Gjykata Themelore emëron një gjykatës të veçantë për rastet e gazetarëve dhe mediave

  • 18 June 2018 - 12:53
Gjykata Themelore emëron një gjykatës të veçantë për rastet e gazetarëve dhe mediave

Kryetarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Afërdita Bytyqi, ka emëruar gjyqtarin, Arben Hoti, si koordinator të kësaj gjykate për rastet e medieve dhe gazetarëve.

Ajo ka bërë të ditur se që nga dita e sotme, nënkryetari i kësaj gjykate, Arben Hoti, do të jetë koordinator i rasteve të gazetarëve.“Ju njoftoj se për rastet e medieve dhe gazetareve që trajtohen në Gjykatën Themelore të Prishtinës, kemi emëruar koordinator, gjyqtarin-nënkryetarin e Gjykatës, Arben Hoti. Andaj, për çdo rast që trajtohet në GJTH të Prishtinës dhe degëve të saj, mund ta kontaktoni gjyqtarin Hoti”, tha Bytyqi.    

Emërimi i Hotit, si koordinatori për rastet e medieve dhe gazetarëve vjen pas një takimi të zhvilluar ditë më parë ndërmjet përfaqësueseve të AGK-së, me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizin dhe kryetaren e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Afërdita Bytyqi, me ç’rast iu është dorëzuar kërkesa zyrtare për emërimin e një koordinatori në Gjykatën Themelore të Prishtinës, duke e parë kështu ngarkesën e madhe të cilën e ka kjo gjykatë me lëndët e medieve dhe gazetarëve. 

AGK mirëpret emërimin e koordinatorit Hoti në Gjykatën Themelore të Prishtinës, pasi beson se tani e tutje këto lëndë do të trajtohen me prioritet dhe seriozitet nga ana e gjykatës, gjë që pashmangshëm do të ndikoj në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të gazetarëve në Kosovës si dhe rritjen e profesionalizmit te mediet. 

Ndryshe, përveç koordinatorit të sapo emëruar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, edhe Prokuroria e Shtetit ka emëruar një Koordinator Nacional për rastet e gazetarëve si dhe në secilën Prokurori Themelore është caktuar nga një koordinator i posaçëm cili do të merret ekskluzivisht me lëndët e gazetareve.  


(Kosova Sot)