Politika kosovare bllokoi hetimin E PADIVE PËR DËMET E LUFTËS - Lajme - Kosova Sot
Politika kosovare bllokoi hetimin E PADIVE PËR DËMET E LUFTËS

Politika kosovare bllokoi hetimin E PADIVE PËR DËMET E LUFTËS

KUR SHTETI YT PUNON NË FAVORIN E ARMIKUT

25 mijë padi janë refuzuar nga gjykatat vendore

"Në këtë anë ka ndikuar edhe vetë KGJK-ja dhe Ministria e Drejtësisë, sepse kanë kërkuar refuzim, ndërsa nuk kanë kërkuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës të ndërrohen normat juridike në Kodin Penal dhe në Kodin e Procedurës Penale, në mënyrë që të hetohen dhe zhvillohen procedurat. Vepra penale dhe dëmi është kryer në Kosovë dhe kudo sipas të drejtës pozitive kompetente janë gjykatat e vendit, ku është bërë dëmi apo kryer vepra penale", tha profesor Muhamet Kelmendi për gazetën "Kosova Sot" 

E dhe pse institucionet e shtetit të Kosovës po vazhdojnë ta neglizhojnë ngritjen e një padie për krimet dhe dëmet e luftës, që Serbia i ka kryer në Kosovë, shumë qytetarë dhe biznese të dëmtuara nga krimet e soldateskes serbe kanë vepruar në mënyrë individuale dhe kanë paditur Serbinë për dëmet e luftës. Mirëpo, gjykatat vendore thonë se nuk janë kompetente për rastet e këtilla. E nga ana tjetër janë qytetarët që jetojnë në Kosovë dhe kërkojnë të drejtat e tyre, por ato të drejta nuk mund t'i realizojnë. Tani me të drejtë shtrohet pyetja se ku do duhet t'i realizojnë kosovarët të drejtat e tyre, nëse nuk i realizojnë përmes sistemit të drejtësisë kosovare, pikërisht në vendin ku ka ndodhur krimi, derisa gjykatat tona nuk i pranojnë paditë individuale, që së paku të gjejnë rrugë që të kërkojnë nga Serbia të paguhen dëmet që u janë shkaktuar qytetarëve. Deri më tani është raportuar se janë mbi 25000 padi të qytetarëve dhe bizneseve kundër shtetit të Serbisë për kompensimin e dëmeve të luftës që janë refuzuar duke "u hedhur poshtë si të palejuara nga gjykatat në Kosovë me urdhër të KGJK-se dhe Ministrisë së Drejtësisë. Ekspertët e fushës së të drejtës dhe analistët politikë, duke gjykuar këtë lloj veprimi të papërgjegjshëm të gjykatave të Kosovës, vlerësojnë se sikur institucionet e shtetit të Kosovës dhe politika ia kanë falë në heshtje të gjitha dëmet e luftës Serbisë, jo për ndonjë arsye tjetër, por sepse është vetë një klasë politike e inkriminuar që provon ta blejë paqen me shtetin fqinj duke i lënë në harresë dëmet e luftës.

Shkelje serioze e të drejtave të njeriut

"Së andejmi del qartë se gjykatat tona edhe në këtë sferë janë të influencuara dhe të dirigjuara nga politikat ditore banale të padrejta. Kudo tjetër në shtetet e së drejtës çështjet e tilla do të procedoheshin me prioritete dhe me kujdes të shtuar dhe nuk do të mund të imagjinohej që kërkesëpaditë për reimbursime të dëmeve të luftës agresive hegjemoniste apriori të flaken", tha Riza Smaka për "Kosova Sot" 

