Drejtësia kapitulloi para mafisë politike

  • 24 May 2018 - 08:01
Drejtësia kapitulloi para mafisë politike

GATI DY DEKADA NË LIRI, SUNDIMI I LIGJIT SFIDË E PATEJKALUAR

Preteni: Politika dhe sistemi i sundimit të ligjit kanë lidhur një pakt koalicioni joparimor dhe joshtetëror, prandaj nuk funksionon asgjë!

Analistët dhe njohësit e fushës së sundimit të ligjit konsiderojnë se plotësisht ka dështuar shteti i së drejtës në Kosovë dhe kjo më së miri shihet si fakt, pasi që, sipas tyre, para krimit dhe korrupsionit po dorëzohen të gjitha segmentet e drejtësisë dhe të ligjit, po dorëzohen policia, prokuroria dhe gjyqësori kundër korrupsionit e krimit të organizuar të 'peshqve të mëdhenj', pushtetarëve të niveleve të larta në qeverisjen qendrore dhe atë komunale. Shqetësimi më i madh është kur kihet parasysh fakti se të zgjedhurit dhe të emëruarit për zbatimin e ligjit e sabotojnë punën e besuar, shumica absolute e policëve hetues, sidomos prokurorët dhe gjyqtarët e dëgjueshëm e të nënshtruar ndaj politikës brenda sistemit të degraduar të drejtësisë, të cilët nuk duan të futen në konflikt me qeveritarët e zyrtarët e tjerë të pushtetit të tej inkriminuar, si në nivelin komunal ashtu edhe në atë qendror. E keqja tjetër është që nuk ka transparencë e kush e bën sabotimin, nuk e di opinioni publik dhe nuk po flitet me emra dhe mbiemra, se kush nga prokurorët dhe kush nga gjyqtarët e policët hetues po e sabotojnë betejën detyruese e ligjore 'antikorrupsion dhe kundër krimit të organizuar' në radhët e sistemit të drejtësisë. Sipas njohësit të së drejtës, Avni Islami, krimi dhe korrupsioni në Kosovë nuk mund të funksionojnë jashtë sistemit institucional, por janë të lidhur me të, andaj nuk luftohen nga askush."Krimi i organizuar dhe korrupsioni në Kosovë funksionin në mënyrën më të sofistikuar, e kjo është e mundur vetëm falë njerëzve që mafitë i kanë brenda strukturave të çdo shteti. Pra, edhe te ne në Kosovë duket se policia, prokuroria dhe gjykata janë në një 'paqe', ku secila nuk e kryen punën e vet si duhet. Dhe, asnjëra nuk e hetojnë njëra tjetrën, kësisoj nuk ka se si të luftohen krimi i organizuar dhe korrupsioni. Jo më kot thuhet se shkelësit më të mëdhenj janë vetë zbatuesit e ligjit", potencoi Islami për "Kosova Sot". 

"Askush në Kosovë nuk e ka guximin të flasë me emra dhe mbiemra se kush nga prokurorët dhe kush nga gjyqtarët e policët hetues po e saboton betejën detyruese e ligjore 'antikorrupsion dhe kundër krimit të organizuar' në radhët e sistemit të drejtësisë, e aq më pak të flitet me emra e mbiemra për 'peshqit e mëdhenj' të krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë në vend", thotë analisti Florim Zeqa për "Kosova Sot"

PRETENI: MUNGESA E LLOGARIDHËNIES DHE TRANSPARENCËS REZULTON ME KORRUPSION, ME KRIM DHE ABUZIM!

Sipas Hasan Pretenit, ish-kreu i Agjencisë Antikorrupsion, janë të dyja palët, politika dhe sistemi i sundimit të ligjit, që kanë rënë dakord, kanë lidhur një pakt koalicioni joparimor dhe joshtetëror, prandaj nuk funksionin asgjë. "Politika po i krijon kushte të mira, paga të dinjitetshme, privilegje jetësore dhe benificione tjera, kurse pjesa përgjegjëse për sundimin e ligjit po ia kthen politikës me heshtje, me jo veprim. Nuk kërkohet as llogaridhënie e as transparencë. Mungesa e këtyre të dyjave rezulton me korrupsion, me krim dhe abuzim. Nuk ka ndodhur në historinë dydekadëshe të Kosovës që është larguar nga puna ose është sanksionuar ndonjë hetues, prokuror ose gjyqtar për mospunën e vet. Nuk maten rezultatet, nuk analizohen veprimet, nuk kërkohet përgjegjësi. Është një heshtje varri", potencoi ai. "Jam i bindur se po të vizitohen vendet e punës pas orës 12:00 nuk do ta gjeni asnjë hetues, pak prokurorë dhe pak gjyqtarë. Të gjithë e vijojnë punën në mëngjes me kafe e llafe, pak 'facebook', pak hetime të ndonjë rasti të përfshirjes së ndonjë 'fakiri' dhe pastaj dalja në drekë ose në ligjërata në shkolla private ose në biznese private, në kafene dhe angazhime të tjera që nuk përkojnë me përshkrimin e vendit të punës", tha Preteni për "Kosova Sot". Sipas tij, një gazetari hulumtuese do t'i vërtetonte të gjitha këto për tri-katër ditë, sikur të vizitohen kafenetë afër selisë së institucioneve.

ZEQA: GJYKATËSIT DHE PROKURORËT PARA SE TË VËNË "DREJTËSINË" JANË TË DETYRUAR TË KONSULTOHEN ME PRESIDENTIN, KRYEMINISTRIN APO KRYEPARLAMENTARIN!

