenda 'qëlloi' të ishte një blegtor që kujdesej për ushqimin e lopëve. Pra, nuk ngordhnin urie dhe etjeje. Natyrisht, galeria kishte insekte, që vinin edhe nga prania e bagëtisë, dhe vetë njëra që ishte punonjëse e galerisë, ankohej: "S'osht bre qyteti për lopë!" (qesh!) Ka pasur artistë në botë, të cilët kanë gjetur një qen sa s'ka ngordhur në rrugë dhe e ka vendosur në galeri arti, si vepër ekspozuese, deri sa ka ngordhur dhe ka kundërmuar. Kundërmimi për të, ka qenë lloj arti bashkëkohor! Mirëpo, edhe aty hasim në shumë dilema etike: pse nuk e ka shpëtuar qenin, por ka bërë art me qenin e ngordhur? Pse nuk i ka thirrur veterinarët, por ka qenë 'artist sadist dhe narcist', i cili ka bërë art me krijesa të gjalla dhe ka shkelur të drejtat e kafshëve? Po a nuk ka qenë edhe protestë simbolike ndaj keqtrajtimit të kafshëve, që njëherazi mund ta 'lexojmë' si avokat i të drejtave të kafshëve?! Pra, edhe në botë, ka pasur reagime të tilla ndaj të drejtave të kafshëve, por edhe ky krahasim, nuk qëndron, sepse qeni në ekspozitën e atij artistit bashkëkohor e të huaj, ka ngordhur, ndërsa lopët që ka vendosur Xhafa pranë Galerisë së Arteve, kanë pasur ushqim, ujë e kështu me radhë. E treta, nuk mund të kuptohet arti bashkëkohor pa e kapur esencën e tij dhe dinamikat e tij globale. Edhe sot nuk pajtohen kritikët botërore të artit, se çfarë është arti bashkëkohor. Edhe sot dhe që në fillim, ka pasur reagime të mëdha ndaj artit bashkëkohor. Performancat si e Petrit Halilajt në Skënderaj, për shumë artistë vizualë, mund të hyjnë në një lloj të teatrit, por jo edhe art figurativ. Edhe për video-artet në artin kontemporan, ka pasur artistë vizualë, të cilët kanë thënë se, videot mund t'i bën kushdo. Madje, edhe në shumë vepra të artistëve bashkëkohorë, marrin pjesë edhe të tjerë, të cilët nuk janë fare artistë. Një gjë është e qartë: në artin bashkëkohor, secilit nga vrojtuesit dhe recipientët, u shkon në mendje, se një art të tillë, do ta bënin edhe vetë ata/ato, ndryshe nga arti tradicional, ose ke talent për art, ose s'ke fare. Secili prej nesh, pa asnjë aftësi të artit figurativ, mund ta sjellë ahurin e lopëve në galeri, por secili prej nesh nuk është në gjendje t'i vizaton këto lopë në mënyrë artistike; me perspektivë të qartë, me ligjësitë estetike etj. Mirëpo, në kohën e teknologjisë së avancuar, nuk është më problemi te talenti për art, por është edhe vetë ideja dhe koncepti mbi artin, madje as nuk është qëllim të jetë me karakter pedagogjik. Prandaj, artin bashkëkohor nuk mund ta kuptojmë nëse nuk e kemi një koncept më të gjerë mbi të. Po që se shumica e reaguesve, do të shkonin në galeri, do të lexonin konceptin kuratorial dhe legjendat, mbishkrimet e vënë përballë secilës vepër, atëherë do të mund ta ndërlidhnin konceptin me veprën, dhe do ta pëlqenin më shumë. P.sh., në konceptin e Xhafës, ka qenë tema e migracionit, vështirësitë e zhdukjes së kulturave nga vendet e origjinës dhe sfidat e përzierjes së identitetit lokal e global. Po që se ju filloni me këtë koncept që në hyrje të galerisë, atëherë edhe anijen me këpucë vajzash, djemsh, fëmijësh e të rriturish, do ta ndërlidhnit me mbytjet masive dhe tragjike të refugjatëve të Lindjes së Mesme etj., duke ikur nga luftërat, varfëria e kështu me radhë, në drejtim të Italisë dhe vendeve të tjera evropiane. Ajo anije e bërë nga qindra këpucë, ka kuptim sidomos edhe kur e keni të qartë në fillim të sallës, konceptin e ekspozitës, konceptin e emigracionit. Ndoshta edhe titulli nuk ka qenë aq adekuat, me konceptin e ekspozitës së Xhafës, por megjithatë, kjo të lehtëson pranimin e veprave të artit bashkëkohor.

PËRFUNDIM Kjo temë s'mund të ndalet këtu, por për shkak të natyrës së kolumnes, duhet të mbyllet. Ashtu siç nuk duhet të mbyllet, edhe debati se përnjëmend, çfarë është arti bashkëkohor? Kushdo që thotë se arti nuk është i diskutueshëm dhe pret që reagimet dhe pajtimet të jenë si për disa shkenca natyrore, e ka huqur krejt idenë se çfarë është arti e letërsia, qoftë edhe kur këto të fundit, studiohen edhe shkencërisht, por edhe marrin vetë nga shkenca. E poashtu, duhet theksuar shumë se, ekspozita e Xhafës nuk kishte vetëm lopë, që tek e fundit, ka qenë vetëm një vepër me 'gja t'gjalla', por edhe 'anije këpucësh për tragjedinë e refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe vendet afrikane', duke u mbytur në det dhe disa të tjera…

(Kosova Sot)