Në seancë gjyqësore ndaj Naser Kelmendit, dëshmoi politikani boshnjak Fahrudin Radonçiq

  • 27 October 2016 - 17:28
Në seancë gjyqësore ndaj Naser Kelmendit, dëshmoi politikani boshnjak Fahrudin Radonçiq

Në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, sot u mbajt seancë gjyqësore ndaj Naser Kelmendit, i cili akuzohet për krim të organizuar, trafikim të drogës dhe të armëve. Ai gjithashtu akuzohet për përfshirje në vrasjen e Ramiz Delaliqit në vitin 2007, një shtetas boshnjak, i cili thuhet se ka qenë në konflikt me Kelmendin.

Në seancën e sotme si dëshmitarë u paraqit Fahrudin Radonçiq, kryetari i Partisë Politike Aleanca për një Ardhmëri më të Mirë (SBB) në Bosnje dhe Hercegovinë, njëherit deputeti i Parlamentit të Bosnjës.

Dëshmia e Radonçiçit filloi me pyetjet e prokurorit special Andrew Hughes, rreth rolit të Radonçiq në luftën e fundit në Bosnje, dhe në lidhje me marrëdhëniet e tij me Haris Silajxhiq, në periudhën kur ai ishte kryeministër i Bosnjës dhe me presidentin e atëhershëm Alija Izetbegoviç.

Prokurori gjithashtu pyeti për marrëdhëniet e tij me të tjerë persona.

Radonçiq bëri të ditur se ka qenë në shtab të komandës së lartë dhe se ka qenë në kabinetin e Haliloviçit, i cili ka qenë kryesues i ushtrisë së BeH. Ai tha se me Delaliç është takuar atëherë kur ai ka qenë njëri prej 100 komandantëve, në vitin 1992, dhe shtoi se Delaliç ka qenë komandant i ushtrisë së Sefer Haliloviçit.

Kurse rreth marrëdhënieve të tij me Haris Silajxhiq, Radonçiç tha se e ka njohur atë në kohën e para luftës, atëherë kur ka qenë gazetar dhe theksoi se edhe në periudhën kur ai vetë ka qenë ministër i Mbrojtjes kanë qenë miq të mirë.

Ndërsa, i pyetur për konfliktet me Silajxhiq, Radonçiq foli për disa letra anonime të dërguara duke theksuar se këto dëshironin të krijonin konfrontime mes tyre, por ai shtoi se “ne vetëm sa qeshnim dhe bënim shaka me këto letra të dërguara”.

Gjykimi vazhdoi më pas me pyetjet e prokurorit rreth punës që Radonçiq ka bërë pas luftës së fundit në Bosnje.

Naser Kelmendi është arrestuar nga Policia e Kosovës, në maj 2013, në bazë të fletarrestit ndërkombëtar të lëshuar nga organet qeveritare të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe nga atëherë gjendet në paraburgim. Kurse Prokuroria Speciale e Republikës Kosovës (PSRK), në korrik 2014, ka ngritur akuzën kundër Naser Kelmendit pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Përkundër kërkesës së qeverisë së Bosnjës dhe Hercegovinës për ekstradimin e Kelmendit, kjo nuk ka ndodhur për shkak se sipas ligjeve të Kosovës, një qytetar i Kosovës nuk mund të ekstradohet në një shtet tjetër i cili nuk e ka njohur shtetin e Kosovës, dhe me të cilin Kosova nuk ka marrëveshje ndërkombëtare për ekstradim.

Pas leximit të aktakuzës ndaj tij, në janar të vitit të kaluar, Kelmendi kishte deklaruar se nuk ndihet fajtor për asnjë nga aktakuzat e drejtuara ndaj tij. Ai kishte cilësuar këto aktakuza si të motivuara politikisht, duke theksuar se ai ka qenë “sponsor i politikanëve të cilët më nuk janë në pushtet”.

(Kosova Sot)