Panairi i Librit, në nderim të emrave të mëdhenjë

  • 04 May 2016 - 13:38
Panairi i Librit, në nderim të emrave të mëdhenjë

Prej datës 7 – 12 qershor të këtij viti, në Prishtinë, do të mbahet edicioni i 18-të i Panairit të Librit.

Në edicionin e 18-të të Panairit të Librit, i cili do të mbahet prej 7 – 12 qershor, do të marrin pjesë rreth njëqind shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi. Në këtë panair pritet të prezantohen rreth 1.200 tituj të rinj librash dhe rreth 4.500 tituj të viteve të fundit.

Ashtu si çdo vit, Panairi do të shoqërohet me aktivitete kushtuar personazheve apo periudhave të caktuara në letrat shqipe siç është 450-vjetori i lindjes së Pjetër Budit, 400-vjetori i vdekjes së Shekspirit, 400-vjetori i vdekjes së Servantesit, 150-vjetori i lindjes së Ndre Mjedës, 150-vjetori i lindjes së Andon Zako Çajupit, 100-vjetori i lindjes së Mbretëreshës Gjeraldinë, 100-vjetori i lindjes së Jusuf Vrionit, 100-vjetori i lindjes së Esad Mekulit, 90-vjetori i lindjes së Kasëm Trebeshinës, 80-vjetori i lindjes së Ismail Kadaresë, 80-vjetori i lindjes së Rexhep Qoses apo 80-vjetori i lindjes së Adem Demaçit.

Të gjitha personalitetet do të kujtohen në kuadër të përurimeve, debateve dhe aktiviteteve të tjera përgjatë panairit.

Në ditën e fundit të panairit do të ndahen çmimet speciale për librat më të mirë në prozë, poezi, kritikë, studime letrare, eseistikë, publicistikë, përkthim letrar si dhe do të shpallet “Shkrimtari i vitit” nga letërsia shqipe dhe “Shkrimtari i vitit” nga letërsia e huaj, si dhe “Stenda më e vizituar e panairit”.

(Kosova Sot)