Analisti politik Florim Zeqa thotë se ka kohë që "Peshorja" për ndarjen e drejtësisë nuk ndodhet brenda sistemit të drejtësisë, ajo është e prangosur diku në dhomat e sigurisë së lartë në Qeveri, Presidencë apo Parlament! "Në mungesë të "peshores" (pavarësisë së gjyqësorit), gjykatësit dhe prokurorët si çdoherë para se të vënë "drejtësinë" në vend janë të detyruar të konsultohen me presidentin, kryeministrin apo kryeparlamentarin.Kjo që ceka më sipër nuk është metaforë, por realitet i hidhur në Kosovë pas 17 shkurtit 2008.Ka më tepër se 10 vjet që Policia, Prokuroria dhe Gjyqësori janë dorëzuar para korrupsionit e krimit të organizuar të 'peshqve të mëdhenj', pushtetarëve të niveleve të larta në qeverisjen qendrore dhe atë komunale", u shpreh ai."Për 10 vjet rresht kemi pasur dështim total të shtetit ligjor, dështim në qeverisje të vendit dhe denigrim social e kulturor, pasi shumica absolute e policëve hetues, prokurorëve dhe gjyqtarëve të dëgjueshëm e të nënshtruar ndaj politikës brenda sistemit të degraduar të drejtësisë i kanë neglizhuar qëllimshëm lëndët e veprave të rënda kriminale, për shkak se nuk duan të futen në konflikt me qeveritarët e zyrtarët e tjerë të pushtetit të tej inkriminuar, si në nivelin komunal ashtu edhe në atë qendror.Ndodh pikërisht kështu për faktin se askush në Kosovë nuk e ka guximin të flasë me emra dhe mbiemra, se kush nga prokurorët dhe kush nga gjyqtarët e policët hetues po e sabotojnë betejën detyruese e ligjore 'antikorrupsion dhe kundër krimit të organizuar' në radhët e sistemit të drejtësisë, e aq më pak të flitet me emra e mbiemra për 'peshqit e mëdhenj' të krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë në vend", vlerësoi Zeqa."Disa po mundohen të harrojnë se drejtësia, edhe pse nganjëherë fle, nuk vdes asnjëherë!", tha Florim Zeqa për "Kosova Sot". 

MIFTARI: NË KOSOVË KRIMI I ORGANIZUAR ËSHTË KRIMI POLITIK

Njohësi i fushës së sigurisë, Naim Miftari, thotë se në fushën e sundimit të ligjit dështimet janë të qëllimshme që nga paslufta e deri më sot, sepse ky ka qenë dhe është akoma interes i lidhjeve të politikës me krimin. "Dështimi i sundimit të ligjit dhe lufta ligjore kundër krimit të organizuar kanë disa arsye për dështim, e para është se qysh menjëherë pas luftës në fillim janë bërë devijime dhe pos ish-UÇK-së nuk mbaj mend se pushtetet e pasluftës kanë ndjekur apo kanë luftuar me ligj askënd tjetër përveç neve, luftëtarëve. Pastaj partitë, sidomos PDK-ja, por edhe LDK-ja, kanë bërë luftë kundër njëratjetrës, i kanë hasmuar qëllimisht herë-herë deri në ekstremitet elektoratin e vet, edhe pse para-sistemi i sigurisë së këtyre dy partive politike kanë bashkëpunuar ngushtë ndërmjet veti", u shpreh ai."Kjo lloj lufte edhe ka ndikuar në ndarjen e zyrtarëve shtetërorë, por edhe te policët, hetuesit, prokurorët, gjyqtarët janë ndarë jo në nivelin arsimor, por a është X prokurori i PDK-së apo i LDK-së e më vonë ka hyrë në këtë sistem edhe AAK-ja, në garë për kontrollin e gjyqësisë, prokurorisë, e deri diku edhe policisë dhe sidomos firmave të mëdha shoqërore televizionit etj. Dhe, pikërisht kjo ndarje, ku edhe ndërkombëtarët kanë kontribuar për të keq, i ka dhënë fuqi krimit të organizuar, pasi në Kosovë krimi i organizuar është krimi politik. Prandaj, gjërat kanë ardhur aty ku jemi sot, kur krimi i organizuar politik ka gëlltitur shtetin, pasurinë e shtetit dhe sidomos organet e rendit dhe ligjvënies që janë plotësisht nën kontroll të mafisë politike në Kosovë", theksoi Miftari për "Kosova Sot". Sipas tij, sabotimi i sundimit të ligjit është i koordinuar mirë dhe secili pjesëtar i krimit të organizuar ka rolin dhe pjesën e vet të profitit nga krimi i organizuar . "Edhe ata prokurorë e policë hetues që nuk janë pjesë e mafisë nuk kanë as guxim, por as mundësi të veprojnë kundër mafisë, pasi do të mbetshin pa punë, të etiketuar, por ndoshta do humbnin edhe jetën e tyre nëse provojnë të luftojnë të vetëm mafinë, pasi janë pikërisht shefat e këtyre policëve apo prokurorëve të pakorruptuar pjesë e mafisë politike dhe nëntokës", tha Naim Miftari për "Kosova Sot"

"I gjithë ky dështim është si rezultat e emërimeve politike të njerëzve në polici, prokurori e gjykatë, kështu që ata duhet edhe t'u japin llogari atyre që i kanë emëruar, e këtu nuk ka drejtësi", tha Avni Islami për "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)