Nisin përgatitjet për seancën konstituive, mblidhet Kryesia e vjetër

  • 25 July 2017 - 09:58
Nisin përgatitjet për seancën konstituive, mblidhet Kryesia e vjetër

Pasi dje u mbajt takimi konsultativ i thirrur nga Presidenti, u caktua edhe data e mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Me këtë, u hap rrugë për thirrjen e mbledhjes së Kryesisë së vjetër të Kuvendit, e cila mblidhet sot.

Sipas rregullores së punës, mbledhja aktuale e Kryesisë mblidhet dhe organizon seancën. Madje, seanca konstituive niset nga Kryesia e vjetër, e cila me të nisur, i kalon nën udhëheqje deputetëve të zgjedhur. 

Pas thirrjes së kësaj mbledhjeje, pritet të finalizohen të gjitha përgatitjet për seancën e cila vërteton mandatet e deputetëve, e gjithashtu në po këtë seancë votohet edhe për kryesinë e re të Kuvendit, përfshirë edhe kryeparlamentarin.

Me zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe kryesisë së re të Kuvendit, presidentit i hapet rrugë të mandatojë një kandidat për kryeministër që të paraqesë qeverinë e tij, e cila duhet të ketë të paktën 61 vota.

Siç dihet, mandati i parë për t’u munduar që të krijojë qeverinë e re, do t’i takojë Ramush Haradinajt, koalicioni i të cilit doli i pari në zgjedhje. Mirëpo, numrat për Haradinajn ende nuk janë të sigurt. Ndërkohë, koalicioni LAA dhe VV, thonë se po presin dështimin e Haradinajt, duke shpresuar që presidenti më pas do t’ua kalojë mandatin atyre.

Ndryshe, krijimi i institucioneve është konsideruar si i zvarritur, pasi zgjedhjet ka më shumë se 6 javë që janë mbajtur.

(Kosova Sot)