Piramidës së pushtetit i leverdis informaliteti për zhvatje

  • 30 June 2016 - 08:07
Piramidës së pushtetit i leverdis informaliteti për zhvatje

KASTRATI: Vetëm një Qeveri e paorganizuar lejon informalitetin në këtë shkallë. 

"Moskompletimi i stafit po bëhet qëllimshëm nga pushtetarët aktualë për qëllime të zhvatjes së buxhetit, ndaj edhe nuk duhet që të çuditemi se përse Qeveria 'Mustafa' nuk e pati kurrë prioritet luftën kundër informalitetit dhe kontrabandës", shprehet deputeti Bali Muharremaj.

P o të ishte për premtime dhe jo realizime, atëherë Qeveria e 'Isa Mustafës' do të zinte vendin e parë. Me një premtim të madh për luftimin e informalitetit dhe kontrabandës e kishte marrë timonin në drejtimin e Qeverisë Isa Mustafa gati dy vjet më parë, por realiteti që kemi sot është krejt ndryshe nga premtimi megaloman. Mosrealizimi i këtyre premtimeve po i shkakton buxhetit të Kosovës humbje të madhe në shumën e 2 miliardë eurove në vit. Ekspertët e ekonomisë, deputetë të opozitës, përfaqësuesit e bizneseve dhe odave ekonomike, kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që urgjentisht të dyfishojnë numrin e pjesëtarëve të inspektorëve tatimorë dhe doganorë, në mënyrë që vendi ynë të ndalë shkallën e lartë të informalitetit dhe kontrabandës që buxhetit të shtetit po i kushton me miliarda euro humbje. Sipas tyre, me vetëm 350 inspektorë tatimorë ATK-ja dhe aq pak doganierë nuk mund që të kontrollohen mbi 60 mijë biznese. Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Bali Muharremaj, (AAK), thotë për "Kosova Sot" se me këtë numër aq të vogël të inspektorëve të ATK-së dhe të Doganave të Kosovës nuk luftohen informaliteti dhe kontrabanda. "Moskompletimi i stafit po bëhet qëllimshëm nga pushtetarët aktualë për qëllime të zhvatjes së buxhetit, ndaj edhe nuk duhet që të çuditemi se përse Qeveria 'Mustafa' nuk e pati kurrë prioritet luftën kundër informalitetit dhe kontrabandës", shprehet ai. 

Muharremaj: Pushtetarëve u intereson anarkia Deputeti Muharremaj thotë për gazetën se nuk mbushet buxheti i shtetit, duke toleruar tej mase informalitetin dhe kontrabandën. "Me shumë gjasë janë pikërisht njerëzit e pushtetit nga piramida më e lartë që po qëndrojnë në krye të këtij informaliteti, që është shumë mirë i organizuar ngase "bosave" të informalitetit dhe kontrabandës nuk po ka kush që t'ua prishë tymin e duhanit", shprehet ai. Sipas Muharremajt, po të dëshironte Qeveria 'Mustafa' që të bënte një luftë të mirëfilltë e të vërtetë kundër informalitetit në Kosovë, apriori edhe do të ndryshonte për të mirë jeta e qytetarëve tanë. "Me këtë heshtje të Qeverisë po duket qartë se qëllimisht nuk po luftohet informaliteti dhe kjo Qeveri nuk ka interes që ta rrisë buxhetin që mund të shkonte mbi 2 miliardë euro në vit", shprehet ai. Për Muharremajn, heshtja e kësaj Qeverie në luftën kundër informalitetit dhe kontrabandës lë vend për dyshime të mëdha se kjo po bëhet qëllimisht nga pushtetarët aktualë, sepse po duket se atyre u intereson marrja e hises nga anarkia. Eksperti i ekonomisë, Visar Hapçiu, menaxher i politikave dhe marrëdhënieve me Qeverinë nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, është shprehur se një numër i tillë i inspektorëve pamundëson luftimin e ekonomisë joformale dhe kontrabandës në mënyrë efikase. "Tani me hyrjen e MSA-së në fuqi, besojmë se rritja e kapaciteteve për mbledhjen e të hyrave në brendi të vendit është edhe më e domosdoshme", shprehet ai, taksa shton se duhet shfrytëzuar rastin, që me procesin e bashkimit të dy institucioneve kryesore për mbledhjen e të hyrave në vend, të krijohet një sistem më i mirë dhe efikas për mbledhjen e tatimeve, gjë që do të krijonte kushtet për konkurrencë të drejtë mes bizneseve.(Më gjersisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës Kosova Sot)

(Kosova Sot)