Liderët e rajonit në Sarajevë për zgjidhje të përbashkëta

  • 29 May 2016 - 12:23
Liderët e rajonit në Sarajevë për zgjidhje të përbashkëta

Nën organizimin e Presidencës së Bosnjë Hercegovinës, takimi i Presidentëve në kuadër të procesit të Bërdo-Brioni, në Sarajevë, do të hap një numër çështjesh të zhvillimit të bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit dhe adresimit të sfidave e çështjeve të hapura ndërmjet tyre.

Në Samit po marrin pjesë presidentët e Kroacisë, Sllovenisë, Malit të Zi, Shqipërisë, Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë si dhe mikpritësit Bosnjë e Hercegovinës. Nisma e Bërdo Brionit ishte ide kroato-sllovene dhe ajo synon që ta përafrojë rajonin e Ballkanit Perëndimor me BE-në.

Pjesëmarrësit e procesit Bërdo Brioni, fillimisht të shtunën kanë adresuar çështjet e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë në kuadër të Samitit 100, që mbledhë afaristët nga i gjithë rajoni i Ballkanit dhe të cilët kanë shtruar kërkesat për heqjen “e barrierave politike” në kuadër të fuqizimit ekonomik.

Borut Pahor, presidenti i Sllovenisë, ka thënë se hapi më i rëndësishëm i vendeve të rajonit është integrimi euro-atlantik por tërhoqi vërejtjen se procesi i anëtarësimit në BE dhe në NATO, mund të ngadalësohet që sipas tij do të jetë e rëndë.

“Duhet që të mbahet procesi i zgjerimit të BE-së përkundër krizës institucionale në vetë BE-në. Procesi Bërdo Brioni prandaj është i rëndësishëm, për shkak të çdo bashkëpunimi, që të mos rrënohet paqja dhe siguria në rajon, dhe çdo bashkëpunim është i rëndësishëm dhe duhet të bëhet çdo gjë që ekonomia të zhvillohet”, tha Pahor.

Kryesuesi i Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Bakir Izetbegoviq, ka theksuar se çështja e mirëbesimit të ndërsjellë është më e rëndësishmja por ajo, sipas tij, nuk po ecën me “shpejtësinë e duhur”. Ai tha se ende ekzistojnë probleme me dallimet ndërmjet vete dhe me të kaluarën në gjithë rajonin.

“Nuk është guxim ajo që liderët e Ballkanit bëjnë, të cilët mbyllen në botën e tyre virtuale dhe nuk pranojnë gabimet e tyre. Kjo nuk është rruga. Dhe të pranojmë dhe të ecim përpara”, tha Izetbegoviq.

Përparimi pas krizës së viteve të 90 megjithatë është arritur, tha Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe sipas tij ka ardhur deri tek një pikë kur kanë filluar bisedat për zhvillimin e rajonit në fushën e ekonomisë.

“Ka shumë standarde dhe kritere të reja që janë të pakuptueshme dhe të pazbatueshme në rajon nëse nuk përmirësohet situata. Të gjithë e ndjejnë krizën në rajon, të gjitha vendet, të gjithë ne jemi vende shumëkombëshe dhe të gjithë i ndjejmë pasojat e asaj që po ndodh. Por më e rëndësishmja është që kemi filluar të bisedojmë”, tha Thaçi.

Për Presidentin e Serbisë, Tomisllav Nikolliq, mbijetesa e BE-së është jetike për gjithë rajonin, por vlerësoi se hyrja e Serbisë në BE nuk do të thotë asgjë pa anëtarësimin e vendeve të tjera të Ballkanit. Sfida më e madhe për Serbinë, tha Nikolliq, është kapitulli 35 (normalizimi i plotë me Kosovën) por edhe çështjet e tjera.

“Të gjitha do t’i përmbushim, përveç një kushti të cilin nuk mund të na e hapin dhe dyshoj se do të na e hapin ndonjëherë”, tha Nikolliq duke “kritikuar” presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviq, që po përmbyllë marrëveshje të kufirit me Kosovën. Por ai tha se e respekton vendimin e Malit të Zi, megjithëse u bëri thirrje vendeve që këtë rrugë drejt BE-së të mos e bëjnë më të vështirë për ato vende që më ngadalë përparojnë.

Çështjes së mirëbesimit iu kthye presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani.

“Me rëndësi është ndërtimi i mirëbesimit dhe për këtë nuk është i mjaftueshëm vetëm vullneti. Duhet të ndërtojmë mekanizma. Në rajon tani mund të shohim një situatë më të mirë politike. Ky tani është rajon i së ardhmes, të gjitha vendet janë të përqendruara në integrimet evropiane. Tani duhet të përqendrohemi në korridorin Adriatik-Jon”, tha Nishani.

Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov tha se shembulli më “i keq” është ai i marrëdhënieve mes BE-së dhe Maqedonisë dhe rrugës së bllokuar të kësaj të fundit, shkruan rel.

Në takimin e presidentëve të rajonit në kuadër të procesit Bërdo Brioni, do të marrë pjesë edhe mysafiri i veçantë, presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, i cili gjatë ditës së shtunës ka takuar anëtarët e Presidencës së Bosnjë Hercegovinës.  

(Kosova Sot)