Zgjedhjet dhe mafia politike rrënojnë ekonominë

  • 21 November 2017 - 08:04
Zgjedhjet dhe mafia politike rrënojnë ekonominë

Analistët e ekonomisë dhe specialistët e kësaj fushe janë të mendimit se situata e brishtë politike që po mbretëron që nga viti 2014 ka bërë që ekonomia e Kosovës të jetë në margjina. Ata janë të mendimit se kjo situatë ka ndikuar që Kosova ta humbasë edhe një vit tjetër në ekonomi, duke u marrë me zgjedhje, Demarkacion e Asociacion, dhe duke harruar në tërësi zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Analistët vlerësojnë se ka qenë pikërisht kjo gjendje që edhe ka ndikuar te Qeveria 'Haradinaj' mos të ndërmarrë asnjë hap konkret në drejtim të ndërprerjes së monopoleve të grupeve dhe kompanive të mafio-oligarkëve, të cilët po vazhdojnë të zhvatin paratë e qytetarëve kosovarë, ndërkohë që Qeveria po hesht, kurse Prokuroria nuk po ndërmerr asnjë veprim, gjë që edhe ka bërë që asnjë investitor serioz mos të vjen në Kosovë. Lideri i AKB-së, Agim Shahini, për "Kosova Sot", tha se Qeveria "Haradinaj" nuk e krijoi, por e ka trashëguar një situatë të brishtë politike që e ka lënë anash situatën ekonomike në vend. "Kjo edhe ka bërë që në nismë të punës së saj kjo qeveri të jetë e fokusuar me agjendën politike dhe të ballafaqohet me probleme të tipit të asociacionit e demarkacionit, duke e lënë për momentin anash çështjen ekonomike", u shpreh ai.

Image

 

AKB-ja kërkon treg të lirë

Sipas Shahinit, duke filluar nga viti i ardhshëm, kjo qeveri do të jetë e fokusuar e tëra në problemet ekonomike të vendit."Bazuar në premtimet e bëra, jam shumë i bindur se vetëm kjo qeveri do të zhdukë monopolet në shumë fusha të ekonomisë, duke krijuar kushte të barabarta për një treg dhe ekonomi të lirë, që do të jetë e barabartë për të gjitha bizneset e vendit, duke mos i lejuar askujt privilegje", u shpreh ai."Shpresoj se me këtë edhe do të hapen rrugë për investitorët e huaj dhe se me këtë qeveri do të ketë edhe sundim të ligjit", vlerësoi Shahini. Ndërsa analisti Mustafë Kadrija tha për "Kosova Sot" se prej vitit 2014 ekonomia e Kosovës është duke kaluar në ditët më të palakmueshme të një ekonomie stabile, sidomos vitin e fundit."Këtu kemi dy faktorë që e kemi një ekonomi në vendnumërim dhe faktori i parë janë problemet politike, ngërçet politike dhe zgjedhjet e njëpasnjëshme këtë vit, pasi partive politike më së paku u ka interesuar perspektiva ekonomike e vendit, por vetëm si të rehatojnë pozicionet e tyre në ndarjen e pushtetit. Kurse, faktor tjetër kemi mafinë ekonomike, e cila duke e shfrytëzuar boshllëkun institucional e ka shkatërruar ekonominë e vendit, duke bërë oligopole dhe kartela të fshehta, që bëhen me marrëveshje të pashkruar, por shumë funksionale", ka thënë ai.

Image
\

 

Ambienti biznesor i pafavorshëm

Sipas Kadrijajt, ka probleme të theksuara në tregun e Kosovës."E kemi rastin kur çmimi i derivateve rritet dhe shumë rrallë bie në të gjitha bizneset që furnizojnë qytetarin me derivate. Po ashtu kemi edhe çmimet në qendrat tregtare, produktet e ushqimit janë të njëjta pothuajse në të gjitha qendrat tregtare, kemi një rritje të çmimit të energjisë elektrike përkundër reduktimeve dhe përkundër infrastrukturës së vjetruar me shtylla dhe me rrjet elektrik të vjetërsuar, që rrezikon jetën e qytetarit çdo ditë. Këtu nuk po i kryejnë detyrat e veta institucionet përkatëse, si Autoriteti për mbrojtjen e Konkurrencës e po ashtu edhe prokuroria po sillet sikurse nuk po ndodh asgjë", vijoi më tutje Kadrijaj. Sipas tij, përkundër problemeve të shumta, Kosova që t'i kthehet perspektivës ekonomike duhet të vendosë në radhë të parë sundimin e ligjit, duke mbrojtur investitorët e huaj, pastaj duhet që të bëjë përmirësimin e furnizimit me energji elektrike, rregullimin e procedurave të tenderimit, duke bërë procedurat në mënyrë elektronike. Ndërsa, analisti Florim Rudhani tha për "Kosova Sot" se situata e brishtë politike që mbretëron vitet e fundit e ka lënë në margjina ekonominë e Kosovës. Sipas tij, politika ia humbi edhe një vit Kosovës, duke u marrë me zgjedhje dhe me agjendat politike, si Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, por edhe me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe."Deri më tash Qeveria 'Haradinaj' nuk ka ndërmarrë madje asnjë hap konkret në ndërprerjen e monopoleve të kompanive që janë në pronësi të mafio-oligarkëve, të cilët edhe më tej po vazhdojnë që të zhvatin paratë e qytetarëve kosovare, ndërkaq që qeveria e tashme sikur po bëhet se nuk është në dijeni dhe vetëm po hesht",theksoi Rrudhani.

Image

 

Investitorët të trembur

Eksperti i ekonomisë në fushën e integrimeve evropiane, analisti Ardian Nokaj, për "Kosova Sot", tha se problemi esencial i vendit qëndron në jostabilitetin politik, si edhe zgjedhjet e shpeshta të katër viteve të fundit, që për fatin e keq po krijojnë një ambient shumë të padefinuar dhe të paqartë dhe jo aq të sigurt, por edhe shumë intrigues për investitorët potencialë të vendit."Investitorët seriozë ndërkombëtarë, përveç tjerash, po i frikëson edhe situata aktuale, e cila që nga viti 2014 është e tillë në Kosovë, ku vendi po ballafaqohet me një jostabilitet politik dhe që po reflekton pamundësinë, mosdashjen apo inatet e liderëve politikë që po rrezikojnë funksionimin e shtetit", u shpreh ai. Sipas analistit Nokaj, në këtë situatë po ndikojnë edhe çështjet e tjera, si Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, por edhe problemi i themelimit të Asociacionit të komunave serbe, që ende po i frikëson investitorët."E kemi një rritje të tillë ekonomike, e cila më shumë mund të mbajë një status-quo sesa që të hapë më shumë vende pune. Këtë e them duke pasur parasysh se nga vjen rritja ekonomike. Ngase akoma dominojnë investimet në sektorin publik, dominon infrastruktura, e cila në fakt paraqet një rritje, por nuk hap vende pune. Apo, edhe nëse hapen vende të punës, ato mbyllen pas përfundimit të projektit", ka shpjeguar Ardian Nokaj.

(Kosova Sot)