Thaçi në kërkim të rolit të kryenegociatorit, përdor familjen Rugova për t'iu vardisur LDK'së

  • 24 May 2018 - 15:40
Thaçi në kërkim të rolit të kryenegociatorit, përdor familjen Rugova për t'iu vardisur LDK'së

Hashim Thaçi po bën çmos që të marr rolin e kryenegociatorit në dialogun Kosovë - Serbi, ani pse figura e tij po vazhdon të mos jetë e dashur dhe e pranueshme për partitë politike, veçanërisht për opozitën. E derisa bisedimet me Serbinë pritet të fillojnë kah fundi i muajit qershor, shefi i shtetit, po e ‘josh’ familjen e ish -presidentit Rugova, që kësisoj të marr edhe bekimin e LDK’së për të qenë mandatar në këtë proces. Me gjasë, familjarëve të ish -Presidentit nuk po u pengon etiketimi që Thaçi ia bëri Rugovës në librin e tij biografik, duke e paraqitur si pijanec e të sëmurë kronik.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka dekoruar sot me medaljen presidenciale familjen e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. 

Medalja Presidenciale Jubilare e Dhjetëvjetorit të Pavarësisë, i është dorëzuar gruas së presidentit Ibrahim Rugova. Aty Thaçi zgjodhi të thurë fjalë të mëdha për ish- presidentin e ndjerë.

Pastaj në hapjen e ekspozitës për kontributin e Presidentit Ibrahim Rugova në shtet formimin e Kosovës, për herë të parë, tha se bashkë me të e bënë Kosovën shtet të pavarur.

Siç, dihet, Thaci meritat për pavarësinë e Kosovës kryesisht ia lë vetës me fjalimet e tij kur thotë “ në jetë kam pasur tre qëllime”.

Por, në librin biografik për Hashim Thaçin të publikuar kohë më parë për audiencë ndërkombëtare, Rugova përshkruhet si një person i dhënë pas alkoolit.

Rugova në 5 raste përshkruhej si pijanec kronik,  me depresion dhe person që i është nënshtruar famëkeqit ish presidentin serb, Millosheviq. 

Presidenti ia kishte parë hairin familjes Rugova edhe kur i hyri garës për president. Vota e Teutës, vajzës së Rugovës, ishte vendimtare që ai të marrë udhëheqjen e shtetit. Me gjasë, hairin do ia sheh edhe tash.

Thaçi vazhdimisht përdor taktika të ndryshme për të marrë atë që do. Përmes medaljes së sotme për familjen Rugova, sigurisht që ka edhe një shpërblim më vonë nga partia që për shumë vite e udhëhoqi presidenti i ndjerë, LDK’ja.

Ish- kryetari i PDK’së po e kërkon vëmendjen e partisë së Isa Mustafës që ta përkrahin atë si negociator në bisedimet e fazës së fundit me Serbinë, e me të cilën parashihet njohja e ndërsjellë.

Sigurisht që kjo do të kuptohet brenda një kohe të shkurtë, nëse ‘joshja që iu bë sot familjes Rugova, do të rezultojë më bekimin e LDK’së ndaj Thaçit për dialogun. 

 

(Kosova Sot)