Lajm i keq për keqpërdoruesit e parasë publike: Prokuroria e Shtetit po monitoron gjetjet e Auditorit

  • 28 June 2016 - 19:22
Lajm i keq për keqpërdoruesit e parasë publike: Prokuroria e Shtetit po monitoron gjetjet e Auditorit

Në raportin e fundit nga Auditori i Përgjithshëm janë gjetur një mori shkeljesh në institucione të Kosovës, ku janë keqpërdorë parat e taksapaguesve.

Nëpër shumë komuna, institucione të pavarura, agjenci shtetërore, madje edhe në Akademi të Shkencave dhe Arteve, Auditori ka gjetur shkelje dhe keqpërdorim të parasë publike.

Prokuroria e Shtetit përmes një përgjigje me shkrim për Indeksonline ka thënë se për të gjitha shkeljet që ka gjetur Auditori do të informohet kryeprokurori.

Zëdhënësja e Prokurorisë së Shtetit, Liridonë Kozmaqi, ka thënë se Prokurori i Shtetit nuk merret me shkelje të procedurave administrative, por vetëm me veprime, të cilat janë të inkriminuara si vepra penale dhe për të cilat është paraparë sanksioni penal.

“Prokurori i Shtetit pret nga Auditori i Përgjithshëm që ashtu siç është i detyruar, për të gjitha rastet që gjatë procesit të auditimit ka gjetur shkelje të Kodit Penal të Republikës së Kosovës apo elemente të kryerjes së ndonjë vepre penale, ta informoj Prokurorin e Shtetit”, ka thënë Kozmaqi për Indeksonline.

Ajo ka shtuar se Prokuroria të gjitha informatat e pranuara do t’i shqyrtoj duke vepruar në kuadër të kompetencave që ka.

(Kosova Sot)