Kirurgu që bëri revolucion mjekësor, i pari që bëri transplantimin e zemrës

  • 24 November 2017 - 19:50
Kirurgu që bëri revolucion mjekësor, i pari që bëri transplantimin e zemrës

DJALË I VARFËR, U BË FIGURË E FAMSHME NË TËRË BOTËN

Dr. Barnard u bë pionier në kirurgjinë e zemrës dhe një figurë e njohur në tërë botën

"Christiaan Barnard, i cili udhëhoqi grupin e kirurgëve që habitën botën, duke bërë transplantimin e parë të zemrës natën midis 2 dhe 3 dhjetorit të vitit 1967, u bë i famshëm brenda natës. Suksesi i këtij operacioni jo vetëm që ia siguroi kirurgut vendin e tij në historinë e mjekësisë, por e bëri atë edhe një figurë të rëndësishme botërore për shumë vjet", ka shkruar David Cooper

Afër 50 vjet më parë, Dr. Christiaan Barnard demantoi kritikët dhe dyshuesit, duke bërë transplantimin e parë të zemrës. Kjo procedurë shkaktoi një revolucion mjekësor, duke ndikuar që sëmundjet e zemrës të mos jenë më të barabarta me dënimin me vdekje. Dr. Barnard kështu u bë pionier në kirurgjinë e zemrës dhe një figurë e njohur në tërë botën. Fytyra e tij u paraqit në ballinat e revistave "Life", "Newsweek" dhe "Time". Përvjetori i 50-të i këtij operacioni të rëndësishëm, që u bë më 3 dhjetor të vitit 1967, koincidon me publikimin e librit të ri me titull "Christiaan Barnard: The Surgeon Who Dared", i cili është shkruar nga kolegu i tij, David Cooper.

Tentimi i dytë

Pamjet e publikuara në libër tregojnë kirurgun duke bërë operacion në zemër të hapur, derisa në foto të tjera shihet pranuesi i parë i një zemre të transplantuar, Louis Washkansky, pak kohë pasi që ishte zgjuar nga operacioni. Edhe pse operacioni ishte vlerësuar si i suksesshëm, pacienti Washkansky, 54 vjeç, vdiq nëntë ditë më pas nga pneumonia, e cila mendohet se ishte shkaktuar nga ilaçet imunosupresive, që i ishin dhënë atij, si përgatitje për operacion. Tentimi i dytë i Dr. Barnardit në këtë drejtim, që u bë në vitin 1968, ishte më i suksesshëm, ku pacienti me zemër të transplantuar, Philip Blaiberg, arriti që të jetonte për 19 muaj. Kirurgu Barnard, i cili dikur ishte një djalë i varfër, u bë figurë e famshme në tërë botën, duke bërë për vete shumë njerëz dhe duke pasur rastin që të rrinte me figura të tilla, si Princesha Diana, boksieri Mohammed Ali dhe papa Pali VI. Autori Cooper, i cili punonte me Dr. Barnardin në kirurgji, shkruan: 'Nuk ma merr mendja që të ketë pasur ndonjë mjek, a kirurg para tij, e as nuk mendoj se do të ketë ndonjë pas tij, që do të njihej nga aq shumë njerëz në rrugë. Kjo për shkak se transplantimi i zemrës kishte me vete një aurë mistike, por po ashtu kishte të bënte me pamjen rinore të kirurgut dhe personalitetit karizmatik të tij". Dr. Barnard vdiq në vitin 2001, në moshën 78- vjeçare, nga një sulm i astmës.

Image result for Christiaan Barnard

Jetëgjatësia mesatare e pacientëve pas operacionit në fillim ishte vetëm tre muaj

Cooper, i cili e përshkruan Dr. Barnardin si një 'personalitet të paharruar', shkruan: "Christiaan Barnard, i cili udhëhoqi grupin e kirurgëve që habitën botën duke bërë transplantimin e parë të zemrës natën midis 2 dhe 3 dhjetorit të vitit 1967, u bë i famshëm brenda natës. Suksesi i këtij operacioni jo vetëm që ia siguroi kirurgut vendin e tij në historinë e mjekë- sisë, por e bëri atë edhe një figurë të rëndësishme botërore për shumë vjet. Në libër, sikur që thamë, flitet edhe për fëmijërinë në varfëri të kirurgut, në një qytet të vogël të Afrikës së Jugut. Përkundër asaj se, pas suksesit të Dr. Barnardit, në botë u bënë rreth 100 transplantime të zemrës, jetëgjatësia mesatare e pacientëve pas operacionit në fillim ishte vetëm tre muaj. Dr. Barnard ishte bërë një figurë e dëshiruar për të mbajtur fjalime, si në kongreset profesionale mjekë- sore, po ashtu edhe në tubime tjera. Përpos personaliteteve botërore që i përmendëm më parë, Dr. Barnard pati rastin edhe që të vallëzonte me princeshën Grace të Monakos, të pozonte me Nelson Mandelan dhe t'ia jepte shpërblimin 'sportisti i shekullit', boksierit të famshëm Mohammed Ali. Autori i librit thotë se Dr. Barnard udhëtonte shumë, takonte presidentë, papë, kryeministra dhe njerëz të tjerë të njohur. Megjithatë, edhe ai i kishte të metat e tij dhe, disa nga veprimet e tij duken kundërthënëse. Bob Frater, i cili kishte punuar me Dr. Barnardin në Kejptaun, shkruan: 'Ai më pas ishte, në të njëjtën kohë, sharmant dhe i sofistikuar, demokrat dhe tiran, shërues i madh dhe egoist i mërzitshëm, dashnor dhe donzhuan, por, mbi të gjitha, një kirurg vizionar dhe, thjesht, një njeri i paharrueshëm në gjeneratën e dytë të kirurgëve kardiakë".

(Kosova Sot)