Sivjet, mbi dy mijë nxënës më pak

  • 01 September 2015 - 20:00
Sivjet, mbi dy mijë nxënës më pak

Shkaktarë të rënies së numrit të nxënësve janë ulja e natalitetit dhe vala e migrimit të vitit të kaluar

Drejtori i Arsimit, Qahil Sinani, ka thënë se me gjithë rënien e numrit të nxënësve, në shkollat e Vitisë nuk ka shuarje të paraleleve dhe nuk ka shkurtim të vendeve të punës

Shkollat e Gjilanit dhe të Vitisë sivjet do të kenë mbi dy mijë nxënës më pak, në krahasim me vitin e kaluar, për arsye të ndryshme, duke filluar nga rënia e natalitetit e deri te migrimi.  Megjithatë, sa i përket anës organizative, autoritetet arsimore në të dyja këto komuna të Anamoravës thonë se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillim të mbarë të një viti tjetër shkollor. Sipas opozitës (VV), në Gjilan edhe ky vit shkollor do të fillojë me problemet e vjetra. Nazmi Musa, drejtor i Arsimit në Gjilan, ka thënë të hënën se rinovimet e objekteve janë kryer me kohë, është bërë pranimi i kuadrit për vendet e lira të punës, është bërë sistemimi i mësimdhënësve, të cilët kanë pasur marrëdhënie të përhershme të punës, por që nuk kanë pasur normë të plotë mësimore, është bërë regjistrimi i nxënësve në klasat e para të fillores dhe klasat e dhjeta të shkollimit të mesëm. Për të stimuluar regjistrimin në shkollën e mesme të Bujqësisë, do të shpallet konkursi për ndarjen e bursave si dhe do të zhvillohen procedurat për sigurimin e transportit. Sipas Musës, sivjet shkollat e Gjilanit do të kenë rreth 1100 nxënës më pak nxënës, në krahasim me vitin e kaluar. Ndërkaq, sa i përket Bujqësisë, ai pret që të plotësohet numri i paraparë i nxënësve për formimin e 11 paraleleve, meqë “Arbëria” sivjet e ka statusin e shkollës së privilegjuar.

Përvoja, kriter për sistemim të kuadrit

Opozita (PDK dhe VV) nuk shohin ndryshime pozitive në arsim as sivjet. Fehmi Sylejmani (VV) thotë se edhe ky vit shkollor po fillon pa risi, me orë 40 minuta dhe punë në tri ndërrime, në disa shkolla. Ai ka dyshime edhe te sistemimi i kuadrit, që sipas tij nuk është bërë në mënyrë objektive, por sipas preferencave partiake, kurse sa i përket regjistrimit të nxënësve në klasat e para, sipas formulës së vjetër, thotë të mos ketë dëgjuar për ankesa. (Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)