7-vjeçarit me sëmundje të zemrës i duhet shërim jashtë shtetit

  • 22 May 2016 - 08:15
7-vjeçarit me sëmundje të zemrës i duhet shërim jashtë shtetit

SABRI HALITI:"Sëmundja e fëmijës po më varros të gjallë" .

Familja 8-anëtarëshe Haliti, banorë të banesave sociale tek "Fusha e Pajtimit", ankohen për mungesë të gjithçkaje, madje edhe të gjërave elementare. Dje, kur ishim në vizitë të kësaj familjeje, kryefamiljari, por edhe familja janë ankuar se nuk kanë se çka të shtrojnë ushqim për Natë të Madhe. Kurse i zënë në siklet Sabri Haliti, kryefamiljar, thekson se për t'i dalë në ndihmë familjes që në mëngjes ka dalë për të mbledhur hekurishte, ndërsa i shqetësuar thotë se nuk e di se si do të dalë të sigurojë ndonjë cent për mbrëmje. "Që nga mëngjesi kam dalë për të mbledhur hekurishte, në mënyrë që në mbrëmje të siguroj ushqim për familjen, pasi që është Natë e Madhe", është shprehur ndër të tjera ai. Ndërkohë ai ka shpjeguar se një punë të këtillë e bën për çdo ditë dhe hallin e ka edhe me shumë për djalin Edonin 7-vjeçar të sëmurë nga një sëmundje e rëndë e zemrës. "Hekurishtet i bartja me dorë" Ndryshe Sabriu për pak momente është shprehur i gëzuar, pasi që këto ditë dikush atij i kishte siguruar një karrocë dore, të paktën që nëse arrin të sigurojë ndonjë hekurishte ta bartë me atë. "T'ju them të vërtetën, deri tani nuk kam pasur asnjë karrocë dore dhe hekurishtet i bartja me dorë.

Image

Tani këto ditë, një dashamir i imi më ka blerë një karrocë dore dhe mendoj se mbledhjen e hekurishteve e bëj më lehtë". Por, sipas tij, nga kjo punë e mundimshme që ai mundohet të fitojë ndonjë cent, duke iu përballuar edhe erës së rendë të kontejnerëve të qytetit, por edhe nëpër vende të tjera , thekson se nuk arrin nganjëherë të sigurojë as bukën për anëtaret e familjes. "Është punë e vështirë, madje verës kur temperaturat janë të larta. Nuk ka më zor se ta bësh këtë punë, sepse nisesh nga shtëpia pa ditur se do të dalë ndonjë cent, apo jo, dhe mund të kthehesh edhe duarthatë. Por, skamja po të dërgon edhe atje ku kurrë nuk e ke besuar", është shprehur ndër të tjera ai. Pret zgjidhje nga Ministria e Shëndetësisë Sipas Halitit, ky është halli më i vogël për atë. Djali shtatëvjeçarë, Edoni, po ia thyen shpirtin çdo ditë, pasi që nuk po arrin t'i dalë në ndihmë . "Djali Edoni vuan nga një sëmundje e zemrës. Kam aplikuar në Ministri të Shëndetësisë dhe po presim të na bëjnë një zgjidhje. Vetë nuk kam mundësi të siguroj para për ta trajtuar. Vërtet jam në hall. Nuk di nga t'ia mbaj. Andaj ky problem për çdo ditë po ma zë frymën", është shprehur Haliti. Për më shumë, Sabri Haliti ka bërë të ditur se Edoni mund ta këtë fituar këtë sëmundje nga një aksident trafiku, që ai ka pasur para tre vitesh. "Ai ka pasur fatin të përballet me një aksident dhe prej atëherë e kemi kuptuar që ai ka nevojë për trajtimin e një sëmundjeje në zemër", thotë me lot në sy ai. Ndërkohë, thekson se tashmë e ka zgjidhur çështjen e banimit, ngase ka pasur fatin të jetë pjesëtar i banesave sociale, porse varfëria e përditshme dhe sëmundja e djalit po ia shkatërrojnë jetën e shëndetin çdo ditë. "Kam pasur fatin të gëzoj një banesë. 

Por, sëmundja e djalit dhe mungesa e gjerave më elementare për jetë po ma zënë frymën çdo ditë", ka pohuar ai. Shton se anëtaret e familjes durojnë për shumë gjëra të rëndësishme për jetë, duke filluar nga ushqimi detergjenti, e deri tek veshmbathja. "Po çka t'i bësh, jeta qenka e mirë për dikë e keqe për dikë tjetër", u shpreh ai. Por, sido që të jetë, Sabri Haliti thotë se është i ri në moshë dhe sikurse të kishte mundësi të punësohej diku do ta zgjidhte bile problemin e mungesës së shumëçkaje në familjen e tij. Por, një gjë, sipas tij, nuk po arrihetpër faktin se pa pasur lidhje familjare apo partiake askush nuk të ofron ndonjë vend pune. Edon Haliti, shtatëvjeçar nga Prishtina, ka nevojë për ndihmë urgjente. Ai është diagnostikuar me një sëmundje të zemrës, ndërsa shërimi i tij këtu në Kosovë është i pamundur. Mjekët në Qendrën Klinike Universitare i kanë rekomanduar që ai të kërkojë ndihmë mjekësore jashtë vendi, kurse të shtatë anëtaret e kësaj familjeje jetojnë në gjendje të vështirë ekonomike, duke u munduar kështu të mbesin gjallë vetëm me një ndihmë sociale, aq sa u del shteti në mbështetje në vlerë prek 75 eurosh. Derisa ky vogëlush po përballet me një sëmundje të rëndë, familja e tij kanë mungesën edhe të bukës së gojës. Luten të gjithë bamirësit që kanë mundësi t'i dalin në ndihmë që ta thërrasin në numrin e telefonit 045 519 810.