Eksperti i së drejtës, profesor Riza Smaka, tha për 'Kosova Sot' se veprimi i tillë i gjykatave të vendit është shkelje serioze e të drejtave të njeriut, shkelje e ligjeve dhe Kushtetutës së shtetit të Kosovës. "Janë qëndrime juridike bizare ato të gjykatave të vendit tonë, sipas së cilave qytetarëve kosovarë të dëmtuar moralisht e materialisht nëpërmjet krimeve të luftës deri në shkallë të gjenocidit kundër civilëve shqiptarë të të gjitha moshave, iu hedhen poshtë përkatë- sisht iu flakën kërkesat e bazuara për rimbursime e kompensime të dëmeve në fjalë. Gjykatat e vendit tonë janë kompetente sipas vendit: Ius Rei Sitae, të kryerjes së krimeve të luftës, për t'i gjykuar çështjet e ngritura kundër kryerësve të akteve kriminale me të gjitha tiparet e gjenocidit të luftës", shpjegoi ai. "Gjykatat në fjalë, pa dyshim, gabojnë rëndë kur kërkesëpaditë për reimbursime të dëmeve materiale e morale të shkaktuara me krime lufte nuk i gjykojnë sipas ligjit në fuqi dhe standardeve juridike të mirënjohura në favorin e qindra-mijëra të dëmtuarve pafajshëm, të dëmtuar rëndë në çdo pikëpamje. Aq më parë kur kërkesëpaditë për rimbursime të dëmeve morale e materiale jo që nuk i trajtojnë dot, madje nuk i shqyrtojnë që eventualisht për t'i refuzuar disa sosh, por përkundrazi i flakin në blok, që do të thotë se nuk i procedojnë as formalisht", potencoi Smaka.

Analisti Reshat Badallaj thekson se ky refuzim në masë i padive individuale të qytetarëve të dëmtuar të Kosovës nga lufta dhe gjenocidi serb është vetëm një dëshmi edhe më e fuqishme që tregon se Kosova nuk ka fare sistem të vetin të drejtësisë që ta mbrojë qytetarin kur ka të drejtë, por edhe ta dënojë atë kur sipas së drejtës pozitive bënë edhe gabime. "Vetëm të mjerët mendojnë se në Kosovë ka sistem të mirëfilltë gjyqësor, në fakt në Kosovë ka sistem gjyqësor, por ky sistem është i kalbur dhe jo vetëm që është për të ndarë drejtësi për qytetarët, por këta matrapazë shkelin edhe betimin e tyre që kanë dhënë për të mbrojtur Kushtetutën e vendit. Këta matrapazë janë të ndikuar fund e krye politikisht dhe se të gjithë këta që flasin për sistem të mirëfilltë gjyqësor nuk janë gjë tjetër pos mashtrime rrena, dallavere më të paturpshmet. Pra, shkurt e shqip, këtu është e përzier politika brenda dhe pikë. Këtyre nuk u ka humbur gjë dhe nuk e trazojnë trurin për qytetarët, se po t´u kishte ndodhur këtyre diçka do të shihnit se si do të lehnin si qentë pas hënës", tha Badallajt për "Kosova Sot". 

Qeveria mund ta padiste Serbinë

"Nga Komisioni i Qeverisë së Kosovës kërkohet që të dalë para Brukselit dhe shtetit serb në Bruksel me fakte për dhunën gjenocidale, për dëmet e bëra dhe të kërkojë shpërblimin e këtyre dëmeve të shkaktuara nga vetë shteti serb. E në mungesë të kësaj mënyre ekziston mundësia që të ngrihet padi në Gjykatën Ndërkombëtare për krime të luftës dhe për dëmshpërblim. Madje këtë ka pasur mundësi ta bëjë edhe në gjykatat evropiane, nëse jo vetë, me ndihmën dhe nëpërmjet Tiranës", tha Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot" 

Eksperti tjetër i së drejtës, Muhamet Kelmendi, këtë lloj sjellje të gjykatave të vendit me paditë për krimet serbe e gjen si të qëllimshëm, të dizajnuar dhe që ka mbulesë të "kontrabanduar" edhe me ligjet në fuqi."Në ligjet që janë në fuqi në Republikën e Kosovës ka dy çështje të dëmshme, e të cilat kanë bërë që sistemi juridik, përkatësisht gjykatat, të shpallin veten in competent: 1, Në KPP dhe në KP, si dhe në normat tjera të dëmit material dhe moral, për vrasjet, dhunën dhe dëmet e bëra gjatë luftës, nuk janë përcaktuar si kompetente gjykatat e vendit. Ato, me t'u paraqitur padia, lidhur me dëmet materiale a morale, i refuzojnë si jokompetente. Dhe, nën 2. me KPP nuk mund të hapet procedura penale nga Prokuroria Speciale kundër kryesve të veprës penale, dhunës e terrorit të bërë në Kosovë, nëse i akuzuari nuk jeton në Kosovë. Këto dy elemente juridike kanë bërë që gjykatat t'i refuzojnë paditë e qytetarëve tanë me arsyetim 'si të palejuara' në kuptimin juridik", u shpreh ai. "Në këtë anë kanë ndikuar edhe vetë KGJK-ja dhe Ministria e Drejtësisë, sepse kanë kërkuar refuzim, ndërsa nuk kanë kërkuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës të ndërrohen normat juridike në Kodin Penal dhe në Kodin e Procedurës Penale, në mënyrë që të hetohen dhe zhvillohen procedurat. Vepra penale dhe dëmi janë kryer në Kosovë dhe kudo sipas të drejtës pozitive kompetente janë gjykatat e vendit ku është bërë dëmi apo kryer vepra penale", tha prof. Muhamet Kelmendi për gazetën "Kosova Sot". Sipas tij, gjykatat nuk është dashur që t'i hedhin të palejuara paditë e ngritura.

