“Aksidenti që më mori nënën, motrën dhe mbesën”

  • 30 June 2016 - 16:06
“Aksidenti që më mori nënën, motrën dhe mbesën”

Pak ditë më parë, femrat e tre brezave të një familjeje humbën jetën në një aksident rrugor në Kanada. Tri viktimat shqiptare ishin Xhemile Vokshi, 55 vjeçe; Valbona Kuçi, 35 vjeçe; dhe Isabela Kuçi, 5 vjeçe.

Ngjarja ndodhi në një autostradë të Ontarios, ku u përfshinë  në aksident 11 makina.

Blerta Vokshi, e cila ka qenë edhe vetë e pranishme, humbi nënën, motrën dhe mbesën në aksident, ka folur për mediat kanadeze përmes avokatit të saj.

Ajo duhej të dëshmonte rreth aksidentit të mërkurën, por avokatët e familjes thanë se “nuk ndihej psikologjikisht e përgatitur për të folur rreth ngjarjes”.

Blerta është shprehur se e ëma ishte një model për t’u ndjekur. “Ajo e donte Kanadanë më shumë se kushdo tjetër dhe kishte aplikuar për nënshtetësinë kanadeze”, ka thënë ajo.

“Ime motër, Valbona, ishte një njeri i dashur. Ajo dërgonte para te familjarët tanë në Shqipëri. Ndërsa mbesa ime ishte fëmija që solli dritë në jetët tona”, ka thënë ajo.

Avokatët e familjes thonë se po presin përfundimin e hetimeve të policisë së Ontarios, për të nisur më pas procedurat ligjore.

Shkaqet e ngjarjes mbeten ende të paqarta, por sipas hetimeve të deritanishme, aksidenti mund të ketë ardhur si pasojë e gabimit të një prej shoferëve.

(Kosova Sot)