Nishani rithekson se Shqipëria mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë

  • 28 September 2016 - 12:30
Nishani rithekson se Shqipëria mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë

Shqipëria ka mbështetur fort dialogun mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE dhe mbështetur në mënyrë thelbësore nga SHBA. Pavarësia e Kosovës sot është një realitet i pakthyeshëm dhe ka demonstruar se ka qenë vendimi më i drejtë për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit. Kosova sot njihet nga më shumë se gjysma e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara (109 nga 193 vende gjithsej) dhe jam i sigurt se procesi i njohjes do të vijojë më tej.

Kështu ka deklaruar presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, i cili në vijim të vizitës zyrtare në SHBA u prit nga Këshilli i Çikagos për Çështjet Globale, njëri prej think-tankeve me reputacion të jashtëzakonshëm ndërkombëtar.

Kreu i Shtetit shqiptar zhvilloi një takim me Presidentin e Këshillit, Ambasadorin Ivo Daadler ish-përfaqësuesi i SHBA-së në NATO dhe më pas iu drejtua anëtarëve dhe të pranishme me një fjalë tematika kryesore e së cilës ishte: Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor: Një e ardhme evropiane?

Në fjalën e tij Presidenti u ndal në tre projektet madhore për Shqipërinë, integrimi euroatlantik, bashkëpunimi rajonal dhe kontributi i saj në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Falë reformave, por dhe përkushtimit ndaj vlerave euroatlantike, Shqipëria në vitin 2009 u bë anëtare e NATO-s dhe që nga ai moment ka qenë dhe mbetet një partner aktiv i Aleancës, duke kontribuar me të gjitha kapacitetet dhe mundësitë e saj.

Projekti tjetër madhor i vendit mbetet integrimi në BE, për të cilin të gjitha institucionet shqiptare janë tërësisht të angazhuara në përmbushjen e reformave të brendshme, që do t’i mundësojnë arritjen e standardeve dhe përmbushjen e kritereve të nevojshme të anëtarësimit.

Ky proces në Shqipëri, tha Nishani, gëzon mbështetjen e mbi 90% të popullsisë, duke e vënë klasën politike para detyrimit moral dhe institucional për të respektuar këtë vullnet popullor dhe vijuar me rrugën e reformave.

Sa i takon angazhimit në kuadër të bashkëpunimit rajonal, politika e jashtme e Shqipërisë, tha Nishani, është maksimalisht e orientuar në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit dhe integrimin e tij të plotë në proceset euroatlantike.

Sa i takon sfidës globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, kryesisht me baza fetare, presidenti Nishani nënvizoi angazhimin e lartë të Shqipërisë në këtë drejtim, si pjesë e koalicionit ndërkombëtar kundër ISIL/Daesh, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

(Kosova Sot)