KAPITI: VV-JA E DËSHPËROI QYTETARIN

  • 18 November 2017 - 14:23
KAPITI: VV-JA E DËSHPËROI QYTETARIN

Analisti Skënder Kapiti thotë se derisa korrupsioni gjithë- institucional në Kosovë është bërë edhe social, pra është infektuar rëndë edhe shoqëria, ajo pjesë e shoqërisë, e cila nuk është e korruptuar do të duhej të dilte masovikisht në zgjedhje për ta ndëshkuar dhe nuk duhet të kalojë në indiferentizëm e pasivitet."Pra, ajo duhet të marrë pjesë në votim këtë të diel për ta ndëshkuar me votë masive qeverisjen aktuale Ahmeti&Company. Sa më e madhe të jetë pjesëmarrja dhe sa më i thellë të jetë ndëshkimi për keqqeverisjen aktuale, aq më shumë do të jetë presioni për ta vënë në binarët e ligjit dhe të moskorruptimit pushtetin e ardhshëm, sepse mafia korruptive dhe e krimit e ka shumë frikë ndëshkimin me votë dhe ligjin e zbatimin e tij", u shpreh ai.

"Indiferentizmi qytetar në zgjedhje dhe mospjesëmarrja në votim është së pari në dëm të vetë qytetarëve. Në demokraci janë zgjedhjet ato të cilat e shërojnë politikën dhe qeverisjen, gradualisht. Qytetarët nuk duhet të bien në pesimizëm dhe në mosbesim, por të aktivizohen dhe me votë ta ndryshojnë qeverisjen e Prishtinës, sepse nesër është e kotë që t'i bien pishman", vijoi më tutje ai."Në Kosovë duhet të dalë në skenën politike një forcë politike e jashtë këtij sistemi, gjë të cilën e pati premtuar "Vetëvendosje", por të cilën e fundosi qeverisja e saj në Prishtinë me shembullin e korrupsionit të lartë, me krimet me lejet e ndërtimit, në bashkëbiznesin me bizneset e ndërtimit, me pronën publike dhe me tenderët korruptive ,me shpërdorimet dhe abuzimin me paranë publike", tha Kapiti për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)