Ja ku ruhet pasuria 25 milionëshe e konfiskuar e shtetit (Foto)

  • 27 November 2015 - 12:26
Ja ku ruhet pasuria 25 milionëshe e konfiskuar e shtetit (Foto)

Njerëzve të politikës e biznesit shteti ka filluar t’ua marrë pasurinë e fituar “pa djersë”. Aktualisht pasuria e paligjshme konfiskohet pasi të vërtetohet se është fituar duke kryer vepër penale. Vlera e pasurisë së konfiskuar nga viti 2014 e deri më tani ka shkuar në mbi 25 milionë euro. Gjërat e konfiskuara janë të ndryshme, si pasuri të paluajtshme, vetura, mjete transporti, ari e bizhuteri. Krejt këto gjëra po ruhen në disa vende të ndryshme të Kosovës para se të shiten apo jepen me qëra.

Vetura luksoze, para, ari e prona të paluajtshme janë vetëm disa nga gjerat që shteti ua ka konfiskuar njerëzve të politikës e biznesit, që konsiderohet që i kanë përvetësuar në mënyrë të pa ligjshme. Konfiskimi i tyre ka nisur disa vite më parë. Por, konfiskimi më i madh i kësaj pasuri është bërë gjatë vitit të kaluar dhe gjatë 2015.

Rrahim Rama, Kryeshefit të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ka treguar se vlera e pasuri së konfiskuar në dy vitet e fundit është mbi 25 milionë euro. “Vlera e pasurive të administruara nga ana e Agjencisë në vitin 2014 ka qenë rreth 23,500,000.00€ (njëzet e tre milionë e pesëqind mijë euro) ndërsa në vitin 2015 deri në fund të shtatorit është rreth 2,200,000.00€ (dy milionë e dyqind mije euro)”, ka thënë Rama.

Por, Rama nuk ka pranuar të jap shumë detaje se kush janë njerëzit që ua është marrë pasuria. “Personave të ndryshëm kryesisht nga biznesi”, ka thënë Rama.

Ai ka treguar se agjencioni administron lloje të ndryshme të pasurive si patundshmëri, para kesh, mjete transporti, makineri, bizhuteri ari e gjera të tjera. “Pasurit ruhen në depon qendrore në Llukar, në hapësirat e QK në “Smrekovnicë”, Bankën Qendrore të Kosovës “BQK” dhe në Agjenci”, ka treguar ai.

Gjatë ditës se djeshme është vizituar qendra/depoja në Llukar ku edhe ka parë nga afër disa nga gjera e konfiskuar.

Mirëpo, Gazetës Express nuk i është lënë të ketë qasje dhe të beje fotografi të këtyre gjërave.

Në Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar kanë thënë se me gjerat që qëndrojnë në depon e Llukarit do të shiten dhe jepen me qira.

“Agjencioni do të administroj në mënyrë sa më efikase me këto pasuri ( disa pasuri do ti japë me qira, do ti jep në shfrytëzim varësisht nga kërkesat, disa do ti shes me qëllim të ruajtjes së vlerës së tyre, ndërsa për disa do të pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës”.

Përndryshe, Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar ishte themeluar më 1 janar 2010, bazuar në ligjin përkatës të Kuvendit, por sipas zyrtarëve të saj ka filluar të punojë realisht vetëm kah vera 2011 dhe tani ka 17 anëtarë. Ajo funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, ka për detyrë të ruaj dhe administrojë pasurinë e sekuestruar ose të konfiskuar në bashkëpunim me prokuroritë, gjykatat, Këshillin e Pavarur për Miniera e Minerale (KPMM) si dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës në Kosovë (AUV), përfshirë shitjen e kësaj pasurie, vlerësimin e saj etj.

Agjencia ka një depo në Lipjan dhe një tjetër në Smrekovnicë të Vushtrrisë, ku i mban pasuritë. Aktualisht sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurisë në Kosovë është i rregulluar me Kodin e Procedurës Penale si dhe Ligjin për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë së Përfituar me Vepër Penale. Në të dy këto ligje, sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurisë duhet të bëhet në kontekst të kryerjes së një vepre penale përmes të cilës është përfituar ajo pasuri apo pasuri të tjera. Një gjë e tillë është e qartë – çdo vepër penale që gjeneron pasuri dënohet dhe ajo pasuri konfiskohet.

Mirëpo, kemi situata kur një pasuri e caktuar nuk mund të justifikohet, ndërsa në anën tjetër as nuk mund të ndërlidhet me kryerjen e një vepre penale specifike. Në këtë drejtim, aktualisht, organet e ndjekjes dhe gjykatat kosovare janë të kufizuara dhe nuk mund të ndërmarrin veprime të sekuestrimit dhe konfiskimit në raport me ato pasuri.