‘Djali im digjet në ferr, por unë jam e lehtësuar’

  • 13 October 2015 - 18:26
‘Djali im digjet në ferr, por unë jam e lehtësuar’

Nëna e xhihadistit britanik, Thomas Evans, ka rrëfyer sesi djali i saj i sjellshëm dhe i ndrojtur u kthye në një monstër që vrau të krishterë dhe dogji kisha.

Evans la shtëpinë e tij Buckinghamshire në vitin 2011 dhe u fut në radhët e grupit terrorist “Al Shabaab”, në Somali. Ai u bë i njohur si “Bisha me lëkurë të bardhë”. Ai u bë i pari ekstremist anglez i vrarë në Kenia.

Nëna e tij, Sally, 57 vjeç, thotë se vdekja e të birit e shkatërroi dhe e çliroi njëkohësisht. Ajo thotë se beson se “Thomas do të jetë duke u djegur në ferr”.

Sally është shprehur se i biri ishte një fëmijë i zakonshëm deri në moshën 14 vjeç, kur u njoh me disa djem nga Azia. Ai ndërroi emrin në Abdul Hakim dhe vendosi të mos hante ushqime që nuk konsideroheshin “hallall”.

“Unë e respektova të drejtën e tij për të zgjedhur fenë myslimane, por ai nuk respektoi timen për të qenë laike. Shpesh ai na thoshte mua dhe djalit tjetër se ishim të destinuar për në ferr nëse nuk ktheheshim në myslimanë”, tregon Sally.

Ai mbërriti në Somali në vitin 2012 dhe i telefonoi të ëmës për t’i thënë se kishte gjetur një nuse 13 ose 14 vjeçe, e cila nuk fliste anglisht.

Në një tjetër bisedë telefonike me të birin, Sally debatoi për masakrën në qendrën tregtare në Kenia, ku u vranë 60 persona, sulm pas të cilit qëndronte grupi terrorist Al-Shabaab.