Robotët do të na e bëjnë jetën të mjerë

  • 16 January 2018 - 20:19
Robotët do të na e bëjnë jetën të mjerë

SHKENCËTARËT THONË SE PUNA DHE PUNËSIMI IA JAPIN JETËS KUPTIMIN QË KA

Dr. Subhash Kak mendon se njerëzit do të privohen nga një gjë e tillë, pasi robotët të fillojnë të bëjnë pjesën më të madhe të punëve

Derisa aftësitë e robotëve dhe të inteligjencës artificiale vijnë duke u rritur, një shkencëtar i njohur tërheqë vërejtjen se kjo do ta ketë një kosto të lartë për ne. Dr. Subhash Kak, një ekspert i kompjuterëve në Universitetin e Oklahomës, thotë se punësimi ua jep njerëzve ndjenjën e vlerës dhe ua ngritë vetëbesimin. Ai mendon se njerëzit do të privohen nga një gjë e tillë, pasi që robotët të fillojnë të bëjnë pjesën më të madhe të punëve, duke bërë që njerëzit ta jetojnë një jetë të pakuptimtë dhe të mjerë. Ai thotë se rritja e përdorimit të drogës dhe ngritja e grupeve ekstremiste janë një shenjë e hershme e një të ardhmeje 'distopike'.

Deri në vitin 2030, 800 milionë punëtorë mund të zëvendësohen nga makinat

Dr. Kak, profesor i inxhinierisë elektrike dhe kompjuterike, ka deklaruar se distopia tanimë ka filluar. "Do të ketë një papunësi masive. Njerëzit duan që të jenë të dobishëm dhe puna ia jep jetës domethënien e vet, prandaj në të ardhmen njerëzit do të bien në dëshpërim". Një raport vitin e kaluar bëri me dije se, deri në vitin 2030, 800 milionë punëtorë mund të zëvendësohen nga makinat.

Ka profesione që menjëherë mund të merren nga robotët

Dr. Kak thotë: "Politikëbërësit tanimë kanë filluar që të flasin rreth të ardhurave minimale të garantuara, ku secili do të ketë strehim, ushqim dhe telefon të mençur, por nuk adresohet esenca e problemit". Ai përmend rritjen e përdorimit të drogave dhe daljen në skenë të grupeve, si ISIS, si manifestime të humbjes së kuptimit të jetës njerëzore. Vendet që do të ballafaqohen me ndryshimet më të mëdha, do të jenë SHBA-ja, Gjermania dhe Japonia. Ka profesione të cilat menjëherë mund të merren nga robotët, por ka edhe të tilla ku ky proces nuk do të mund të shkojë me lehtësi, si psh kopshtari, hidrauliku, përkujdesja ndaj fëmijëve dhe pleqve, etj. 

(Kosova Sot)