Ndërroi jetë Augustin Bisaku, ish deputeti i Parlamentit të Kosovës

  • 28 August 2015 - 15:32
Ndërroi jetë Augustin Bisaku, ish deputeti i Parlamentit të Kosovës

Mbrëmë në Bishtazhin të Gjakovës ndërroi jetë veprimtari i çështjes kombëtare, një ndër themeluesit e Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës, ish deputeti i Parlamentit të Republikës së Kosovës në legjislaturën 1992-1998, Augustin Bisaku.

Ceremonia përkujtimore dhe mortore zhvillohet nesër më 29 gusht në ora 12 në Kishën Katolike "Zoja Rruzare" në Bishtazhin. Varrimi i të ndjerit bëhet në orën 13 në Varrezat e Bishtazhinit. Augustin Bisaku u lind me 20 prill të vitit 1927 në Bishtazhin të Gjakovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Në moshën rinore ai u dallua si oficer paraushtarak.

Në vitet e 60ta regjimi sllavo-komunist filloi me arrestimet dhe përndjekjet ndaj tij. Për veprimtarinë atdhetare dhe angazhimin rreth ndërtimit të kishës në fshat nga regjimi i atëhershëm qe shpallur "person i padëshirueshëm".

Presionet e vazhdueshme të pushtetit të asaj kohe dhe gjendja e rëndë sociale e detyruan të emigrojë për dy dekata në Gjermani, ku u dekorua si punëtorë i zellshëm tek gjigandi prodhues i veturave të Mercedesit, Daimler Benz në Hamburg. Kthimi në vendlindje e frymëzon Augustinin në fillim të viteve 90ta që tërë qenien e tij ta vëjë në shërbim të çështjes kombëtare, fillimisht me shpalljen Kushtetutes së Republikës së Kosovës në Kaqanik e pastaj si deputet në Kuvendin e Kosovës, ku presidenti Ibrahim Rugova e kishte ngarkuar në postet drejtuese në sektorin për bujqësi. Augustin Bisaku u shqua edhe për kontributin e tij në shkollimin e gjeneratave të reja, hapjen e gjimnazit në Bishtazhin dhe ndihmat e vazhdueshme për minatorët dhe familjet e rrezikuara dhe strehimin e refugjatëve gjatë luftës. Në vitin 1989 ai ishte protagonisti kryesor dhe skenarist në realizimin e filmit me vlera kombëtare "Buzmi".

Ndërroi jetë në moshën 88 vjeçare. (Kosova Sot)