Kryeministrja serbe takohet me Presidentin Trump: Serbët janë popull i mirë

  • 26 September 2018 - 09:43
Kryeministrja serbe takohet me Presidentin Trump: Serbët janë popull i mirë

Sipas shkrimit të mediave serbe, presidenti amerikan Donald Trump, gjatë bisedës së shkurtër me kryeministren serbe Ana Brnabiç, ka thënë se serbët janë popull i mirë.

Në të vërtetë, Brnabiç e ka falënderuar presidentin amerikan për ndryshimin e qëndrimit të administratës së re të Uashingtonit ndaj Serbisë dhe mirëkuptimin për qëndrimin e Serbisë rreth çështjes së Kosovës, ndërsa ai në këtë, sipas mediave serbe, është përgjigjur se serbët janë popull i mirë.

Brnabiç ka marrë pjesë në takimin tradicional të cilin presidenti amerikan e mban në prag të debatit të përgjithshëm në selinë e OKB-s, ndërsa të enjten do t’u drejtohet vendeve anëtare, transmeton më tutje “Zëri.info”.

Siç shkruan gazeta serbe “Novosti”, Amerika është e gatshme që çështjen e Kosovës ta ‘rishikoj’ dhe nëse Prishtina dhe Beogradi arrijnë marrëveshje, ata do ta pranojnë.

Gazeta tjetër serbe ‘Blic’, shkruan se Trump edhe personalisht ka konfirmuar ndryshimin e politikës amerikane rreth çështjes së Kosovës dhe relaksimin e raporteve ndaj Serbisë.


(Kosova Sot)