Përfituesit e granteve, të dëshpëruar

  • 30 June 2016 - 13:29
Përfituesit e granteve, të dëshpëruar

Anulohet vendimi për ndarjen e granteve për ndërmarrjet e vogla e të mesme

Numri i madh i ankesave nxiti kthimin e procesit në “pikën zero”

Atëherë kur pritej që përfituesve të granteve komunale të fillojnë t’u alokohen mjetet e ndara, ata u befasuan me vendimin e Komunës së Gjakovës për riaplikim

Në situatën aktuale, kur Kosovës i mungon një bankë shtetërore, që do të ndihmonte bizneset në zhvillim, e kur kamatat e kredive të bankave komerciale nuk janë aspak të favorshme për zhvillimin e bizneseve, afaristët gjakovarë e kishin mirëpritur veprimin e vitit të kaluar të Komunës për ndarjen e subvencioneve (granteve) për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme. Kjo ishte e kuptueshme, pasi, siç pohonin dhe vetë zyrtarët komunalë, Gjakova ishte e vetmja komunë kosovare që vepronte në këtë mënyrë. Kështu, vitin e kaluar, Komuna e Gjakovës për këtë qëllim pati ndarë 60 mijë euro, vlerë kjo mbase e pamjaftueshme karshi nevojave të mëdha të afaristëve të këtushëm, por gjithsesi e mirëseardhur, gjë që e kishin pohuar edhe vetë përfituesit e këtij granti, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Kërkohet aplikim i ri

Nisur nga përvoja e mirë e vitit të kaluar, kur interesimi i afaristëve për të përfituar këto grante ishte i madh dhe nga vlerësimi pozitiv i atyre që ishin në mesin e përfituesve, Komuna e Gjakovës sivjet shkoi edhe një hap më tej. Vlerën prej 60 mijë eurove, që u nda vitin e kaluar, e rriti për 10 mijë euro, duke e bërë 70 mijë, ndërsa në bashkëpunim me fondacionin gjerman ‘Help’ është paraparë të ndahen edhe 80 mijë euro të tjera (80% ‘Help’-i e 20% Komuna). Për vlerën e parë të granteve, qysh në prill, ishte shpallur konkursi ku ishin paraqitur një numër i madh i të interesuarave. Komisioni vlerësues e kishte kryer punën e vet dhe ishin përcaktuar përfituesit, shumë prej të cilëve, edhe pse jo publikisht, ishin njoftuar se janë në mesin e përfituesve. Dhe, kur pritej të fillojë alokomi i mjeteve për përfituesit e këtyre granteve, Komuna mori një vendim që i befasoi të gjithë. “Drejtoria për Zhvillim Ekonomik (DZHE), me miratimin e kryetares së komunës, për shkak të numrit të konsiderueshëm të ankesave të parashtruara nga bizneset që kanë aplikuar, ka marrë vendim që të anulojë tërë procesin e thirrjes për aplikim për grante, të shpallur më 5 prill të këtij viti”, thuhet mes tjerash në një njoftim të lëshuar nga DZHE-ja. Në shpjegim të këtij vendimi thuhet se ky hap është ndërmarrë për shkak se ankesat kanë qenë pasojë e disa paqartësive rreth zbatimit të kritereve, të cilat janë kërkuar nga bizneset gjatë aplikimit për grante.

Komisioni vlerësues, me përbërje plotësisht të re

Kështu, tërë procesi për ndarjen e granteve në komunën e Gjakovës është kthyer në “pikën zero”! Është thënë se ftesa për riaplikim nga ana e bizneseve është e hapur dhe ato mund të konkurrojnë duke filluar që nga e premtja, 1 korrik, e deri më 15 korrik. Ata që ishin njoftuar se kanë qenë në mesin e përfituesve të granteve tash ndihen të dëshpëruar, por ngurrojnë për këtë të flasin publikisht, nga frika se mund të ketë hakmarrje me rastin e riaplikimit. Megjithatë, në kushte anonimiteti, afaristi që kishte përfituar 4.000 euro, thotë se vendimi më i ri i Komunës i ka sjell shumë telashe.“Kur mora informatën se jam në mesin e përfituesve, menjëherë kam kontaktuar me një prodhues të makinave në Bullgari që të siguroj ato makina që mua më duhen. Arritëm marrëveshjen dhe ai vetëm priste ditën që unë t’i them që të më nis ato makina. Tash jam i detyruar që të stopoj këtë marrëveshje dhe frikohem se herën tjetër ai mund të më vë kushte të reja”, ka thënë afaristi gjakovar. Zyrtarët e DZHE-së, lidhur me arsyet e vërteta të këtij vendimi, thonë se nuk kanë çka t’i shtojnë njoftimit zyrtar. Megjithatë, gazeta, nga burimet e veta, ka marrë vesh se kryetarja e komunës, Kusari-Lila, nuk ka qenë e kënaqur me punën e komisionit vlerësues, bile, siç thonë këto burime, ajo ka vendosur që të emërojë një komision tjetër me përbërje krejtësisht të re? Se në këto pohime ka të vërteta mbase e dëshmon edhe konstatimi që është thënë në njoftimin zyrtar të DZHE-së: “DZHE-ja shpreh keqardhje ndaj bizneseve të përzgjedhura në thirrjen e kaluar, mirëpo njëherësh i sigurojmë të gjithë aplikuesit se me qartësimin e kritereve për aplikim do t’u jepet shans i barabartë të gjitha bizneseve konkurruese në këtë proces”, thuhet në këtë njoftim, që le hapësirë të komentohet se në aplikimin e parë jo të gjitha bizneset kanë pasur shans të barabartë?!

(Kosova Sot)