13 vjet e rrahu burri, meqë nuk i dhuroi një djalë

  • 01 October 2015 - 19:09
13 vjet e rrahu burri, meqë nuk i dhuroi një djalë

Një grua thotë se ishte subjekt i 13 vjetëve të dhunës nga duart e burrit të saj, i cili e rrihte, dhunonte dhe ishte përpjekur që ta helmonte atë.

Sajida, e cila ka prejardhje pakistaneze, por që tani jeton në Mançester, ishte detyruar që të martohej me kushëririn e saj kur kishte vetëm 16 vjet, e burri i saj kishte 23, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Tani në të tridhjetat e saj, Sajida tregon se kishte vetëm 17 vjet kur kishte mbetur shtatzënë dhe më pas kishte lindur katër vajza. Kjo e kishte zemëruar burrin e saj, i cili donte që të kishte djem. Vajzave u ishte ndaluar që të luanin jashtë shtëpisë, bile ato nuk guxonin as të qeshnin. Përkundër këtij abuzimi, akuzat ndaj burrit të saj ishin tërhequr, gjë që policia ka thënë se nuk ishte e rëndomtë.

Image

 “Isha e izoluar”

Duke folur për herë të parë rreth lidhjes së tyre, gruaja, e njohur vetëm me emrin Sajida, e cila dëshiron që të mbetet anonime, me qëllim të mbrojtjes së fëmijëve të saj, thotë se që nga shtatzënësia e parë kishte parë se burri dëshironte vetëm djem.

“Kur ai ishte aty, ne nuk mund të merrnim frymë, apo të mendonim si duhet. Vajzave ua kishte ndaluar që të qeshnin, apo të buzëqeshnin, sikur që nuk mund të luanin jashtë nëse i shikonin djemtë.

'Mund të dilja nga shtëpia vetëm e shoqëruar nga fëmijët. Nuk më lejohej asnjë jetë sociale dhe isha e izoluar, si nga familja, po ashtu edhe nga shoqet. Mbijetova vetëm falë vajzave të mia”, thotë Sajida.

Sajida tregon se kishte vetëm dhjetë vjet kur kishte dëgjuar thashetheme se do ta martonin. Ajo tregon se kushërirat i flisnin rreth kësaj teme, por ajo kishte menduar se çdo gjë ishte vetëm shaka.

Sajida tregon se burri i saj i ardhshëm asokohe kishte 16 vjet dhe jetonte në Pakistan, nga ku janë edhe prindërit e saj. Kurrë nuk e kisha parë as atë, e as ndonjë fotografi të tij, kështu që nuk kishte besuar në seriozitetin e këtyre pohimeve.

Por, thashethemet rreth martesës nuk pushuan, përkundrazi tani për to flisnin edhe dajat, tezet dhe kushërinjtë.

Image

 Kur e kishte parë burrin e saj, kishte filluar të qante

Familjarët e saj nuk i kishin thënë asgjë derisa kishte mbaruar shkollën e mesme.

“Kisha vetëm 16 vjet kur më thanë se duhej të shkoja në Pakistan me babanë. Kushërirat më thanë se mund të më martonin, por prindërit kurrë nuk ma thanë një gjë të tillë. Unë nuk besoja se do të më martonin, por vetëm do të shkonim në pushim. Provimet e diplomës ende nuk i kisha kryer në tërësi”.

Ajo ishte gëzuar rreth këtij udhëtimi, por pasi mbërriti atje dhe pasi ishte konfirmuar martesa e saj, Sajida kishte filluar që të bënte panik.

“Të gjithë ishin të zënë me përgatitjen e martesës. Kurrë nuk i kisha parë ata njerëz. Më thoshin se, nëse nuk do të martohesha, do ta turpëroja familjen. Po ashtu, më thoshin se, nëse do t’i dëgjoja, do të më linin t’i vazhdoja studimet”.

Atë nuk e pyetën për asgjë, as për fustanin e nusërisë, as për këpucët... që të gjitha ia kishin blerë ata.

Kur e kishte parë burrin e saj, kishte filluar të qante, derisa ai nuk kishte shfaqur ndonjë emocion. Atë natë duhej të bënte seks, pa e pasur idenë se çka do të ndodhte, meqë ishte e virgjër. Gjatë tre muajve sa qëndroi në Pakistan, burri vazhdimisht e detyronte të bënin seks, meqë ajo nuk e donte një gjë të tillë. Më pas u kthye vetëm në Britani, e burri iu bashkua tre muaj më vonë. Nga ai moment, ajo filloi që të thellohej në një cikël brutal të dhunës.

“Ai më dhunonte, më kishte prerë me thikë dhe kishte tentuar që të më helmonte me gazin ku përgatisnim ushqimin”, thotë Sajida.

Image

Pasi burri e kishte rrahur edhe derisa ishte shtatzënë në fëmijën e katërt, Sajida përfundimisht kishte mbledhur guximin dhe i kishte telefonuar policisë. Por, më pas familjarët i kishin bërë presion emocional, për t’i tërhequr akuzat ndaj burrit.

“Më thanë se, po të mos e bëja këtë, do të vdiste një anëtar i familjes, i cili e kishte zemrën e dobët”.

Por, dy vjet më vonë, pasi burri filloi t’iu kërcënohej edhe fëmijëve, Sajida thirri përsëri policinë.

“Burri thoshte se do t’i shiste vajzat, do t’i martonte për inat timin, pasi bëra që ai të arrestohej. Nuk doja që fëmijët e mi të vuanin gjatë tërë jetës së tyre”, thotë ajo.

Sajida tani u është kthyer studimeve dhe dëshiron që të bëhet infermiere.

Martesa me dhunë është ilegale në Britani që nga viti 2014, por me mijëra gra dhe vajza bien viktimë e saj çdo vit.

(Kosova Sot)