Më së miri përgjigjen përse deri më tash institucionet e Kosovës nuk e kanë ngritur padinë për kompensimin e dëmeve të luftës të shkaktuar nga Serbia e di Hashim Thaçi, i cili gjatë dy mandateve sa ishte kryeministër, por edhe si ministër i Punëve të Jashtme, pati premtuar se Kosova do të ngrejë padinë e tillë. Por ky premtim po mbetet një retorikë për konsum publik dhe gënjeshtër politike e tij e radhës", tha Ymret Reshiti për "Kosova Sot"

Se politika dhe institucionet joprofesionale të Kosovës vetë ia kanë mbyllur mundësinë për t'u marrë seriozisht me krimet e luftës dhe gjenocidin serb në Kosovë, duke bërë ligje të dobëta e të padefinuara mirë, e thotë edhe analisti Ymret Reshiti."Ligjërisht, organet gjyqësore të Kosovës nuk mund të shqyrtojnë paditë kundër Serbisë të paraqitura pranë gjykatave vendore të Kosovës, ngase nuk kanë kompetencë për rastet e tilla. Duhet të dallojnë rastet kur padia ngrihet për kompensimin e dëmeve të luftës kundër personave fizikë dhe rastin kur padia ngrihet kundër personit juridik, siç është rasti me shtetin e Serbisë. Gjykatat e Kosovës janë kompetente nëse pranë tyre ngrihen padi për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga lufta ndaj akëcilit qytetar të Kosovës, i cili gjatë kohës së luftës në mënyrë të paligjshme ka vjedhur, përvetësuar, dëmtuar apo ka shkatërruar pronën e ndonjë qytetari të Kosovës. Në këtë kontekst mund të ndiqet çdo individ, qoftë i uniformuar apo i pauniformuar , qoftë ai që u ka shërbyer forcave serbe në Kosovë dhe që në mënyrë të paligjshme ka vjedhur, përvetësuar, dëmtuar apo ka shkatërruar pronën e ndonjë qytetari të Kosovës. Kompetente për ngritjen e padisë kundër Serbisë për kompensim të dëmeve të shkaktuara gjatë luftës, është Qeveria e Kosovës, e cila zyrtarisht është përfaqësuese e interesave të shtetit pranë Gjykatave Ndërkombëtare", ka theksuar ai. Sipas tij, Qeveria e Kosovës është dashur qëmoti të ndërmarrë së paku dy veprime rreth kompensimit të dëmeve të luftës.

Refuzimi i padrejtë i gjykatave

Të padrejtë dhe jashtëzakonisht të dëmshëm e vlerëson një mosveprim të tillë të gjykatave të Kosovës edhe analisti Gani Qarri."Fatkeqësisht në gjykatat e Kosovës edhe pas çlirimit të vendit jo vetëm se nuk mundëm të prisnim asnjëherë drejtësi të një- mendtë, por po bëhen plot 20 vjet nga mbarimi i luftës me Serbinë dhe personat si dhe familjet e dëmtuara kurrë nuk mundën të ngrenë padi për gjykimin dhe vënien para drejtë- sisë të autorëve përgjegjës, si dhe kompensimin e krimeve të shkaktuara nga shtetit i Serbisë gjatë luftës në Kosovë", tha Qarri për "Kosova Sot". Ai shtoi se megjithëse pati përpjekje të panumërta për ngritjen e padive private kundër këtij shteti pushtues, prej të të dëmtuarve, edhe si rasti i Hetem Sejdijajt nga Skenderaj, por më 20 mars të vitit të kaluar edhe Gjykata Supreme e Kosovës, për çudi, refuzoi kërkesën e tij si të pabazuar! "Fatkeqësia bëhet edhe më e madhe kur sheh se nga të gjitha instancat e gjykatave të inkriminuara vendore, përkundër faktit se edhe për qytetarët e Kosovës duhet të vlejnë normat e të drejtës ndërkombëtare, janë refuzuar mbi 25000 padi të qytetarëve dhe bizneseve të ndryshme në vend, me të cilat është kërkuar thjesht vetëm kompensimi i dëmeve të luftës që Serbia i shkaktoi me makinerinë e saj shkatërruese dhe vrastare në luftën e viteve 98/99, në Kosovë", u shpreh ai. Sipas Qarrit, KGJK-ja kohë më parë u kishte dhënë urdhër gjykatave, kinse në formë të "këshillës vepruese", që të gjitha paditë kundër Serbisë nëpër gjykatat e Kosovës "të hidhen poshtë si të palejuara"!

