Çelet në Milano "Rituali fotografik" i Marubit
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro së bashku me presidentin e Trienales së Milanos, arkitektin e mirënjohur Stefano Boeri, hapën ekspozitën "Rituali fotografik" me fotografi e negativë të Muzeut Kombëtar të Fotografisë Marubi, kuruar nga Zef Paci. Kjo ekspozitë, iniciuar e mbështetur nga Ministria e Kulturës, që shënon një ngjarje të rëndësishme në kuadrin e Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, përshkon 100 vjet nga historia e Shqipërisë, përmes portreteve që kalojnë para kameras së Marubit e më pas të fotografëve të tjerë të cilët fiksojnë momente kyç të jetës njerëzore shqiptare. Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro në këtë aktivitet u shpreh se, "kultura si pasaportë sjell Shqipërinë në qendër të vëmendjes. Bashkë me presidentin e Trienales, Stefano Boeri dhe ambasadoren e Shqipërisë në Itali, Anila Bitri, shënuam një ngjarje të rëndësishme në Vitin e Skënderbeut, pjesë e programit të Ministrisë së Kulturës për vitin 2018". Kumbaro shtoi se, "në margjina të arteve të tjera, fotografia e Marubve, Idromenos, Kodhelit, Shan Picit, Nenshatit e me radhë, ishin pasqyra më fantastike, njëherësh moderne për kohën e vendin por edhe, po aq klasike, e atij kufiri të hollë Lindje-Perëndim".
(Kosova Sot)