Sot shpallet verdikti ndaj Albin Kurtit dhe 3 deputetëve të Vetëvendosjes

  • 03 January 2018 - 13:02
Sot shpallet verdikti ndaj Albin Kurtit dhe 3 deputetëve të Vetëvendosjes

Gjykata Themelore e Prishtinës, në orën 13:00 të ditës së sotme, do të shpallë aktgjykimin ndaj katër deputetëve të VV-së, që hodhën gaz lotsjellës në Kuvend. Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj dhe Faton Topalli akuzohen se veç e veç kryen veprat penale “të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm” si dhe “pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”

Më shumë se dy vite pas ngritjes së aktakuzës ndaj tash kandidatit të VV-së për kryetar partie, Albin Kurti, dhe tre deputetëve tjerë, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj dhe Faton Topalli, trupi gjykues i Gjykatës Themelore të Prishtinës, të mërkurën do të japë verdiktin për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Sipas aktakuzës së Departamentit për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, të katër deputetët në pjesën e fundi të vitit 2015, përmes përdorimit të gazit lotsjellës në sallën e Kuvendit të Kosovës kanë tentuar ta pengojnë dhe e kanë penguar punën e legjislativit. Tërë këto veprime janë bërë në kundërshtim të marrëveshjes me Serbinë për Asociacionin dhe asaj me Malin e Zi për Demarkacionin.

Të akuzuarit kanë pranuar veprimet e tyre, por, sipas tyre, ato janë politike e jo vepra penale.

Por cilat mund të jenë dënimet për deputetët e VV-së, sipas Kodit Penal të Kosovës, në rast se trupi gjykues i udhëhequr nga gjyqtari Beqir Kalludra, i shpall ata fajtorë:

Neni 375: Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm

1. Kushdo që përdorë armë apo materie plasëse në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët apo materiet plasëse të tilla, dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet.

2. Kushdo që përdor armën apo mjetin e rrezikshëm në mënyrë kërcënuese ose frikësuese, dënohet me gjobë deri në dhjetëmijë (10.000) Euro dhe me burgim prej një (1) deri në dhjetë (10) vjet.

Neni 409: Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare

1. Kushdo që me forcë apo kanosje serioze, pengon ose tenton të pengojë personin zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare ose duke përdorur mjetet e njëjta e detyron atë të kryejë detyrën zyrtare, dënohet me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet.

2. Kushdo që merr pjesë në një grup të personave që me veprim të përbashkët pengon ose tenton të pengojë personin zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare ose duke përdorur mjetet e njëjta e detyron atë të kryejë detyrën zyrtare, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet.

3. Udhëheqësi apo organizatori i grupit që kryen vepër penale nga paragrafi 2. i këtij neni, dënohet me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet.

4. Nëse vepra penale nga paragrafi 1. ose 2. i këtij neni përfshin kanosjen për përdorimin e armës apo mjetit të rrezikshëm ose rezulton me lëndim trupor, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.

5. Nëse vepra penale nga paragrafi 1. ose 2. i këtij neni kryhet ndaj gjyqtarit, prokurorit, zyrtarit të gjykatës, zyrtarit të prokurorisë apo personit të autorizuar nga gjykata dhe prokuroria zyrtarit policor, zyrtarit doganor, zyrtarit ushtarak apo zyrtarit të shërbimit korrektues gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre zyrtare, kryesi dënohet me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet.

6. Nëse vepra penale nga paragrafi 1. ose 2. i këtij neni rezulton me lëndim të rëndë trupor, kryesi dënohet me jo më pak se pesë (5) vjet burgim.

(Kosova Sot)