Hiqen nga parkingjet veturat e papërdorura

  • 03 July 2015 - 22:31
Hiqen nga parkingjet veturat e papërdorura

Sektori i Komunikacionit i Drejtorisë së Inspekcionit në Komunën e Prishtinë, me qëllim të lirimit të hapësirave publike - si dhe pas ankesave të qytetarëve - ka bërë identifikimin e të gjitha automjeteve që janë jashtë përdorimit në qytet, por të cilat kanë uzurpuar vendet e parkingut.

“Të gjitha veturat papërdorshme që janë të parkuara në parkingjet publike apo edhe në hapësirat e gjelbëruara do të identifikohen dhe do të konfiskohen nga Inspektoriati. Ky është një proces që do të zhvillohet në vazhdimësi. Ftoj qytetarët që të evitojnë nevojën që veturat e tyre të konfiskohen dhe t’i largojnë vetë këto vetura. Por, po ashtu kërkojmë nga qytetarë që për çdo rast të tillë të na informojnë sa më parë në mënyrë që të intervenojmë dhe t’i lirojmë këto hapësira për parkingjet e banorëve”, tha drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit, Xhelal Sveçla.

Shumë qytetarë i kanë larguar me vetëiniciativë këto mjete të papërdorura, ndërsa disa prej tyre janë konfiskuar pas skadimit të datës së njoftimit në afat prej shtatë ditësh.