Dy dekada padrejtësi

Edhe analisti Ali Hertica beson fuqishëm se gjykatat vendore me këtë refuzim të padive individuale të qytetarëve u kanë hyrë thellë në borxh këtyre të fundit dhe, si thotë populli, iu kanë edhe hak."Tani jemi në përfundim të dekadës së dytë kur ka përfunduar lufta në Kosovë dhe plagët e luftës akoma vazhdojnë të jenë të hapura e të pikosura në gjak. Nga ky mosveprim dhe arsyetim i pabazuar i refuzimit të padive individuale rrjedhimisht del se edhe gjykatat themelore të Kosovës, sikurse edhe Gjykata Supreme e Kosovës dhe e Apelit, me aktvendimet e veta e kanë interpretuar gabimisht ligjin e aplikuar", potencoi ai."Gjykatat vendore në Kosovë kanë kompetencë të vendosin për çështje penale dhe civile në relacion me secilin, pavarësisht shtetësinë e kujt e ka personi ndaj të cilit duhet aplikuar ligjet e Kosovës e që do të thotë edhe për kompensimet e dëmeve që i janë shkaktuar kujtdo qoftë në Kosovë", tha Ali Hertica për "Kosova Sot".

Ndërsa analisti politik Bislim Aliu thekson se Serbia në Kosovë ka bërë çdo gjë të keqe, duke vrarë, masakruar dhe duke bërë gjenocid, në pleq, gra e fëmijë dhe duke shkatërruar çdo gjë që ishte shqiptare dhe tani vetëm duke parë qytetarët se institucionet tona ende hezitojnë dhe tërësisht kanë rënë në gjumë të 'thellë' që ta padisin Serbinë për dëmet e luftës. Disa qytetarë në mënyrë individuale e kanë paditur Serbinë për dëmet e luftës, por që po injorohen padrejtë- sisht nga gjykatat tona. "Gjykatat vendore thonë se nuk janë kompetente për raste të tilla! Këto të drejta po i kërkojnë, por më kot. A thua, ku mund t'i realizojnë të drejtat e tyre, nëse ato nuk mund t'i realizojnë përmes sistemit të drejtësisë kosovare, pra në atë vend ku ka ndodhur krimi? Gjykatat tona kanë rënë në gjumë të 'thellë", duke mos i pranuar paditë individuale dhe as që interesohen që të gjejnë rrugë dhe të kërkojnë nga Serbia që t'i paguajnë dëmet që ua kanë shkaktuar qytetarëve të Kosovës", tha Bislim Aliu për "Kosova Sot". Sipas tij, me këtë po i tregojmë botës se Serbia nuk ka bërë gjenocid në Kosovë dhe as që ka nevojë të paditet për dëmet e luftës! "Kjo tregon se sa shtet i papërgjegjshëm që jemi", potencoi ai.

Gazeta iu ka dërguar pyetje edhe institucioneve, Ministrisë së Drejtësisë, Avokatit të Popullit, KGJK-së , gjykatave, duke filluar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme, por nuk kemi marrë përgjigje as për numrin e rasteve të refuzuara dhe as për arsyen ligjore se mbi çfarë baze ligjore ka ndodhur refuzimi dhe cilat janë rrugët e tjera të realizimit të kësaj të drejte.

(Kosova Sot)

19 orë e 49 minuta më parë
25/06/18