Spahiu: Qeveria e Kosovës për çdo mandat do të shtonte numrin e ministrave

  • 25 July 2016 - 13:41
Spahiu: Qeveria e Kosovës për çdo mandat do të shtonte numrin e ministrave

Analisti Nexhmedin Spahiu është më se i sigurt që këto ndryshime dhe reduktime do të ndodhin ditët në vijim, sepse politika kosovarë ka dëshmuar vazhdimisht që kur nuk ka vullnet të vetin për të vepruar pozitivisht, atë e bën nën pasionin ndërkombëtar, e posaçërisht kur kërkesat vijnë nga miqtë amerikanë.

Sipas Spahiut, Qeveria e Kosovës nuk do të duhej të kishte më shumë se 6 ministri, e së bashku me pozitën e kryeministrit të bëheshin krejt 7 resorë ministrorë të ekzekutivit të Kosovës.

"Sikur mos të ishte ndërhyrja amerikane, Qeveria e Kosovës për çdo mandat do të shtonte numrin e ministrave dhe zëvendësministrave. Vetë numri i madh i anëtarëve të Qeverisë paraqet vepër korruptive të kryeministrit. Numri i anëtarëve të Qeverisë së Kosovës do të duhej të kufizohej me Kushtetutë, derisa të rritet vetëdija patriotike në Kosovë. Pozita e zëvendësministrit duhet të hiqet krejtësisht nga organogrami i Qeverisë, sepse është e kotë dhe e panevojshme. Në mungesë të ministrit, ai mund të autorizojë ndonjë këshilltar apo sekretarin permanent. Numri i këshilltarëve për ministra duhet të reduktohet në maksimum 3 këshilltarë për një ministër dhe 5 për kryeministrin.

Zëvendëskryeministra duhen të jenë dy nga ministrat, por jo zëvendëskryeministër koti, pa udhëhequr asnjë ministri. Numri i ministrave duhet të jetë 6 në mënyrë që kryeministri të jetë i 7-ti. Propozimi i Spahiut, Qeveri me 30 anëtarë Spahiu flet me detaje se si do të duhej dukur një Qeveri racionale e Kosovës, me fuzionimin funksional të shumicës së dikastereve ministrore, që mbulojnë fusha të ngjashme. Sipas Spahiut, e gjithë Qeveria do të duhet të përbëhet nga 30 veta: kryeministri, 6 ministra, 5 këshilltarë të kryeministrit dhe 18 këshilltarë të 6 ministrave.

Profesor Spahiu jep këtë propozimin për skemë të re të përbërjes së Qeverisë së Kosovës me reduktimin e madh, që duhet të ndodhë nga përbërja aktuale: "1. Ministria e Jashtme: Në këtë do të integroheshin 4 ministri aktuale: E Jashtme, e Integrimeve, e Dialogut dhe e Diasporës. 2. Ministria e Brendshme dhe e Sigurisë: Në këtë ministri do të integroheshin 2 ministri aktuale: E Brendshmja dhe e FSK-së, 3. Ministria e Drejtësisë: Në këtë ministri do të integroheshin 4 ministri aktuale: e Drejtësisë, e Administratës, e Administrimit të Pushtetit Lokal, e Komuniteteve dhe Kthimit. 4. Ministria e Arsimit dhe Kulturës: Në këtë ministri do të integroheshin 2 ministri aktuale: E Arsimit e Shkencës dhe Teknologjisë si dhe ajo e Kulturës, Rinise e Sporteve. 5. Ministria e Ekonomisë dhe Financave: Në këtë do të integroheshin 5 ministri aktuale: Financat, Infrastruktura, Bujqësia, Tregtia e Industria dhe Puna e Mirëqenia Sociale. 6. Ministria e Shëndetësisë dhe Ambientit: Në këtë do të integroheshin 2 ministrit aktuale: e Shëndetësisë, si dhe e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor", është propozimi i prof. Nexhmedin Spahiut.

(Kosova Sot)