Më shumë në spital sesa në shtëpi

  • 28 May 2016 - 20:18
Më shumë në spital sesa në shtëpi

Milaim Mustafa nga Pleshina e Ferizajt po bën një jetë skëterrë të zezë, sa nga sëmundjet e shumta po aq edhe nga varfëria me të cilën po lufton çdo ditë. Ai tregon se ndodhet në hall të madh mes brengave për t'u kujdesur për tre fëmijët dhe gruan apo për trupin e tij që po ia bluajnë sëmundjet për çdo ditë. "Vërtet i kam kushtet e rënda, unë nuk di dikë që heq më shumë se unë për të jetuar. Ndihma sociale nuk më mjafton asgjë, e për ndihmë tjetër as që bëhet fjalë", fillon të tregojë rropatjet e tij ky banor i Pleshinës së Ferizajt. Ndonëse e kanë lodhur hallet e jetës dhe ka problem me shikimin, ai e mban mend mirë se shpesh i ka rënë të fikët duke pritur nëpër institucione të ndryshme për ndonjë ndihmë për vete dhe familjen e tij. "Kam pasur shumë nevojë për shpi dhe jam interesu, por shpesh edhe jam dorëzu se jam ligësht, më shumë rri nëpër spitale sesa në shpi; veç me infuzione po e mbaj shpirtin" shprehet ai,shkruan gazeta Kosova Sot.

Familja Mustafa deri para pak ditësh ka jetuar në një shtëpi të vjetër mbi 100-vjeçare në fshatin Pleshinë e ulët, e cila për paksa nuk i ka zënë brenda. Madje në një tregim për gazetën "Kosova Sot" para disa muajve bashkëshortja e Milaimit, Mervetja tregonte se dhe gjarpërinjtë kanë pasur vizitorë të shpeshtë në kasolle. "Këtu i kam parë dhe aq jemi friksu e i kam thirr edhe zjarrfikësit, por kot nuk mundem me e gjetë e me mbyt asnjë prej tyre, tash kam frikë mos po dalin prapë", pati thënë Myrvetja, e cila tashmë me tre fëmijë po bën jetën herë në një fshat e herë në tjetri derisa të jetë gati streha e re.

Gurthemeli që ua riktheu shpresat

Për familjen Mustafa nga Pleshina e Ferizajt nuk u gjetën mundësi buxhetore nga Komuna, ndonëse sivjet nga këto fonde po planifikohen të bëhen 30 shtëpi të reja për familjet rastet sociale, mirëpo donatorë nga jashtë dhe aktivistët e shoqatës humanitare "Feniks" nuk i lanë pa shpresë edhe këta shpirtra të vobektë që shtëpinë e re e shohin vetëm në ëndërr. Të gjendur mes dëshirës për ndihmë dhe vështirësive të rrugës për në pjesën e largët kodrinore, aktivistët e shoqatës "Feniks" mezi kanë pritur ngrohjen e motit për t'ia ngrohur edhe zemrën e Milaim Mustafës, të cilit i shihet buzëqeshja vetëm kur i përmendet shtëpia e re. "Unë vetë kurrë s' kam mujt me e ba me gjithë këto sëmundje në trup, por për fëmijët po gëzohem shumë që po u bëhet ky kulm i ri. Me shtëpi të re ishalla na hiqet edhe skamja, se jam lodh e jam dërmu edhe vetë edhe familja, të cilët tash i kam nëpër miq se ma s'patëm mundësi me nejt këtu", thotë Milaim Mustafa, i cili nuk po beson ende se pas pak ditëve do të ketë një shtëpi të pastër e të ngrohtë, sikurse të gjithë fqinjët e tij.

Ndihma e bashkatdhetarëve

Për strehën e re të familjes Mustafa u mobilizuan edhe bashkatdhetarë nga diaspora, të cilët, pasi kanë parë gjendjen e kësaj familjeje, vendosën që t'ia japin një shumë prej 9 mijë eurosh për ta bërë me shtëpi familjen e Milaim Mustafës. "Driton Zhegrovci, Gani Qufaj dhe Mehdi Gashi me banim në Angli e kanë dhënë një pjesë të të hollave, ndërsa pjesën tjetër prej 9 mijë eurosh do ta mbledhim ne bashkë me këtë popull solidar, i cili na është gjendur gjithmonë. Iniciativa gati gjithmonë është e vështirë në fillim, por e gjejmë forcën bashkë dhe e bëjmë shtëpinë si në këtë rast, pastaj nuk ka ndjejnë më të mirë se kur sheh gëzim në këto fytyra që rrallë përjetojnë atë ndjejnë", thotë Milaim Jashari udhëheqës i shoqatës "Feniks". Shtëpia në Pleshinë është shtëpia e pestë për vitin 2016 që po ndërton shoqata "Feniks", ndërsa vitin e kaluar, falë aksionit të tyre solidar, 13 familje u bënë me kulm mbi kokë.

(Kosova Sot)