Thirrje për Haradinajn: Mos humb kohë me komisione, dërgoje Demarkacionin në Kuvend

  • 19 September 2017 - 12:33
Thirrje për Haradinajn: Mos humb kohë me komisione, dërgoje Demarkacionin në Kuvend

Për Lëvizjen për Bashkim, e vetmja mënyrë e zgjidhjes së Demarkacionit është sjellja e tij në Kuvend dhe rrëzimi me anë të votës

“LB thërret qeverinë e vendit që sa më parë ta procedojë në Kuvend marrëveshjen aktuale dhe të mos humb kohë me krijimin e komisioneve të reja, të cilat nuk prodhojnë asnjë efekt juridik në raport me Malin e Zi. Demarkacioni nuk është thjesht çështje gjeografie e historie, por mbi të gjitha është çështje të së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e LB’së.

Ata kanë bërë të ditur që mendojnë se nuk është e nevojshme të humbet kohë me komisione, pasi siç thonë ata, duhet të krijohet konteksti juridik i zgjidhjes së kësaj çështje, që sipas tyre është rrëzimi me votë.

“Vetëm pas rrëzimit të kësaj marrëveshjeje në Kuvend, krijohet kontest juridik i ri me Malin e Zi dhe vetëm atëherë mund të bëhen përpjekje ose të rinegociohet marrëveshja, ose të dërgohet në arbitrazh ndërkombëtar”, thuhet tutje aty.

Ndërkaq, Haradinaj ditë më parë ka bërë të ditur se çështjen e demarkacionit do ta zgjidh me komisionin e ri duke, siç ka thënë ai, evidentuar dhe larguar gabimet e bëra.
 

Ndryshe, marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi po qëndron në sirtarët e qeverisë që nga 2015, pasi për këtë kishte mospajtime në Kuvend dhe jashtë tij, e madje nuk ishin votat për ta kaluar. Ramush Haradinaj, në duart e të cilit është tashmë kjo çështje, dikur së bashku me VV’në e Nismën kundërshtonte demarkacionin.

(Kosova Sot)