Papa Françesku rikthehet në Amerikën e Jugut

  • 06 July 2015 - 14:57
Papa Françesku rikthehet në Amerikën e Jugut

Papa Françesku, kreu i parë i Kishës Katolike nga Amerika e Jugut, u rikthye në kontinent të dielën për një vizitë tetëditore në Ekuador, Bolivi dhe Paraguai.

Papa 78-vjeçar gjatë këtij udhëtimi do ta lërë mënjanë Argjentinën, vendin e tij të lindjes, ku ka në plan të shkojnë vitin e ardhshëm.

Ky është udhëtimi i nëntë qëkur Ati i Shenjtë mori papatin më shumë se dy vjet më parë.

Ndërsa u largua nga Roma, papa Françesku tha se donte të tërhiqte vëmendjen te gjendja e njerëzve të varfër në të tre vendet që do të vizitojë, “veçanërisht të fëmijëve në nevojë, të moshuarve, të sëmurëve, të burgosurve dhe të varfërve”.

Kisha Katolike Romake ka rreth 1.2 miliardë ndjekës, pjesa më e madhe e të cilëve në Amerikën Latine. Ekuadori, Bolivia dhe Paraguai janë tre nga vendet më të varfra të Amerikës së Jugut.