Merr peng të fejuarën që e la, 3 vjet burrg për 24-vjeçarin

  • 26 June 2016 - 12:57
Merr peng të fejuarën që e la, 3 vjet burrg për 24-vjeçarin

Prishja e fejesës nuk është pritur aspak mirë nga një 24­ vjeçar në Tiranë. Për muaj me radhë ai ka mbajtur nën presion ish­-partneren, studente në Institutin Bujqësor, duke i dërguar SMS kërcënuese dhe bërë telefonata ku i thoshte se do ta vriste.

Veprimet e të riut Edison H. kanë kulmuar kur ai ka marrë ish­të fejuarën nga auditorët e shkollës dhe, duke e mbajtur nën kërcënimin e një thike, e ka çuar atë, kundër dëshirës së saj, në një fshat të Tiranës e më pas në banesën e tij në periferi të kryeqytetit. Pak ditë më parë, i pandehuri Edison H. u deklarua i fajshëm nga Gjykata e Tiranës për akuzën e “përndjekjes” dhe “heqjes së paligjshme të lirisë”. Ai u dënua me 2 vjet e 6 muaj burg, nga e cila përfitoi uljen e një të tretës prej gjykimit të shkurtuar. Referuar vendimit, i pandehuri ishte kallëzuar nga ish­e fejuara e tij për episodin e 9 nëntorit 2015. Referuar kallëzimit të studentes, i pandehuri Edison H. ka shkuar në klasën e saj dhe duke bërtitur, i ka thënë të dilte jashtë.

“Ajo është çuar nga klasa për të mos krijuar skandal në ambientin e Universitetit dhe kur ka dalë jashtë, ka nxjerrë telefonin për të lajmëruar policinë, por i pandehuri ia ka rrëmbyer telefonin nga dora duke e tërhequr nga flokët dhe duke e shtyrë nga shkallët. Kur kanë qenë jashtë, ai e ka tërhequr nga krahët duke i thënë të ecte se ndryshe do të nxirrte thikën dhe do ta vriste”, citonte gjykata. Nën kërcënim, i pandehuri e ka çuar ish­të fejuarën në një fshat të Tiranës.

Pas mbërritjes së një SMS-­je në telefonin e tij nga shefi i Krimeve të Komisariatit të Policisë nr.4, i pandehuri është kthyer në Tiranë, duke i thënë ish­të fejuarës të mos e kallëzonte. Ata kanë kontaktuar dhe me prindërit respektivë, të cilëve u kanë thënë se do kthehen. Përmes një taksie kanë mbërritur në banesën e të pandehurit, ku kallëzuesja është gjendur në një tjetër moment presioni në banesë. Kur kallëzuesja ka tentuar të dalë nga shtëpia e të pandehurit, pasi jashtë saj e priste i ati, Edisoni ka mbyllur derën me çelës dhe ka marrë një thikë, duke i thënë asaj që vetëm e vdekur do të dilte nga shtëpia e tij. Pas këtij momenti, ajo ka shkuar në polici ku ka kallëzuar ngjarjen, duke theksuar se është marrë nga i pandehuri jashtë dëshirës së saj dhe nën kërcënimin e tij.

(Kosova Sot)