Qarri: Riciklimi i të dështuarve

  • 19 September 2017 - 12:58
Qarri: Riciklimi i të dështuarve

Analisti Gani Qarri thotë se përderisa ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, në njërën anë deklaron se që nga dita e parë e zgjedhjes në këtë post ka për prioritet luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, në krye të Supremes si sektori më i dështuar në vend, nga politika vendoset pikërisht Enver Peci, personi më i përfolur dhe që ka zhgënjyer më së tepërmi në këtë drejtim. Ai thotë se nuk beson se pa ndryshime rrënjësore politike dhe ardhjen e ndonjë force të re e të pakompromentuar në krye të vendit, të mbajë dikush përgjegjësi ndonjëherë për qindra mijëra lëndë të pazgjidhura nëpër sirtarë të (pa)drejtësisë, që në vazhdimësi u bëhen qytetarëve të këtij vendi. "Njerëz si Enver Peci nuk përfundojnë me zgjidhjen e ndershme dhe ligjore të mijëra lëndëve të grumbulluara gjyqësore, por me luftën për t'u shërbyer atyre nga të cilët varet zgjedhja e rizgjedhja dhe mbajtja pa të drejtë në postet që kanë. Zgjedhja e Enver Pecit në krye të Supremes nuk lë asnjë shpresë se, të paktën, në të ardhmen e afërt do të përgjigjet kushdo qoftë, për mbi 400 mijë lëndët e pazgjidhura, që presin me durim për vite të tëra në sirtarët e gjykatave anembanë Kosovës. Ndaj dhe nuk është çudi as kurrfarë befasie se nëse nuk je pjesë e "nëntokës" dhe nuk ke pozitë udhëheqëse në pushtetin vendor, nuk ka shans që gjykatësit ta trajtojnë me kohe as profesionalizëm lëndën e dikujt, qoftë si qytetar apo si biznes, e as që vjen në radhë për shqyrtim, pa kaluar së paku deri në pesë vite pritje, nëse nuk përfundon tërësisht edhe si lëndë e parashkruar!", potencoi Qarri. "Adresa e përgjegjësisë mbetet Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ku janë katapultuar e instaluar gjyqtarë e gjyqtare të dyshimta si tipi i Makifete Saliukës, dhe jo vetëm, e cila edhe pse deklaron pasuri milionëshe, e përdor formulën e politikaneve 'të sprovuar' se kinse atë, e ka 'trashëguar', fakte të cilat edhe pas kaq vitesh shprese dhe pritjesh, detyrojnë qytetarët përfundimisht ta humbin durimin dhe të mos u besojnë më për asgjë. Në KGJK për një kohë super të gjatë mbi 7-vjeçare kryesues ishte Enver Peci, i cili njihet si për mbetjen e mijëra lëndëve të pazgjedhura nëpër gjykata, ashtu edhe për sjelljen me porosi në KGJK të gjykatësve si Makifete Saliukës dhe të ngjashëm me të, duke bërë që të dështojë në tërësi dhe gati deri në asgjësim këtë institucion, madje, i njëjti, falë premtimeve të propaguara me bujë e pompozitet, sërish dhe pikërisht po nga e njëjta strukturë, që ai vetë e kishte zgjedhur sa kryesonte KGJK-në, 'delegohet' dhe përzgjidhet si njeriu i 'duhur' për katapultim në Gjykatën Supreme të Kosovës?", theksoi për gazetën "Kosova Sot" Qarri.

(Kosova Sot)