Evropën e pret NJË KAOS KLIMATIK

  • 22 February 2018 - 19:10
Evropën e pret NJË KAOS KLIMATIK

REGJIONET E NDRYSHME TË EVROPËS RREZIKOHEN NGA VËRSHIMET, POR EDHE NGA THATËSIRAT

Dublini, Helsinki, Riga, Vilniusi dhe Zagrebi kanë më së shumti gjasa që të ballafaqohen me vërshime ekstreme 

Një studim i ri thotë se ndryshimet klimatike, deri në vitin 2051, do të shkaktojnë kaos në Evropë. Ky studim ka marrë parasysh ndikimin e motit ekstrem në kontinentin tonë. Ekspertët kanë studiuar rrezikun nga paraqitja e vërshimeve, thatësirave dhe valëve të nxehtësisë për të gjitha qytetet evropiane, duke përdorur të gjitha modelet klimatike që janë në dispozicion. Valë të përkeqësuara të nxehtësisë priten për të gjitha 571 qytetet e studiuara, si dhe rritja e rrezikut për thatësira, sidomos në Evropën Jugore. Një rritje e vërshimeve nga lumenjtë, sidomos në qytetet veriperëndimore të Evropës, sikur që është Londra, po ashtu është paraparë gjatë simulimeve. Kërkuesit shkencorë nga Universiteti "Newcastle" kanë shikuar projeksionet nga të gjitha modelet që shoqërohen me skenarin e lirimit të sasive të mëdha të gazrave të serrës, RCP8.5. Kjo është përdorë nga Paneli ndërqeveritar rreth ndryshimeve klimatike (IPCC) dhe, nga shumëkush është parë si skenar 'i rëndomtë', me lirim të gazrave me intensitetin aktual. Kjo do të shkaktojë rritje të temperaturave globale për 2.6°C deri 4.8°C.

Image

Edhe parashikimet më optimiste paraparlajmërojnë rritjen e temperaturave maksimale në të gjitha qytetet e Evropës 

Ekipi i shkencëtarëve tregoi rezultatet për tri mundësi të së ardhmes, të cilat ata i quajtën skenarë me ndikim të ulët, të mesëm dhe të lartë. Ishujt britanikë ballafaqohen me disa prej parashikimeve më të këqija të vërshimeve. Edhe në rastet më optimiste, 85% të qyteteve britanike që kanë një lum, duke përfshirë edhe Londrën, parashikohet që të ballafaqohen me rritje të rrezikut nga vërshimi i shkaktuar nga lumenjtë. Qytetet britanike që parashikohet të goditen më së keqi, janë Kork, Deri, Uoterford, Ureksham, Karlisël dhe Glasgou. "Edhe pse regjionet e Evropës Jugore janë mësuar që të ballafaqohen me thatësi, në të ardhmen këto thatësi do të jenë shumë më të shprehura", thotë Dr. Selma Guerreiro, udhëheqësja e studimit. Edhe parashikimet më optimiste parashikojnë rritjen e temperaturave maksimale në të gjitha qytetet e Evropës. Qytetet jugore evropiane do të ballafaqohen me rritjen më të madhe të numrit të ditëve me valë të nxehtësisë, derisa qytetet e Evropës qendrore do të ballafaqohen me rritjen më të lartë të temperaturave, gjatë valëve të nxehtësisë.

Image

Lisbona dhe Madridi gjenden në krye të listës për nga rreziku

Nga kryeqytetet evropiane, Dublini, Helsinki, Riga, Vilniusi dhe Zagrebi kanë më së shumti gjasa që të ballafaqohen me vërshime ekstreme. Stokholmi dhe Roma mund të ballafaqohen me rritjen më të madhe të ditëve me valë të nxehtësisë, derisa Praga dhe Vjena mund të shohin rritjen më të madhe të temperaturave maksimale gjatë valëve të nxehtësisë. Lisbona dhe Madridi gjenden në krye të listës për nga rreziku i paraqitjes së thatësirave, derisa Athina, Nikozia, Valleta dhe Sofia mund të përjetojnë rritjet më të mëdha si të thatësirave, po ashtu edhe të valëve të nxehtësisë. Paneli ndërqeveritar i OKB-së për ndryshime klimatike (IPCC) ka pranuar rolin e rëndësishëm, të cilin duhet ta luajnë qytetet në luftimin e ndryshimeve klimatike dhe, muajin që vjen, IPCC do ta mbajë Konferencën e parë me titull "Qytetet dhe shkenca e ndryshimeve klimatike", në Edmonton të Kanadasë. Studimi ven në theks nevojën urgjente që qytetet tona të jenë sa më të afta që të përshtaten me këto rrethana ekstreme të së ardhmes. 

(Kosova Sot)